E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mundësitë e pakufizuara dhe vullneti politik

Aktorët kryesorë politikë në Shqipëri “kanë mundësi thuajse të pakufi zuara për të zhvilluar zgjedhje që përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare po ashtu, kanë kapacitetin për ta shkatërruar procesin në themel dhe për të zhbërë arritjet pozitive të procesit të reformës”. Ky përfundim kyç i raportit vjetor të delegacionit të OSBE-së në Shqipëri, përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, artikuloi për herë të parë në 22 vjet pluralizëm, atë të vërtetë që perifrazohej në raportet paszgjedhore, se “zgjedhjet ishin një hap përpara”. Përcjellja me indiferencë politike, apo edhe përpjekja për të përdorur fragmente të raportit, si etiketa negative për palën kundërshtare, janë shenjë se asnjëra nga dy partitë e mëdha, të portretizuara deri në detaj në këtë raport, nuk ishin të kënaqura nga të vërtetat e shkruara e zezë mbi të bardhë. Dhe kjo është një dëshmi më shumë e mundësive të pakufizuara të PD-PS, edhe për të injoruar atë çfarë nuk u pëlqen, pavarësisht se nga vjen.

Kur flitet për mundësi të pakufizuara (nënkupto: liri veprimi), natyrisht që evidentimi si përparim i kthimit të PS në Kuvend, marrëveshjet pasuese PD-PS për rishikimin e reformës zgjedhore e të rregullores së kuvendit, zgjedhja e avokatit të popullit, apo miratimi i ligjeve që kërkonin një shumicë të cilësuar votash ngjan pak surreal. Pra përgëzohen aktorët politikë, se arritën të përmbushin, as më shumë e as më pak, por thjesht detyrën që u jep mandati që kanë marrë nga qytetarët, por edhe ligji për të mirëqeverisur, ashtu si në çdo vend tjetër. Pas këtij gjesti kaq “heroik” të aktorëve politikë, sipas raportit qëndronte “dëshira e fortë kombëtare për integrim të vazhdueshëm europian, e cila “ndihmoi në zbutjen e interesave partiake”. Një sondazh i para një viti i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, tregoi një rënie të konsiderueshme të dëshirës për integrim. Vetëm 80.7 % e shqiptarëve ishin në vitin 2011 në favor të integrimit europian të Shqipërisë; 10,5 % ishin kundër, ndërsa 8,8 % të pavendosur midis optimistëve dhe pesimistëve, se integrimi do përmirësonte jetën e tyre. Kriza e stërzgjatur politike, apo periudhat “ndal dhe ec”, natyrisht që kanë përgjegjësinë e tyre direkte në këtë rënie të preferencës së dikurshme prej 94 % të shqiptarëve pro integrimit, me të cilën mburren ende sot e kësaj dite aktorët politikë në Shqipëri.

Ashtu si për reformat që përshëndet OSBE, edhe heqja e imunitetit, ishte një tjetër mundësi e pakufizuar, që u përmbush pas një lufte të paqartë e jo transparente “tërhiq e lësho”, nën moton e shumicës së ishte një prej 12 rekomandimeve të monitoruara nga Brukseli, përkundër zërit të vetëm por zyrtar të aleatit të shumicës, ministrit të jashtëm Panariti, menjëherë pas kthimit nga Brukseli, se heqja e imunitetit, nuk është kusht i BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Vullneti politik: Mundësi apo dëshirë?
Në shkencat politike, vullneti politik përkufizohet si angazhimi dhe aftësia për të vepruar në çuarjen përpara të procesit të demokratizimit. Sigurisht angazhimi dhe aftësia janë dy dimensione të ndryshme, pasi angazhimi përcaktohet nga preferencat e aktorëve kryesorë politikë në drejtim të demokratizimit e në krahasim me preferencat e tyre për qëllime të tjera. Këto preferenca mund të ndikohet nga besimet, dëshirat, por edhe interesat e tyre.
Aftësia është e përcaktuar nga kufizimet, me të cilat përballen secili prej këtyre aktorëve dhe aftësitë e tyre për të vepruar si individualisht, ashtu edhe kolektivisht, në raport me kostot politike që mund të shfaqen, në kufizimet me të cilat përballen aktorë të ndryshëm. Por të dy dimensionet janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe të rëndësishme në vitin elektoral ku kemi hyrë, e ku me avancimin e mëtejshëm drejt BE (në nëntor mund të marrim statusin e vendit kandidat ose të kandidatit të kushtëzuar edhe nga zgjedhjet e ardhshme), realizimi i zgjedhjeve të lira e të drejta do kërkojë sipas OSBE “që të gjitha palët politike të lënë mënjanë interesat vetjake partiake dhe të shfaqin vullnet politik”.

Meqë me hapësirat e pakufizuara, mbetet veç vullneti politik, mund të vërejmë se:
- Me një vullnet politik, të dy partitë e mëdha do kishin reaguar zyrtarisht, duke pranuar vërejtjet e raportit të OSBE (apo edhe duke i hedhur poshtë), e duke u angazhuar bashkarisht në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që imponon procesi integrues i vendit. Pra munden!
- Vullnet politik është edhe heshtja e përbashkët PD – PS, për tejkalimin në Kuvendin e Shqipërisë, të afateve që përcakton Kodi zgjedhor zgjedhjen fillimisht të anëtarëve, e më pas të kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndryshimet në legjislacionin zgjedhor u miratuan më 19 korrik; Kodi i ri Zgjedhor u dekretua nga Presidenti më 16 gusht dhe hyri në fuqi më 1 shtator, pavarësisht se ende nuk gjendet ne fletoren zyrtare online. Arsyeja e heshtjes së kombinuar, duket se lidhet me negociatat jotransparente që po bëhen larg syve të publikut për të gjetur një kandidat të bashkëpranuar për postin e kryetarit. Pra duan!

- Vullnet politik është edhe kërkesa e OSBE për zbatimin e plotë, e me përpikëri të Kodit Zgjedhor, në mënyrë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të mund të përgatitet në mënyrë efikase për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Pra munden dhe duan!
Kombinimi perfekt i hapësirave të pakufizuara me vullnetin politik është modeli i zgjedhjeve që janë mbajtur ndër vite në Shqipëri, si shprehja më e qartë e dakordësisë politike për maksimizim rezultatesh elektorale, në kurriz të standardeve e të qytetarëve. U takon këtyre të fundit të vendosin tashmë nëse u intereson e keqja më e vogël, apo më e mira për të ardhmen e tyre. Natyrisht, ata munden!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›