E Diel, 1 Nëntor 2026

Marreveshja e ofruar nga Strasburgu, replikat Berisha-Rama dhe firma e Metes.

25/05/2010 Drafti i propozuar nga faktori ndërkombëtar për zgjidhje firmoset vetëm nga Meta

PS kërkon “Venecian”, anashkalon Gjykatën Kushtetuese

Oli Xhilaga

Debati politik mbi transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit është i përqendruar më së shumti te fletët e votimit, e konkretisht mbi qëndrimin që duhet të mbahet lidhur me këto kuti. Kështu, drafti i propozuar nga faktori ndërkombëtar për politikën shqiptare nuk ka marrë ende bekimin prej tyre, pikërisht për kundërshtinë që shfaqet lidhur me kutitë e fletëve të votimit. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se në darkën e organizuar në Strasburg, mes dy drejtuesve të partive kryesore në Shqipëri dhe përfaqësuesve të Parlamentit dhe Komisionit Evropian, u hodh për diskutim një draft me propozime, përmes të cilave do të mundësohej zgjidhja e ngërçit politik, për më tepër do ti hapej rrugë dhe realizimit të një sërë reformash të lëna pezull nga faktori politik në vend. Një draft i tillë jo vetëm që nuk arriti të merrte mbështetjen e drejtuesve politikë shqiptarë, por nuk arriti dhe të afronte në propozime dy partitë kryesore. Konkretisht, projekti, marrëveshja e faktorit ndërkombëtar konsistonte në tri pika jo pak të rëndësishme për mbarëvajtjen e proceseve integruese për vendin. Fillimisht ishte detyra për nisjen nga puna për hartimin e reformës së re zgjedhore, ajo që propozohej nga BE-ja. Së dyti, pjesë e këtij drafti ishte kryeçështja për të gjitha zhvillimet politike në të cilat u përqendrua aksioni opozitar, transparenca e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Ndërkohë, si pikë e tretë kërkohej që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura të zgjidhen në mënyrë konsensuale. Por mësohet se debati është përqendruar në pikën e dytë të kësaj pakete propozimesh, e cila duhet të firmoset si nga shumica parlamentare, ashtu dhe nga pakica në Kuvend. Në këtë mënyrë, zgjidhja që propozonte faktori ndërkombëtar mbi këtë pikë lidhej pikërisht me respektimin e ligjeve në fuqi, të cilat do të bënin të mundur dhe zhbllokimin e një ngërçi të tillë. Referuar këtij momenti, dakordësia mes dy forcave kryesore në vend lidhej me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, kjo duke mos harruar që mund të bëhet vetëm pas ngritjes së komisionit hetimor parlamentar. Por, nëse në këtë pikë duket sikur ka një konsensus mes palëve, e kundërta ndodh me fatin e kutive që përfshijnë fletët e votimit. Propozimet për një çështje të tillë janë të ndryshme, duke mos pasur një pikë takimi mes tyre. Burime pranë kampit rozë konfirmojnë se mazhoranca ka propozuar që duhet të jetë Gjykata Kushtetuese ajo e cila të shprehet nëse duhet të ketë një gjykim nga ana e Komisionit të Venecias për hapjen apo jo të kutive të fletëve të votimit. Ndërkohë që nga ana e saj opozita ngulmon në kërkesën e saj që duhet të jetë Komisioni i Venecias ai që të thotë fjalën e parë dhe të fundit mbi propozimin e PS-së për numërimin e fletëve të votimit. Pra, në gjykimin e kupolës rozë Gjykata Kushtetuese nuk duhet të jetë pjesë e këtij debati, përkundrazi, ky institucion duhet anashkaluar.

