Marrëveshja Itali–Shqipëri për emigrantët, Gjykata e BE-së kërkon bazë ligjore për listën italiane të “vendeve të sigurta”

Në një vendim të shumëpritur, Gjykata Evropiane e Drejtësisë me seli në Luksemburg tha se Italia është mund t’i përshpejtojë kërkesat për azil nga shtetasit që vijnë nga vende me origjinë të sigurt dhe është e lirë të vendosë se cilat janë këto vende, por paralajmëroi gjithashtu se një përcaktim i tillë duhet të përmbushë standarde të rrepta ligjore, dhe t’u lejojë aplikantëve dhe gjykatave qasje dhe kundërshtim të provave mbështetëse.
“Një vend i Bashkimit Evropia mund të caktojë vende të sigurta origjine me akt legjislativ, me kusht që një përcaktim i tillë t’i nënshtrohet shqyrtimit efektiv gjyqësor,” thotë vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për protokollin Itali–Shqipëri dhe përkufizimin e një “vendi të sigurt origjine”, e cila thekson gjithashtu se një vend mund të mos klasifikohet si “i sigurt” nëse nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e tij.
Gjykata specifikon se ky kusht vlen deri më 12 qershor 2026, kur pritet të hyjë në fuqi rregullorja e re e BE-së, e cila lejon përcaktime me përjashtime për disa kategori personash qartësisht të identifikueshme.
I menjëhershëm ishte reagimi i zyrës së kryeministres Giorgia Meloni, që e quajti “të çuditshëm” vendimin e gjykatës, duke thënë se dobëson politikat për të luftuar imigracionin masiv të paligjshëm dhe për të mbrojtur kufijtë kombëtarë.
“Edhe një herë, gjyqësori, tashmë europian, po merr kompetenca që nuk i takojnë në dëm të përgjegjësive që janë politike. Për 10 muajt e mbetur derisa Pakti Evropian të hyjë në fuqi, qeveria italiane do të vazhdojë të kërkojë çdo zgjidhje të mundshme, qoftë teknike apo rregullatore, për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve të saj,” thekson zyra e kryeministres italiane, duke paralajmëruar se nuk do të tërhiqet nga marrëveshja.
Çështja e ngritur para GJED-së përfshinte dy shtetas nga Bangladeshi, të cilët u shpëtuan në det nga autoritetet italiane dhe u çuan në Shqipëri, ku kërkesat e tyre për azil u refuzuan bazuar në klasifikimin e atij shteti nga Italia si një “vend i sigurt”.
Meloni e ka paraqitur zhvendosjen e azilkërkuesve në kampe të ndërtuara në Shqipëri si një gur themeli të politikës së saj të ashpër ndaj migracionit dhe vende të tjera evropiane e kishin parë këtë ide si një model të mundshëm.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/