Marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit të Prizrenit dhe atij të Shkodrës

Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi me qëllim shkëmbimin dhe koordinimin të veprimtarive kërkimore dhe shkencore mes dy institucioneve të arsimit të lartë. Marrëveshja mes rektorëve të dy universiteteve, Prof. Dr. Mazllum Baraliu të UPZ-së dhe Prof. Dr. Artan Haxhi të USH-së, është arritur gjatë punimeve të konferencës shkencore që është duke u mbajtur në Shkodër këto ditë. Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar, palët do të ndihmojnë njëra tjetrën në kualifikimin e stafeve pedagogjik të njëra tjetrës, nëpërmjet organizimit të seminareve trajnuese, projekteve kërkimore-shkencore të përbashkëta, udhëheqjeve shkencore, etj.
“Palët, sipas kushteve dhe mundësive, do të shkëmbejnë botime akademike apo periodike si dhe çdo informacion tjetër shkencor me interes të përbashkët. Palët do të informojnë njëra tjetrën për organizimin e konferencave shkencore nga ana e tyre ose në bashkëpunim me fakultete apo institucione homologe, vendase ose të huaja dhe do të inkurajojnë pjesëmarrjen e pedagogëve të tyre në këto veprimtari”, theksohet ndër tjera në marrëveshjen e arritur.
Në kuadrin e shkëmbimit të përvojës pedagogjike dhe akademike, palët po ashtu do t’i dërgojnë njëra tjetrës programet dhe planet e tyre mësimore, do të shkëmbejnë lektorë për dhënie leksionesh në disiplina që do t’i gjykojnë me interes të përbashkët, duke respektuar aktet e brendshme normative të tyre. /Indeksonline/