Firmosja e marrëveshjes

Drafti i propozuar nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike në vend duhet të firmoset nga të gjitha partitë parlamentare. Kështu, të gjitha partitë, pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, duhet të shprehen pro kësaj marrëveshjeje, për të kaluar më pas në respektimin e pikave që përcakton një draft i tillë. Por deri më tani mësohet se kjo marrëveshje mban vetëm një firmë, atë të zëvendëskryeministrit të vendit, Ilir Meta. Firma e tij si kryetari i LSI-së, subjekt politik ky i cili është pjesë e Parlamentit, përfshin brenda saj dhe konsensusin e një tjetër partie parlamentare, konkretisht të Partisë për Drejtësi dhe Unitet, e drejtuar nga deputeti Shpëtim Idrizi. Këto dy parti janë të përfshira në një grup parlamentar. Nga ana tjetër, kreu i Partisë Republikane ia ka deleguar firmën e tij kryetarit të Partisë Demokratike, si partia më e madhe e koalicionit të djathtë. Ndërsa në kampin e majtë, veç firmës së kryetarit të PS-së, Edi Rama, duhet të përfshihet dhe firma e një tjetër partie të majtë, pjesë e Parlamentit, që është Partia për të Drejtat e Njeriut. Por mësohet se vetë kreu i PBDNMJ-së, Vangjel Dule, ia ka deleguar kreut Rama këtë firmë, duke rënë dakord paraprakisht që qëndrimi i PS-së do të jetë rrjedhimisht dhe qëndrimi i PBDNJ-së. Pritet që të jenë të gjitha këto firma në këtë marrëveshje, për të arritur më pas zhbllokimin e krizës politike.

Kushti

Në letrën që patën marrë liderët shqiptarë, të bashkëfirmosur nga kryetari i Grupit të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Xhozef Daul, dhe Martin Schulz, kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Evropianë, kërkohej që klasa politike ti japë fund ngërçit politik, pasi në të kundërt procesi i integrimit të Shqipërisë në BE mund të frenohet dhe për më tepër, në opinionin e Komisionit Evropian mbi statusin kandidat mund të jepet një rekomandim negativ, çka do të bënte që vendi ynë ti largohej përfitimit të tij.

Afati

Brenda dy javëve PS-ja dhe PD-ja duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët lidhur me transparencën zgjedhore. Në fund të këtij afati pritet një tjetër takim mes Ramës dhe Berishës në Strasburg. Në këtë mënyrë, pas përfundimit të negociatave pa rezultat në darkën informale të zhvilluar në Strasburg midis Ramës dhe Berishës me praninë e ndërkombëtarëve, ka bërë që negociatat të vijojnë këtu në Tiranë, kësaj here në nivel teknik, duke përfshirë në këto negociata dhe ekspertët e huaj, me qëllim arritjen e një kompromisi.

Një kafe për grevistët në shenjë falënderimi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi dje në një takim deputetët dhe qytetarët mbështetës të kësaj partie, të cilët u ngujuan për 19 ditë me radhë në një grevë urie. Një nismë të tillë këta grevistë e ndërmorën me synimin e vetëm për të bërë të mundur realizimin e kërkesës së kampit opozitar për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura qershorin e vitit që shkoi. Por pas 19 ditësh, deputetë e mbështetës të PS-së dolën nga çadrat e ngritura në sheshin përpara godinës së Kryeministrisë, duke ia lënë në dorë realizimin e kërkesës pikërisht tryezës së bisedimeve mes drejtuesve kryesorë të politikës në vend. Nga ana e tij kreu i PS-së, Edi Rama, i ftoi dje në një takim këta grevistë, ku nën sloganin “Më shumë se faleminderit” ritheksoi përpara tyre dhe një herë tjetër qëndrimin e palëkundur për hetim të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë, duke kursyer modestinë për të gjithë grevistët u afrua një kafe, duke përcjellë kështu një mesazh falënderimi.

