E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Martesa" e Hilës në Pompidou

"Martesa", tablo e Edi Hilës, pjesë e koleksionit të pikturës bashkëkohore të Qendrës Pompidou në Paris, do të prezantohet dhe do të diskutohet në këtë qendër më 16 nëntor. Lajmin e bën të ditur Galeria "Zeta" në Tiranë, ku Hila ka ekspozuar disa herë.


Në kuadrin e aktivitetit "Festivali i Qendrës Pompidou", i cili mbahet më 21 tetor deri më 23 nëntor 2009, një grup kritikësh, kuratorësh dhe profesionistësh nga bota e artit bashkëkohor janë ftuar të zgjedhin çdo ditë nga një vepër piktorike artisti nga koleksioni i Qendrës Pompidou, që ata e konsiderojnë me rëndësi emblematike nga piktura e kohës. Më 16 nëntor, kuratorja, Christine Macel, prezanton për diskutim pikturën "Martesa" të artistit Edi Hila që jeton dhe krijon në Tiranë.


Kjo vepër është blerë nga Qendra Pompidou, muzeu më i madh i artit bashkëkohor të Parisit, në vjeshtën e vitit të kaluar. Edi Hila është i vetmi piktor shqiptar i pranishëm në koleksionin e njërit prej muzeve më të rëndësishëm në botë për artin bashkëkohor.


Jackson, Tarantino, Xhuvani në Millennium


Në Kinemanë Millenium janë dy javë interesante në vazhdim për llojin e kinemasë dhe të personazheve të saj.


Po vazhdon të shfaqet dokumentari "This is it", një shikim i shpejtë në ditët e fundit të Michael Jackson, një dokumentar i nxjerrë nga rreth 100 orë xhirime gjatë provave për turneun e ri që duhet të fillonte në "Arena '02" të Londrës, në korrik të vitit 2009, përpara se ai të vdiste në qershor, në moshën 50-vjeçare.


Ndërsa nga fundi i javës fillon të shfaqet filmi "Inglurious Basterds" e regjisorit të famshëm amerikan Quentin Tarantino. Dhe më 4 nëntor në mbrëmje vjen premierë në Tiranë, pas premierës në Prishtinë në Festivalin e Filmit, "Lindje, Perëndim, Lindje" të regjisorit Gjergj Xhuvani.


Është historia e vështirësive të pesë çiklistëve shqiptarë me në krye trajnerin e tyre, Ilo Zoto, të dërguar për një tur në Francë, por pikërisht në atë kohë regjimi i Hoxhës në Shqipëri fillon të bjerë dhe sportistët harrohen nga shteti në mes të katër rrugëve. Ata marrin rrugën e kthimit në atdhe me biçikletat e tyre të ndryshkura. Interpretojnë Ndriçim Xhepa, Helidon Fino, Gentjan Hazizi, Fatjon Pustina, Ervin Bejleri, Lulzim Zeqja etj.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›