E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshje për kulturën Shqipëri-Mali i Zi

Kjo marrëveshje, ka si qëllim të institucionalizojë, zhvillojë dhe forcojë bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje, në lëmin e kulturës, arteve, sporteve dhe medias, duke forcuar bashkëpunimin ndërkufitar, binjakëzimin përmes veprimtarive  kulturore e sportive integruese, si dhe veprimtarive në funksion të ruajtjes dhe përcjelljes së vlerave të trashëgimisë kulturore ne vendet respektivë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri jonë i Kulturës, Ferdinand Xhaferri dhe homologu i tij i malazez, Branislav Miçunovi.

“ Është një kënaqësi për mua, që në pozicionin e ministrit shqiptar të kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve, të nënshkruaj me ju sot këtë marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Sportit dhe Mediave të Malit të zi që ju përfaqësoni, një marrëveshje e cila pa dyshim do të thellojë më tej raportet mjaft të mira midis dy shteteve dhe do t’i japë një nxitje konkrete zhvillimeve kulturore të dy vendeve”, theksoi Xheferi.

Ai shtoi se “Ne jetojmë në epokën e globalizimit kulturor, e në një situatë të tillë, praktika e dialogut ndërkulturor është një kusht i domosdoshëm për ruajtjen dhe forcimin e  identiteteve tanë të veçantë kulturore, si vlera unikale që pasurojnë kulturën europiane dhe atë njerëzore”.

Sipas tij, fokusi i këtij dialogu ndërkulturor qëndron në vullnetin për të mësuar rreth kulturave të tjera dhe “ne po përballemi me përgjegjësinë e të mësuarit nga njëri-tjetri me dinjitet, duke treguar një respekt të ndërsjelltë për ndryshimet dhe ngjashmëritë, dhe duke filluar të provojmë vetveten nga një diversitet perspektivash dhe pikëpamjesh. Kjo marrëveshje midis dy palëve, i shërben pikësëpari këtij qëllimi”.

“Shkëmbimet kulturore po aq sa edhe ato rinore dhe sportive, do të shërbejnë konkretisht si një mënyrë për shkëmbimin e aktivitetit botues, artistik, muzikor, sportiv, etj,  duke forcuar bizneset e tyre përkatëse. Si rezultat, shkëmbimi kulturor do të nxisë edhe energjinë krijuese dhe konkurrencën, idetë dhe inciativat, si ato institucionale aq edhe individuale”, vijoi ministri shqiptar i Kulturës.

Xhaferi tha se konkretizimi i kësaj marrëveshje bashkëpunimi do të shërbejë edhe si një shkëmbim përvoje në aspektin e menaxhimit të kulturës, si edhe të përmirsimit dhe rritjes së efikasitetit të vetë politikave kulturore. Por, nuk duhet nënvleftësuar këtu edhe përfitimi që mund të ketë edhe turizmi i dy vendeve tona nga ky projekt, si rezultat i rritjes së interesit dhe qarkullimit të informacionit kulturor.”

Ministri i Kulturës së Malit të Zi, Branislav Miçunovi, në fjalën e tij vlerësoi shumë marrëveshjen në fjalë, e cila forcon ndjeshëmn urat e komunikimit midis dy vendeve, të cilët vazhdojnë të kenë një marrëdhënie të shkëlqyer politike midis tyre. Ai gjithashtu vlerësoi vullnetin e qeverise shqiptare, vullnetin personal të ministrit Ferdinand Xhaferri duke u shprehur me admirim për të si një njeri shumë intelektual në krye të këtij institucioni, dhe shprehu optimizimin se ky projekt bashkepunimi do te jetë i sukseshëm.

Nisma për rinovimin dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë bashkëpunimi është marrë nga pala shqiptare, e cila, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, ka parashtruar kërkesën që kjo marrëveshje të nënshkruhet nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë dhe Ministrit të Kulturës, Sporteve dhe Medias të Republikës së Malit të Zi, me rastin e vizitës së këtij të sotme në Tiranë.

Marrëveshja u nënshkrua për periudhën  2009 – 2012. Kjo marrëveshje synon bashkëpunimin në fushën e artit, kryesisht në atë të muzikës, kulturës së shkruar, trashëgimisë kulturore si dhe bashkëpunimin në fushat e kinematografisë, sporteve dhe të informimit masiv. Marrëveshja në fjalë nuk përmban dispozita financiare dhe ka një kohëzgjatje prej katër vitesh.

                                                                                             

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›