E Hënë, 2 Nëntor 2026

Marta Kos shkon në Novi-Sad, thotë se tragjedia e nëntorit në stacionin hekurudhor mund të ishte shmangur

Komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, u shpreh të mërkurën se tragjedia e nëntorit të shkuar në Novi-Sad të Serbisë, ku humbën jetën 16 persona si pasojë e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor të qytetit, mund të ishte shmangur.

Deklaratën, znj. Kos e dha gjatë një vizite që zhvilloi në Novi-Sad në nder të viktimave të tragjedisë, mes të cilëve edhe dy fëmijë.

“Erdha në Novi-Sad për të nderuar 16 jetët që humbën në një tragjedi, e cila mund të ishte shmangur,” u shpreh komisionjerja e Zgjerimit në një postim në rrjetin social “X”.

Aksidenti, për të cilin publiku fajëson se erdhi si pasojë e korrupsionit, ka shkaktuar një valë protestash në Serbi, të drejtuara nga studentët, që çuan në dorëheqjen e ish-kryeministrit Millosh Vuçeviq dhe në rrëzimin e qeverisë së tij.

Në mënyrë të përsëritur, protestuesit kanë dënuar edhe atë që e cilësojnë heshtje të BE-së ndaj trazirave në vend, duke e interpretuar si mbështetje ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ndërkaq, në fillim të muajit, znj. Kos u shpreh se reformat, që BE-ja priste të realizoheshin nga Serbia, ishin pothuajse të njëjtat me ato që kërkoheshin nga mijëra protestuesit që kanë dalë nëpër rrugët e vendit gjatë muajve të fundit.

“Serbia duhet të rikthehet në rrugën europiane,” u shpreh ajo. Të njëjtën thirrje e përsëriti edhe të martën pas një takimi me kryeministrin e ri serb, Gjuro Macut.

“Serbia ka kaq shumë për të kontribuar në BE,” u shpreh ajo para se t’i kërkonte Beogradit të punonte për reformat që mundësojnë anëtarësimin në BE.

“Punoni me ne për një gjyqësor të pavarur, që duhet të jetë i aftë që të luftojë korrupsionin në mënyrë efektive dhe një kuadër zgjedhor që garanton se vullneti i popullit serb dëgjohet dhe respektohet,” theksoi komisionerja europiane, e cila gjatë qëndrimit në Serbi u takua edhe me presidentin Vuçiq, si dhe me përfaqësuesit e opozitës parlamentare.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›