Marrëveshja e Ohrit/ Kurti takon emisarët e Gjermanisë dhe Austrisë

Në një kohë që sot zhvillohet në Bruksel takimi i kryenegociatoorëve për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Albin Kurti zhvilloi mbrëmjen e djeshme (3 prill) një darkë pune me ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, Joern Rohde, Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Përfaqësuesin Special të Austrisë për rajonin, Johannes Eigner.
Zhvillimet e fundit në Kosovë, dialogu Prishtinë-Beograd dhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal, ishin në fokus të bisedës mes tyre.
Duke u ndalur te raportet mes dy vendeve, Kosovë-Serbi, zbatimi i Marrëveshjes Bazë të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër si dhe rruga përpara, në prag të takimit në nivel kryenegociatorësh që do të zhvillohet sot në Bruksel, Ambasadori Rohde kërkoi një zbatim të shpejtë dhe të plotë të kësaj marrëveshje.
“Zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. ASMM është çelësi! Shkëmbim i frytshëm me politikanët dhe CSO së bashku me MFA_Austria, në Kosovë për hapat e ardhshëm dhe rrugën e Kosovës në BE”, shkroi ambasadori Rohde në rrjetin social Twitter.
Kurti në mbrëmjen e organizuar ,me ftesë të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, ishte i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila.
/rtsh.al/