E Martë, 3 Nëntor 2026

Marrëveshja me mazhorancën, Berisha: Dje na pengonte Rama, sot ia arritëm qëllimit

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nuk ka qenë opozita ajo që kërkonte bllokimin e Parlamentit por kryeministri Edi Rama që sipas Berishës i ka mohuar opozitës të drejtën e ngritjes së komisioneve hetimore.

Sipas Berishës, pavarësisht përplasjeve me mazhorancën në Kuvend, opozita nuk e bojkotoi këtë institucion.

“Nuk ishte opozita ajo që kërkonte bllokimin, ishte Edi Rama ai që u mohoi deputetëve të opozitës të drejtën e komisioneve.

Ishte Edi Rama ai që u mohoi deputetëve të opozitës të drejtën ligjvënëse.

Ishte Edi Rama ai që u mohoi të drejtën e opozitës për të pasur në krye njerëzit që donin në parlament.

Ju dhe unë keni dëgjuar komente të shumta, por ju garantoj se komenti dhe interpretimi i vetëm është ky: Opozita nuk bojkotoi parlamentin dhe gjatë këtyre muajve i kam thënë vetes me dhjetëra herë që ai nen i statutit që nuk lejon PD-në të bojkotojë siç bëri në vitet e kaluara, ai është neni i artë i statutit të kësaj partie”, tha Berisha teksa iu drejtua demokratëve të mbledhur poshtë ballkonit të shtëpisë së tij.

Më tej Berisha theksoi se me marrëveshjen e fundit me mazhorancën, deputetët e grupimit politik që ai drejton hapën një rrugë të re.

Sipas Berishës, grupimi politik që ai drejton është partia e alternativës dhe jo e bojkotit.

“Deputetët, përfaqësuesit tuaj nuk ndoqën rrugën e vjetër, por çelën një rrugë të re fitimtare.

Qëndruan me stoicizëm, me mosbindje civile, e shndërruan çështjen tuaj të drejtë në çështje ndërkombëtarë dhe parlamenti do të filloi normalisht punën e tij.

Ky ka qenë qëllimi ynë madhor, ku do të jetë qëllimi unë, ne nuk jemi nuk do të jemi partia e bojkotit, ne jemi partia e alternativës”, u shpreh Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›