E Hënë, 2 Nëntor 2026

Marrëveshja për mineralet, ministri ukrainas: Moment i rëndësishëm në partneritetin me SHBA

Marrëveshja për mineralet e arritur mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kievit, është konsideruar nga ministri i jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha si moment i rëndësishëm për partneritetin strategjik mes dy vendeve.

Në një postim në rrjetet sociale, Sybiha shprehet se marrëveshja synon forcimin e ekonomisë dhe sigurisë së Ukrainës.

Sybiha thotë gjithashtu se ka folur për zhvillimet e mbrëmshme me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke shtuar se është “mirënjohës ndaj BE-së për solidaritetin dhe mbështetjen e palëkundur”.

Qeveria ukrainase ka bërë publik tekstin e plotë të marrëveshjes për mineralet me SHBA-në.

Qëllimi i marrëveshjes është krijimi i një fondi të përbashkët investimesh për të ndihmuar Ukrainën të paguajë për ndihmën e ardhshme ushtarake dhe humanitare, si dhe për përpjekjet e rindërtimit pasi të mbarojë lufta .

Marrëveshja për burimet natyrore SHBA-Ukrainë e nënshkruar dje daton që nga tetori i vitit të kaluar, kur Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i paraqiti një “plan fitoreje” ish-presidentit amerikan Joe Biden.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›