E Martë, 3 Nëntor 2026

Marrëveshja rajonale e tregtisë, Drejtuesja në detyrë për RTSH: Roli i CEFTA-s, të mbështesë integrimin rajonal

CEFTA, marrëveshja për bashkëpunimin ekonomik rajonal, është komentuar si një nismë jo tërësisht funksionale në Samitin për Ballkanin Perëndimor, mbajtur në Tiranë. Ka qenë Shefi i Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman, që ka komentuar në Tiranë marrëveshjen e tregtisë së lirë për rajonin dhe ka kërkuar se pse disa nga nismat duhet të jenë tërësisht funksionale, si për shembull CEFTA, siç citon ai.

Por drejtuesja në detyrë e CEFTA Danijela Gaçeviç i tha Televizionit Shqiptar se roli i CEFTA-s është të mbështesë integrimin rajonal të rajonit.

“Roli i CEFTA-s është të mbështesë integrimin rajonal të rajonit, i cili shihet si një instrument kyç për rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Instrumenti i cili do t’i mbështeste këto vende për të arritur potencial maksimal.  Roli i CEFTA-s do të ishte të ndihmonte këto ekonomi bazuar në praktikat europiane që do të implementohen në mënyre rajonale, për të arritur akses të përshpejtuar në tregun e BE-së”, u shpreh drejtuesja në detyrë e CEFTA-s. 

Sikurse u tha në Samitin e Tiranës, vënia në zbatim e marrëveshjes së tregtisë së lirë në rajon është e vështirë për vendet e rajonit, sepse ato vende do të duhet të bëjnë ndryshime ambicioze në legjislacion, për ta përafruar atë me standardet e BE. Pikërisht për këtë arsye kërkohet që CEFTA të jetë tërësisht funksionale.

“Fokusi ynë është më tepër tek aktivitetet rajonale, si të mbështesim bashkëpunimin rajonal, si të ndihmojmë vendet e rajonit për të përdorur këtë si një mjet për t’u bërë më shpejt pjesë e familjes së BE-së.

Vendet në Ballkan kanë treguar në të shkuarën se kanë pasur diferenca, veçanërisht tek bashkëpuniumi ndërkufitar.

Duke përdorur standardet tipike të BE-së ne punojmë të ndihmojmë vendet e rajonit t’i tejkalojnë diferencat, të përdorin të njëjtat standarde, të gjejnë qëllimet dhe objektivat e përbashkëta, që të behën pjesë e BE-së, të arrijnë këtë rol më shpejt se bashku. Jo vetëm që të kenë akses në këtë treg, por që gjithashtu të jenë të përgatitur për konkurrencën”, shtoi Gaçeviç.

Kur ka mbetur vetëm një muaj për të përfunduar agjendën e reformave, ligjvënësit e rajonit duhet të miratojnë ligjet e duhura deri në fund të prillit, por edhe me cilësi shumë të lartë. Sipas Shefit të Drejtorisë së Zgjerimit në BE, Koopman, në 4 javët në vijim vendet e rajonit do të duhet të kenë një produkt të një cilësie shumë të lartë, në mënyrë që paratë, fondi prej 6 miliardë Eurosh, të fillojë në maj dhe përpara pushimeve të verës.

CEFTA punon në adresimin e barrierave jotarifore, riorganizimin e dokumentacionit për mallrat dhe shërbimet dhe avancimin e digjitalizimit të tregtisë, të gjitha në përputhje me politikat dhe standardet e BE-së.

Këtë vit, Shqipëria shënoi 14 vjet anëtarësim në CEFTA. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) është një marrëveshje ndërkombëtare e tregtisë mes shteteve që përgjithësisht ndodhen në Europën Juglindore. Anëtarët aktuale të CEFTA përfshijnë Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Serbinë. Ekspertët thonë se suksesi në CEFTA sot është një sukses në BE nesër.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›