Xhafaj: Greva e urisë realizoi misionin

“Gjithçka çfarë ka ndodhur, gjithë aksioni i jashtëzakonshëm politik i opozitës në emër të transparencës, që kulmoi në tri javët e stuhishme të grevës së urisë, është një luftë që meriton të shkojë deri në fund”. Ky ishte mesazhi i përcjellë dje nga sekretari për Çështjet Ligjore në PS, njëkohësisht një nga deputetët grevistë të kësaj partie, Fatmir Xhafaj. Sipas tij, PS-ja ka ndalur përkohësisht aksionin e saj. “Gjatë këtyre dy javëve që pasojnë, ne respektojmë kohën ultimative që i është dhënë kundërshtarit tonë politik për të reflektuar. Ne do të presim me durim që ata të bëjnë zgjedhjen e duhur, që do të ishte dhe zgjidhja më e mirë edhe për ata vetë. Ne sot mund të themi se kemi këputur një nyje në litarin e egër që ka zënë për fyti qytetarin shqiptar; hapja e kutive është vetëm një hap në këputjen e litarit në ekonomi e drejtësi dhe në të gjitha fushat e jetës, që e bëjnë jetën tonë evropiane”, vlerësoi Xhafaj, duke shtuar se “socialistët janë njerëz të mirë, të aftë të negociojnë, të aftë të afrojnë dhe të pranojnë kompromis, por ata nuk janë kurrë të gatshëm të ulin shpinën dhe t´i kthejnë shpinën shpirtit”.

Mungojnë kundërshtarët

Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së ra në sy mungesa e deputetëve që kundërshtojnë Ramën brenda PS-së. Prezent ishte vetëm deputeti Arben Malaj, i cili pas hyrjes në grevë urie së bashku me 21 deputetë të tjerë, duket se ka forcuar pozitat brenda PS-së. Ndërkohë pjesa tjetër e deputetëve kundërshtarë, si: Blushi, Islami, apo Harasani, nuk kanë preferuar të marrin pjesë në këtë mbledhje.

Aleatët në mbledhje

Në mbledhjen e djeshme, veç kryetarëve të degëve dhe 180 grevistëve pjesëmarrës, ra në sy dhe pjesëmarrja e krerëve të partive aleate. Ngjela, Zogaj, Veliaj etj. ishin pjesëmarrës dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. Pavarësisht se asnjë prej tyre nuk është deputet, ata janë mjaftuar dhe me falënderimet që kanë marrë nga kryetari i PS-së, për përkrahjen që kanë dhënë gjatë ditëve të grevës.

Dialogu i vetmi mjet

Edi Rama është shprehur dje në mbledhjen e grupit se në sistemin në të cilin jetojmë dialogu është instrumenti i vetëm dhe i pashmangshëm për të zgjidhur konfliktet mes palëve. Duke iu drejtuar të pranishmëve ai tha: “Në këtë sistem dialogu është instrumenti i pandashëm nga çdo konflikt, sado i ashpër mes palëve, dhe marrëveshjet e negociuara janë materializimi i rezultatit të çdo konflikti si ky që kemi”.

Kryetari i PS-së mbledh në takim drejtuesit lokalë, deputetë dhe grevistë

Rama: Hetimi i dokumentacionit zgjedhor, garanci për të ardhmen

“Transparenca do ta çmontojë armën që vrau zgjedhjet në vend”

