E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëzia e madhështisë së patriotizmit të shtirë!

E ngjashme me një flluskë sapuni, ndeshja e Kombëtares sonë në Zvicër, veç humbjes që pësoi atje, na la edhe disa kusure të tjera aspak të këndshme. Në vend që të kishte një autokritikë publike për gjithë atë paraqitje të shëmtuar që bëmë, përkundrazi, ka përpjekje për ta harruar të keqen, duke i dhënë asaj një ngjyrë të rreme, rozë. Recitali spekulativ i shfaqjes në fjalë, që nisi me disa deklarata provokative që para ndeshjes, është duke vazhduar edhe këto ditë po me ata protagonistë që pasi nxitën më parë zjarrin e “patriotizmit”, tani po kujdesen që të shtojnë tymin dhe mjegullën për të fshehur edhe më shumë të vërtetat e asaj marrëzie patriotike të shtirë.
Sikur të mos kishte ndodhur asgjë nga gjithë ajo histeri që pushtoi tribunat e stadiumit të Lucernës, ku epiteti “tradhtar” ishte refreni më i pëlqyeshëm dhe inkurajues për turmat tërbuese ndaj vëllezërve të tyre, një drejtues i federatës së futbollit tonë, gjatë një emisioni televiziv të para ca ditëve, e quajti një shfaqje të vërtetë spektakolare mjedisin e atjeshëm, që sipas tij, u kthye në festë!!! Nuk e di, por që ta vlerësosh humbjen e pikëve dhe të arsyes si një skenë shfaqjeje - argëtimi, kur ajo u kthye gati në një vatër urrejtjeje dhe përbuzjeje për njëri-tjetrin, aq më tepër kur e gjithë kjo ndodhi mes vëllezërve të një gjaku, kjo nuk është gjë tjetër veçse një parodi e pështirë spekulative rreth një patriotizmi të shtirë, deri në marrëzi kolektive. Sidoqoftë, vjen një kohë dhe njeriu me mend në kokë dhe i ndershëm duhet ta kuptojë se më në fund ka një kufi ku duhet ndalur, për të parë pastaj rrugën e drejtë nga duhet ecur. Por jo, në vend që të kërkohet falje për gabimet, nga ata të pushtetshmit plëncë-fryrë që vetëm gllabërojnë dhe kujtojnë se do të jenë të tillë deri në përjetësi, vazhdojnë sulmet e pacipa deklarative, për ta çuar deri në fund marrëzinë e tyre “patriotike”! Duke e tjerrur keqas sofizmën mashtruese ndaj idesë së Kombit dhe emblemës shqiptare nëpër botë, protagonistët e kësaj “çështjeje” janë hedhur në sulm për të mbrojtur individin, (që medemek nuk pyeska për ca mijëra euro), në përpjekje për të fshehur fenomenin në masë të mit-marrjes, që në fakt e kanë provuat në kurrizin e tyre dhe deklaruar me kohë disa futbollistë. Vetë lojtari i Kombëtares, Kristi Vangjeli e pat bërë një gjë të tillë, megjithatë ndaj tij deri tani janë shmangur përgjigjet, ashtu siç nuk ka ende një përgjigje të saktë edhe për deklaratën e fundit-akuzuese të Granit Xhakës, njërit prej të anatemuarve nga federata! Histori të tilla, që flasin qartë për pazare të pista dhe që kanë të bëjnë me blerjen e një vendi në skuadër, nga ato të moshave deri në Kombëtaren e të rriturve, nuk i shërbejnë aspak zhdukjes së këtij fenomeni korruptiv në futbollin tonë, aq më tepër kur nga disa drejtues luhet roli i të paditurit.
Aventura në Zvicër ishte një tjetër flluskë sapuni pas euforisë boshe që na pushtoi mbrëmjen e fitores, gjithsesi jo bindëse-ndaj Qipros. Ndërkohë që jemi kthyer përsëri me këmbë në tokë, tek kampionati ynë, ku gjërat kanë plasur sheshit prej kohësh dhe dielli nuk mund të mbulohet me shoshë. Këtu nuk ke se si të manipulosh me patriotizmin e shtirë të drejtuesve të federatës dhe të njerëzve që u bëjnë fresk atyre. Të gjithë e pamë nëpërmjet ekraneve televizivë se ç’mjerim i kishte pushtuar stadiumet tona javën e kaluar, gjatë ndeshjeve të rikthyera të kampionatit, ku tribunat ishin plotësisht të zbrazura nga spektatorët dhe lojtarët në fushë endeshin si nëpër ato stërvitjet e rëndomta. Një panoramë e mirëfilltë surrealiste e futbollit tonë që kur nuk i shërben spektatorëve, atëherë përse i duhet këtij vendi!? Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë në të vërtetë, se sa ajo “merakosje” për fatin e një njeriu që nuk paska nevojë për ca mijëra euro dhe që kinse, padrejtësisht, po na e merrkan nëpër gojë si mit-marrës. Gjendja e vështirë dhe gati e pashpresë e futbollit tonë nis pikërisht këtu poshtë- tek kampionati, për të shkuar pastaj deri lart- tek Kombëtarja. Nuk mund të ndreqet ky futboll duke ja fshehur të vërtetat e shëmtuara me spekulime të llojit mediatik, siç po kërkojnë të bëjnë këto ditë disa, që një takim formal dhe pa ndonjë vlerë të veçantë të kësaj jave, për turin e parë eliminator të Kupës së Shqipërisë, gati po e etiketojnë si një ndeshje të shekullit. E për çfarë, për një takim rutinë: Tirana-Partizani, që ndërsa dikur bënte me të vërtetë jehonë si një “derby”, përkundrazi sot ngjanë tepër mjeran, nga që njëri prej kundërshtarëve, tashmë jetim e thuajse pa nam e nishan, i ka mbetur si trashëgimi vetëm emri i venitur!
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›