Marrëveshja Shqipëri-Itali/ Ministri Tajani sot në Tiranë, takim me Ramën

Ministri i jashtëm i Italisë, Antonio Tajani ka mbërritur këtë të premte (22 dhjetor) në Tiranë. Ka qenë ministri që e ka njoftuar vizitën e tij në Shqipëri, ndërsa ka bërë me dije gjithashtu se do të takohet me Kryeministrin Edi Rama.
Në fokus të kësaj vizite do të jetë marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët. Në lidhje me këtë të fundit, Tajani ka vizituar kampin në Shëngjin ku do të qëndrojë emigrantët. Vizita e tij në këtë kamp ka qenë pa praninë e mediave.
Po ashtu, gjatë kësaj vizite në Shqipëri, Tajani do të vizitojë edhe ushtarët e Guardia Finanza-s, si dhe në Mal të Zi, për të uruar të gjithë ushtarët e angazhuar jashtë vendit që janë “pjesë e politikës së jashtme”.
Më 6 nëntor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, nënshkruan marrëveshje, sipas së cilës, Italia do të dërgojë në Shqipëri emigrantët që shpëton në Detin Mesdhe, ndërsa Italia do të financojë ngritjen e qendrave për pritjen e tyre.
Marrëveshja do të nisë së zbatuari pranverën e vitit të ardhshëm.
Sipas protokollit të publikuar nga Qeveria shqiptare, Italia do të depozitojë 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë, si paradhënie për strehimin e emigrantëve.
/rtsh.al/