“Duam zgjidhje dhe e duam brenda dy javësh. Dhe askujt nuk duhet ti shkojë nëpër mend se ekziston një zgjidhje me kuti të mbyllura apo me fletë votimi të djegura”. Ky ishte qëndrimi i mbajtur dje nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin me drejtues të kësaj partie në rrethe, me deputetë dhe qytetarët pjesë e grevës së urisë. Kështu, kampi rozë vijon të ketë si kryeçështje të zhvillimeve të tij transparencën zgjedhore, por këtë herë duke qenë i gatshëm për të diskutuar dhe negociuar me kampin kundërshtar për gjetjen e një zgjidhjeje, e cila do të sillte dhe realizimin e kësaj çështjeje. “Jemi gati të kontribuojmë për ta gjetur zgjidhjen, në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të cilët e duan dhe e meritojnë transparencën e zgjedhjeve të shkuara, për të garantuar zgjedhjet e ardhshme dhe siguruar zgjidhjet për të ardhmen”, vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij. Në gjykimin e kryetarit të PS-së, sot e dinë jo vetëm ata që e kanë kryer krimin elektoral, por e kanë marrë vesh që të gjithë se më 28 qershor Partia Socialiste dhe opozita i fitoi zgjedhjet dhe nuk u zgjodh dot vetëm sepse zgjedhjet u vodhën, duke mbushur kuti si në Ruzhdie. “Hapja e kutive dhe nxjerrja e dokumentacionit zgjedhor në sytë e publikut do të hedhë dritën e transparencës mbi të gjitha Ruzhdiet e Shqipërisë dhe do ta çmontojë armën që vrau zgjedhjet në qindra Ruzhdie”, vlerësoi Rama, duke dhënë në këtë mënyrë opsionin për zgjidhjen e ngërçit politik.

Krerët e majtë në tryezë mbi situatën politike në vend

Rama informon aleatët mbi negociatat në Strasburg

Kryrtari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi dje në një takim aleatët e majtë. Në tryezën e organizuar pasditen e djeshme, kreu Rama informoi aleatët e partisë së tij mbi qëndrimin e faktorit ndërkombëtar, i bërë me dije në takimin e Strasburgut. Sipas kryetarit të PLD-së, Spartak Ngjela, Shqipërisë i është dhënë një ultimatum i rreptë nga ndërkombëtarët.

“Shqipërisë i është dhënë ultimatum i rreptë, nga i cili mund të ngrihen të gjitha marrëdhëniet me BE-në dhe botën perëndimore, nëse palët nuk bien dakord deri sa të bëhet hetimi. Të gjitha veprimet e tjera që fliten nga papërgjegjshmëria, janë në kundërshtim me të ardhmen perëndimore të Shqipërisë” u shpreh Ngjela, pas përfundimit të takimit me kryetarin e PS-së. Ndërkohë që në gjykimin e drejtuesit të G99-ës, Erion Veliaj, Kryeministrit Berisha i janë dhënë dy opsione: “ose të zgjedhë ta fusë Shqipërinë me kombet e qytetëruara, ose ta lërë në zgjedhje të korruptuara”. Sipas tij, hapja e kutive është e padiskutuar, por opozita dhe aleatët e saj shqetësohen për masën e transparencës që do të bëhet me to. “Që kutitë do të hapen, kjo është fakt, por se sa do të hapen, se sa transparent do të jetë ky proces, pritet ta shikojmë”, nënvizoi Veliaj lidhur me një çështje të tillë.

Tryeza

Krerët e partive opozitare, pas takimit me drejtues dhe deputetë e grevistë të PS-së, janë ulur sërish dje në një tjetër tryezë për të diskutuar mbi krizën politike. Kështu, në takimin e pasdites me kreun Rama ishin të pranishëm kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi; kreu i PDL-së, Spartak Ngjela; ai i PDK-së, Nard Ndoka, dhe drejtuesi i G99-ës, Erion Veliaj.

