Marshi nis në orën 14:00, Policia: Rrugët që do të bllokohen

PRISHTINË, 12 shtator/ATSH/ Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të sigurisë për Marshin solidarizues paqësor, i cili do të mbahet sot, më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshet kryesore “Zahir Pajaziti”, “Nëna Terezë” dhe “Skënderbeu”.
Policia ka bërë të ditur se masat janë ndërmarrë me qëllim të garantimit të sigurisë së pjesëmarrësve në marsh, qytetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, si dhe për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe mbarëvajtjen e aktivitetit para, gjatë dhe deri në përfundim të marshit.
Sipas Policisë, në përputhje me Ligjin për Tubimet Publike, qytetarët kanë të drejtë të shprehen lirshëm përmes tubimeve dhe marshimeve të qeta, ndërsa zyrtarët policorë do të angazhohen për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët dhe për të siguruar që marshi të zhvillohet qetë dhe pa incidente.
Për shkak të zhvillimit të marshit dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, do të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktiviteti. Për këtë arsye, Policia ka paraparë angazhimin e njësive patrulluese të trafikut, në rast nevoje për riorientimin e qarkullimit në rrugë alternative.
Sipas planifikimeve policore, rrugët që do të bllokohen për qarkullim në kryeqytet janë “Agim Ramadani”, “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymberi”. Megjithatë, varësisht nga nevoja operative, mund të ketë edhe rrugë të tjera në të cilat qarkullimi mund të ndërpritet përkohësisht.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që aktiviteti të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt.
Policia ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritet i Policisë së Kosovës. Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
/Kosovapress/