Marrëveshje me Maltën
_270943.jpg)
Të dy vendet, me këtë marrëveshje pajtohen që në të ardhmen të bashkëpunojnë në nisma të ndryshme kulturore, në mbështetjen e promovimit të artistëve nga të dy vendet, aktivitete të përbashkëta kulturore qoftë në Kosovë apo në Maltë, shkëmbim të përvojave dhe aspekte të tjera. Ministrat e kanë vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm në thëllimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve, duke shfaqur besimin se bashkëpunimi do të zgjerohet edhe në fusha të tjera.
Në takimin që Ministri Krasniqi kishte me ministrin Mario de Marco është biseduar për hapat konkret që duhet të ndërmerren pas nënshkrimit të marrëveshjes. Ministri Krasniqi ka shprehur gatishmërinë e plotë të MKRS-së që shumë shpejtë të ketë nisma të përbashkëta dhe kontakte të vazhdueshme mes dy ministrive. Ai e ka njoftuar ministrin maltez me të arriturat në fushën e kulturës në Kosovë dhe me promovimin që kanë pasur artistët kosovarë në evenimentet me të rëndësishme të kulturës në botë, siç është Festivali i Cannes, Berlinale, Montreux Jazz Festival, Bienalja e Venecias, etj.
Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se ministri Krasniqi po viziton Maltën me ftesë të homologut të tij maltez por edhe me ftesë nga European Film Academy, për të marrë pjesë për të dytën herë në European Film Awards.
Në takim, ministri Krasniqi tha po ashtu se Kosova ka artistë të rinj dhe shumë të talentuar dhe që kanë treguar shumë suksese me krijimtarinë e tyre, por edhe që kanë vullnetin të punojnë edhe më shumë.
Një nga aspektet tjera të diskutimit mes dy ministrave ka qenë edhe fusha e trashëgimisë kulturore. Ministri Krasniqi, duke theksuar faktin që Malta është nga vendet e para në listë për nga numri i monumenteve nën mbrojtje të UNESCO-s, tha se Kosova mund të përfitojë shumë nga Malta në përvojat për menaxhimin e fushës së trashëgimisë. Në këtë aspekt ai kërkoi nga ministri De Marco që Malta të ndihmojë Kosovën në këtë drejtim, duke shprehur gatishmërinë që sa më shpejtë të ketë hapa konkret të bashkëpunimit.
Ndërkaq Ministri për Turizëm, Kulturë dhe Mjedis i Maltës, Mario de Marco, duke shprehur kënaqësinë për nënshkrimin e Marrëveshjes për bashkëpunim kulturor, tregoi vullnetin e madh që të ketë hapa konkret në jetësimin e saj. Ai pranoi më shumë kënaqësi ftesën e ministrit Krasniqi të vizitojë Kosovën, për të parë nga afër zhvillimet në vend, por edhe për të shënuar hapat e ardhshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Gjatë qëndrimit në këtë vend, në kuadër të European Film Awards, Ministri Krasniqi ka zhvilluar një takim edhe me Ministren e Kulturës të Letonisë, Zaneta Jaunzeme-Grende, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e kulturës.