Berisha: Gati për konsensus, por duke respektuar ligjin

Kryeministri Sali Berisha është shprehur i gatshëm për të hetuar zgjedhjet parlamentare duke u mbështetur tek kutitë që mbajnë materialet zgjedhore dhe pa prekur kutitë ku gjenden fletët e votimit. Për shefin e ekzekutivit transparenca duhet bërë gjithnjë në respektim të Kushtetutës, ligjeve që rrjedhin prej saj dhe vendimeve të organeve të drejtësisë. “Çdo njeri përcakton qëndrimet e tij, si do vetë. Por edhe të deklarosh, si deklaroi ai, se nuk pranoj nenin 178, më duket se kjo nuk i bën nder asnjë politikani, cilido qoftë, asnjë qytetari. Çfarë është neni 178? Ai është një nen thelbësor, shumë i rëndësishëm, i një Kodi të miratuar me konsensus të plotë, midis dy partive. Atëherë, si më lejohet mua të them që unë nuk e pranoj? Se këtu del që pranon ti vullnetin e Parlamentit dhe të sovranit?”, ka thënë ai. Sipas Kryeministrit, mazhoranca nuk tërhiqet nga respektimi i ligjit, që në rastin konkret ka të bëjë me Kodin Zgjedhor dhe pikërisht me nenin 178 të tij. Berisha tha se Parlamenti mund të arrijë një kompromis për të abroguar këtë nen, por pa pasur fuqi prapavepruese; se mazhoranca bën lëshimet e saj në raport me opozitën, duke iu referuar marrjes së shumicës së anëtarëve në komisionin hetimor parlamentar, paçka se kjo i takon me ligj shumicës, dhe kryesimin e tij, gjë që i takon, meqenëse e ka kërkuar e para. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu i Qeverisë ka thënë se mazhoranca është e gatshme të marrë pjesë në hetim, por me kushtin e vetëm që asnjë deputeti nuk mund ti thotë që të shqyrtojë të gjitha materialet. Sipas tij, kjo procedurë do të zgjaste të paktën dy vjet vetëm për listat e Tiranës. Sipas tij, mund të merren mostra ose të gjendet një formulë se si të përzgjidhen.

Meta: Nuk kam drejtuar negociatat për zgjidhjen e ngërçit politik

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka hedhur poshtë pretendimin se ai qe personi, i cili ka negociuar arritjen e një marrëveshjeje politike mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama. “Shpreh keqardhjen për çdo përpjekje për të keqinterpretuar angazhimin tim pikërisht në drejtim të zëvendësimit të grevës së urisë me dialogun politik, për ti dhënë një zgjidhje gjithë pretendimeve të opozitës bazuar në parimin e transparencës dhe të Kushtetutës, për sa u takon shqetësimeve të ngritura për hetimin e zgjedhjeve të fundit të bëra nga ana e saj”, ka theksuar ai. Meta theksoi se ai jo vetëm që nuk ka marrë përsipër asnjëherë për të diskutuar mbi një formulë konkrete, por në të gjitha qëndrimet publike është mbështetur në Kodin Zgjedhor dhe në mënyrë të veçantë te neni ku bëhet fjalë për administrimin e të gjitha materialeve zgjedhore. Në këtë nen bëhet e qartë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap të gjitha kutitë e votimit, ku mbahen materialet zgjedhore transferohen në Arkivin e Shtetit, ndërsa të gjitha fletët dhe kundërfletët e votimit digjen nën monitorimin e KQZ-së. Ky është neni, në të cilin në opinionin e numrit dy të Qeverisë duhet të mbështetet aksioni politik i mazhorancës dhe opozitës për të kryer transparencën e zgjedhjeve të 2009-ës. Meta nënvizoi se inkurajon vazhdimin e dialogut politik dhe beson që ekzistojnë të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje të shpejtë. “Asgjë nuk ka përse të sjellë ngërç, në rast se ekziston vullneti për të lexuar siç duhet edhe Kushtetutën, edhe Kodin, edhe të gjitha ligjet në fuqi”, tha ai.

