Basha për garën e 11 Majit: Sfidoj Ramën, Berishën dhe Metën si zëri ndryshe i politikës

Zgjedhjet e 11 majit zhvillohen në një terren politik të fragmentuar, ku skena tradicionale është ndarë në disa kampe.
Lulzim Basha, ish-kreu i Partisë Demokratike, rikthehet në garë si drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, duke e pozicionuar veten si një alternativë ndaj sistemit të vjetër politik. Ai e sheh veten në opozitë jo vetëm ndaj qeverisë së Edi Ramës, por edhe ndaj opozitës tradicionale të drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.
“Propozimi se një qeveri e korruptuar deri në palcë mund të luftohet me Ilir Metën, me Elvis Roshin dhe me të tjerë përfaqësues të korruptuar të Edi Ramës, që tani papritur e shohin veten në listat e Sali Berishës, është një propozim i falimentuar që në nisje,” tha z. Basha për RTSH.
Në takime me qytetarë në njësitë 3 dhe 8 në Tiranë, z. Basha prezantoi programin e tij politik, duke akuzuar dy partitë e mëdha për kopjim të elementeve të tij programore.
“Programi ynë fillimisht u sulmua, pastaj, siç e shikojmë, pjesë të tij u kopjuan nga të dyja forcat, qoftë nga PS-ja në qeverisje e Edi Ramës, qoftë nga z. Berisha dhe grupi i tij,” shtoi drejtuesi i Demokratëve Euroatlantikë.
Në qendër të platformës së tij qëndron integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, të cilin z. Basha thotë se e mbështet mbi dy shtylla themelore, që ka edhe mbështetje ndërkombëtare.
“…lufta kundër korrupsionit. Problemi i dytë është problemi i pronave. Për të dyja këto, Koalicioni Euroatlantik ka program, propozime të qarta dhe plotësisht të realizueshme, të audituara dhe të përkrahura nga aleatët tanë europianë,” tregoi z. Basha.
Ai komentoi edhe kontratën e lobimit të PD-së në Shtetet e Bashkuara për çështjen “non grata”, duke e konsideruar si dëshmi të interesave personale të Berishës.
“Për fat të keq, vendosja e interesit personal mbi interesat e demokratëve tregon që janë humbur katër vite të çmuara dhe tani… 6 milionë dollarë për një vizë?! Pa diskutim flet vetë, nuk ka nevojë për komentin tim,” u shpreh z. Basha.
Edhe pse nuk dha shifra për pritshmëritë në zgjedhje, z. Basha u shpreh i vendosur të mos tërhiqet nga politika.
“Ne në këtë betejë jemi për qytetarët dhe pa diskutim që janë qytetarët ata që do të vendosin si duan t’ju shërbejnë interesat dhe kush do t’i përfaqësojë në Kuvendin e ardhshëm,” tha ai.
Lulzim Basha kërkon të rikthehet në skenën politike si alternativë e re në një garë të dominuar nga emra të vjetër.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/