E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja u votua në Kuvend me pakon e ligjeve

Me seancën e 31 korrikut përmbyllet sesioni pranveror i punimeve të Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë pritet të shqyrtohen një varg projketligjesh që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe projektligje që kanë dalur nga Marrëveshja e 19 prillit.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë e cila u votua në Kuvend ka pasur pakon e ligjeve që do të ndryshoheshin dhe jo krejtësisht është ditur se çka po votohet në atë rast. Kështu tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi duke komentuar ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve për t’ia përshtatur marrëveshjes së arritur në Bruksel. Ai këto komente i ka bërë derisa u pyet rreth Projektligjit për vetëqeverisje lokale që e parasheh formimin e Asociacionit të serbëve të veriut, e që, sipas tij, Asociacioni nuk mund të shpërbëhet nga institucionet e vendit por vetëm me vetëdëshirë dhe me 2/3 e votave të anëtarëve të saj.

“Ju e dini se marrëveshja dy herë është votuar. Herën e parë i ka marrë 89 vota, herën e dytë i ka marrë 84 vota dhe realisht Kuvendi ka votuar gjithë pakon e ligjeve që është brenda marrëveshjes dhe realisht nuk është ditur çka përmban ajo marrëveshje”, tha Krasniqi.

Kryekuvendari Krasniqi tha se e ka ditur përmbajtjen prandaj nuk e ka votuar, por sipas tij obligimet që dalin nga marrëveshja duhet të futen edhe në ligj, pasi kjo është normë.

“Jo, unë e kam ditur çka jam duke votuar për atë dhe s’kam votuar, por po them se me më shumë se 2/3 e deputetët e kanë votuar dhe ai është bërë dokument valid për institucionet e Kosovës”, tha Krasniqi.

Kryekuvendari Krasniqi i bëri këto komente pas mbledhjes së Kryesisë, ku u vendos që me 31 korrik ta kenë një seancë të re, me të cilën përmbyllet sesioni pranveror. Në këtë seancë pritet të shqyrtohen një varg projketligjesh që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe projektligje që kanë dalur nga Marrëveshja e 19 prillit. Sesioni i ri fillon të hënën e dytë të shtatorit./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›