Shefja e kabinetit të komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule në Tiranë për negociatat

Takime me Kryeministrin Berisha dhe kryesocialistin Rama

Ergys GJENÇAJ

Drejtuesit e Bashkimit Evropian kanë zgjedhur Jana Sindelkova, shefe e kabinetit të komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, për të vijuar negociatat që filluan të enjten e kaluar në Strasburg mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama. Sindelkova pritet të mbërrijë mesin e kësaj jave në Tiranë, për të qëndruar për dita ditë. Mësohet se e dërguara speciale e BE-së do të zhvillojë takime të veçanta me shefin e ekzekutivit dhe me liderin e opozitës. Përmes këtyre takimeve do të kërkohet arritja e një kompromisi politik mes palëve, i cili do të sjellë paqen politike dhe do të çojë drejt nisjes së procesit të transparencës së zgjedhjeve politike të qershorit 2009. Brukseli zyrtar ka kërkuar me ngulm nga klasa politike shqiptare të gjejë mekanizmat e duhura ligjorë, të cilët do të mundësojnë zgjidhjen e ngërçit dhjetëmujor politik në Shqipëri. Madje BE-ja ka vendosur një afat 2-3 javor, brenda të cilit Kryeministri Berisha dhe kryesocialisti Rama të gjejnë zgjidhjen e këtij konflikti të ashpër. Gjatë kësaj periudhe, ku pritet të zhvillohen edhe takime të tjera jozyrtare mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe të opozitës, institucionet e Bashkimit Evropian do të informohen dhe do tu bëhet e ditur çdo detaj që lidhet me zhvillimin e negociatave. Ekspertiza e huaj do ti vijë në ndihmë klasës politike në gjetjen e një gjuhe të përbashkët për zgjidhjen e ngërçit politik. Gjatë kontakteve që do të zhvillohen gjatë afatit të përcaktuar nga BE-ja, në tryezën e bisedimeve të përfaqësuesve të dy partive kryesore në vend do të jenë të pranishëm dhe ekspertë të huaj. Shefja e kabinetit të komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, do të përpiqet që gjatë ditëve që do të qëndrojë në Tiranë, të bindë palët për arritjen e kompromisit. BE-ja gjatë negociatave do ti referohet Kushtetutës, Kodit Zgjedhor, vendimeve të gjykatave, si dhe do të shqyrtohen edhe opsionet që ofrojnë ato për të zhbllokuar një situatë të tillë. Ndërkohë mes palëve është rënë dakord sa i takon materialeve zgjedhore, por ngërçi mbetet te fletët e votimit, ku palët mbajnë qëndrime krejtësisht të kundërta. Duke marrë në konsideratë këtë moment, me siguri negociatat do të jenë të vështira. Kryeministri Berisha dhe kryetari i PS-së, Rama, të enjten e kaluar ishin në Strasburg për zgjedhjen e krizës politike në vend, tryezë nga e cila nuk rezultoi asnjë marrëveshje. Pas këtij takimi, BE-ja ka mbajtur një qëndrim përgjithësisht pozitiv në lidhje me negociatat e nisura. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili mori pjesë gjatë negociatave, pas takimit tha se “ishte një diskutim i hapur dhe i sinqertë, po ecim përpara, por mbetet shumë për të bërë”.

Thirrja e BE-së

Para se të niste takimi në Strasburg, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule dhe komisioneria e Jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, përmes një deklarata të përbashkët, kanë theksuar se ka mbërritur koha për të gjetur një zgjidhje mbi krizën e tanishme politike në Shqipëri, e cila duhet të jetë e qëndrueshme dhe të shpejtë, në përputhje me aspiratat e qytetarëve të këtij vendi, Kushtetutën e tij dhe parimin e transparencës.

Kuvendi zhvillon seancën e parë pas grevës me deputetët e majtë

Seanca, tensionim mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës

Këshillat e Strazimirit fyejnë socialistin Doshi. Topalli mbledh krerët e grupeve

