E Diel, 1 Nëntor 2026

Dashamir Tahiri: Çamët si hebrenjtë, do të kthehemi në shtëpitë tona

10-12-2012 / Gazeta 55

Protestë para ambasadës greke në Ditën Ndërkombëtare Kundër Gjenocidit


Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe Shoqata “Çamëria” zhvilluan dje një protestë përpara bllokut të ambasadave, drejtuar Ambasadës Greke në Tiranë, në kuadër të 9 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Gjenocidit. Në këtë aktivitet, ku u brohoritën thirrje kombëtare dhe kërkesa për zgjidhjen e çështjes çame. Ish kryetari i Shoqatës Çamëria dhe një aktivist i çështjes çame prej fillimit të demokracisë, Servet Mehmeti deklaroi se ajo që ndodhi me çamët në trojet e tyre, ishte gjenocid dhe se Greqia duhet të dënojë me forcë krimin e shëmtuar ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë. “Jemi këtu për të përkujtuar ditën botërore të gjenocidit, fiksuar në 9 dhjetor në Paris. Ata që e shpallën atë ditë, donin t’i jepnin viktimave të përbotshme të këtij gjenocidi, kudo që ndodheshin, kudo ku ishin kryer krimet, një ditë kur të përkujtonin të gjithë këto viktima, një ditë kur të dënonin më me forcë këtë krim të shëmtuar. Mes nesh ka viktima të gjenocidit grek mbi Çamërinë. Grekët thonë se nuk u bë gjenocid mbi ne, por se ne ikëm vetë. Konventa ndërkombëtare për gjenocidin e miratuar në 9 dhjetor 1948 ka dhënë disa përkufizime se çfarë është gjenocid. Unë sot dua t’ju pyes juve, sipas këtyre përkufizimeve. A nuk pati mbi ne çamët, vrasje masive të anëtarëve të komunitetit tonë? A nuk pati mbi ne imponim kushtesh jete, që kishin për qëllim asgjësimin tonë? A nuk kishte mbi ne, shpërngulje të sforcuar të fëmijëve, grave dhe të moshuarve? A nuk pati planifikim të gjithë krimeve, aksioneve kriminale mbi ne, duke filluar nga ato para Luftës së parë botërore, pas saj, në vitet 20, në fund të Luftës së dytë botërore? A nuk ishte brenda këtij planifikimi qëllimi që të na shkulnin përjetësisht nga rrënjët, nga trojet tona etnike? Por siç e tregon pjesëmarrja juaj, pjesëmarrja e të rinjve dhe të vjetërve, askush nuk i shkul çamët nga rrënjët. Siç e tregon këtu prania e përfaqësuesve të PDIU-së, kryetarit të saj zotit Shpëtim Idrizi dhe deputetit Dashamir Tahiri, çështja çame nuk do të vdesë asnjëherë. Sot, në emër të tij, dua t’ju bëj publike se nesër, deputetët tanë do të paraqesin në Parlament rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame. Ajo nuk do të dënojë thjesht gjenocidin siç bëri Parlamenti në vitin 1994”, tha Servet Mehmeti. Deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri tha se rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame, që do të prezantohet në Kuvend, është një hap i drejtë, që kërkon zgjidhjen e një çështjeje të drejtë. “Ne nuk kërkojmë shtëpi në Athinë, ne kërkojmë shtëpitë e baballarëve tanë në Prevezë, aty ku i kanë pasur. Kjo është një çështje e drejtë. Askush nuk mund ta quajë ndryshe. Hebrenjtë u kthyen në trojet e tyre amtare pas dymijë vjetësh dhe ne do të kthehemi shumë shpejt. Qeveria e atëhershme kuinslinge greke i dëboi dhe i vrau shqiptarët e Çamërisë, duke shfarosur 20 për qind të popullsisë. Por edhe qeveria e sotshme greke nuk po kërkon ndjesë, ndonëse e cilëson veten si demokratike”, tha Tahiri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›