Seanca e radhës parlamentare, pjesëmarrës të së cilës ishin edhe deputetët e mazhorancës, është shoqëruar me tensionim mes deputetëve të të dy blloqeve politike. Përveç një iritimi që u vërejt pa nisur seanca parlamentare, rreth 30 minuta pas nisjes së saj ndodhi një tjetër tensionim i gjakrave, i shoqëruar edhe me tentativë për përplasje fizike. Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, me fjalën e tij duket se provokoi deputetët e opozitës, e në mënyrë të veçantë deputetin Tom Doshi, i cili la karrigen e tij dhe është lëshuar drejt foltores në të cilën ndodhej Strazimiri. “Nuk e di nëse keni vendosur apo jo të qëndroni gjatë, pasi mund që me një sms të largoheni dhe po me sms të lajmëroni familjarët tuaj. Një këshillë të sinqertë po ju jap: shfrytëzojini këto dy javë për të mësuar më mirë rreth Kodit Zgjedhor dhe konkretisht nenit 178 të tij, me qëllim që të mos penalizoheni me 19 ditë të tjera”, tha Strazimiri. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i deputetit socialist Doshi, i cili i është afruar foltores në drejtim të deputetit demokrat, duke i kërkuar të mos i zërë në gojë familjarët e socialistëve. Kanë qenë truprojat e Kuvendit që kanë ndërhyrë duke vendosur gardhin në mbrojtje të deputetit demokrat, ndërsa Kryetarja e Kuvendit ka njoftuar mbylljen e seancës. Pas kësaj, ajo ka thirrur krerët e dy grupeve të mëdha parlamentare, atë të PD-së, Astrit Patozin dhe të PS-së, Gramoz Ruçin, për të diskutuar lidhur me mënyrën se si do të vijohet pas situatës së krijuar. Seanca e djeshme nisi me diskutime të lira, ku deputetët e të dyja palëve u kanë qëndruar besnikë diskutimeve më të hershme të liderëve të tyre.

Xhoxhaj dhe Dedja betohen tek Topi

Kushtetuesja deklaron mbylljen e mandatit të tre anëtarëve

Gjykata Kushtetuese vendosi dje për deklarimin e përfundimit të mandatit të tre anëtarëve të saj, Admir Thanzës, Xhezair Zaganjorit dhe Petrit Plloçit, më 21 të këtij muaji. Me përfundimin e mandatit të këtyre tre anëtarëve, Presidentit të Republikës i lind detyrimi ti propozojë Kuvendit të Shqipërisë tre emra zëvendësues, përveç një kandidature në vend të Vangjel Kostës, propozim i refuzuar nga Kuvendi. Ndërkohë që sot në zyrën e Presidentit do të bëjnë betimin për marrjen e detyrës së re të zgjedhurit e Kuvendit në detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja. Referuar vendimeve të Kushtetueses, sqarohet për secilin anëtar që lë detyrën e anëtarit procedura e zgjedhjes dhe përmbushja e afatit të përcaktuar ligjor lidhur me ushtrimin e funksionit. Admir Thanza, pas propozimit të Presidentit, mori pëlqimin e Kuvendit të Shqipërisë në shkurt të vitit që shkoi. Ai ka vijuar plotësimin e mandatit 9-vjeçar të gjyqtarit Gjergj Sauli, të papërfunduar prej tij, për shkak të mbushjes së moshës 70 vjeç. Gjergj Sauli e ka bërë betimin para Presidentit të Republikës në datën 21.5.2001. Anëtari Zaganjori është emëruar nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 3 557, datë 14.11.2002, dhe një muaj më pas Kuvendi ka dhënë pëlqimin për të. Nga të dhënat rezulton se zoti Xhezair Zaganjori ka vijuar plotësimin e mandatit 9-vjeçar të gjyqtares Tefta Zaka, të papërfunduar prej saj, për shkak të dorëheqjes. Zaka betimin para Presidentit të Republikës e ka bërë në datën 21.5.2001. Ndërsa anëtari i tretë, Plloçi, pas emërimit nga kreu i shtetit, ka marrë pëlqimin e Kuvendit më 26 prill të 2001-it. Nga të dhënat rezulton se sipas ligjit, data 21.05.2010 konsiderohet edhe si datë e mbarimit të mandatit të tij si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›