E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëngjin, zjarri shkrumbon dy komplekse turistike

Flakët kanë nisur në orët e vona të mbrëmjes dhe kanë vazhduar gjatë gjithë natës duke djegur gjithçka


SHËNGJIN- Asnjë ndryshim me një vend të bombarduar ashpër, nuk kishte dje në mëngjes një nga komplekset më të mëdha turistike në Shëngjin të Lezhës, teksa është përfshirë nga një zjarr i fuqishëm i rënë në orët e vona të natës ndërmjet të premtes dhe të shtunës.


Vetëm dje në orët e para të mëngjesit janë parë nga afër dëmet e mëdha, dhoma të shkrumbuara, holle, mjedise të tëra shërbimesh, pajisje e orendi moderne dhe gjithçka përbënte arredimin e këtij kompleksi, tashmë të kthyera në hi e shkrumb të zi.
Njëri prej pronarëve të këtij kompleksi, thotë se "mu dogj djersa dhe mundi i gjithë jetës, një mund i derdhur me gjithë familjen time,dhe se vlera e dëmit e kalon shifrën e 2 milionë euro"...


Sipas dëshmitarëve okularë, dy komplekset turistike, që gjenden afër njëri tjetrit, tej repartit ushtarak për nga Rana e Hedhun, u gjendën nën flakë rreth orës 21.10, kur dhe mendohet të jetë dhënë shkëndija e parë e fillesës së këtij shkrumbimi.


Në pak minuta, zjarri ka përparuar në mënyrë të furishme për të shkrumbuar gjithçka aty,pa i dhënë mundësi shërbimit zjarrfikës që të ishte efektiv edhe ka mundur të shkojë aty në pak minuta por pa pasur mundësi për të marrë nën kontroll flakët për një kohë të gjatë, pasi erërat e forta e kanë stimuluar përhapjen e tij në tërë mjediset e hotelit, për të kthyer në hi gjithçka.


Dy komplekset turistike të shkrumbuara dje në Shëngjin janë nga më të mëdhatë e kësaj zone turistike, në pronësi të shtetasve Anxhelin Fusha e Pashk Curri dhe përbëheshin nga dy kulla të njohura me emrin "Keo" që shërbenin si hotele,si dhe mjedise të tjera kreative.


Sipas drejtuesve të shërbimit zjarrfikës, ato u angazhuan me forca të shumta, qoftë nga shërbimi i Lezhës por dhe i Tiranës për t'i vënë fre zjarrit por ka qenë e pamundur, ndërsa kanë punuar gjithë natës dhe vetëm në orët e para të mëngjesit mundën të shuajnë flakët.


Problemi më i madh për specialistët zjarrfikës ishin dy bombola të mëdha gazi një mijë litërshe që gjendeshin tek njëra prej kullave, dhe që rrezikohej shpërthimi nga çasti në çast. Por ata kanë mundur të izolojnë zjarrin pas më se katër orë punë, duke mos lejuar që zjarri të arrinte dhe cisternat e gazit që do kishin sjellë probleme të mëdha jo vetëm aty por dhe për zonën.


Pashk Curri: M'u dogj gjithçka që kisha

Pronari i kompleksit "Curri", ka rrëfyer se lajmin për rënien e zjarrit e mora nga rojet që ishin aty. "Zjarri më parë ka rënë tek kompleksi i parë, ndaj lajmërova menjëherë pronarin Fusha se ka rënë zjarr tek hoteli,dhe më pastaj zjarrfikëset si dhe policinë, por zjarri përparoi shpejt duke ardhur tek kompleksi që disponoj. Edhe pse shërbimi zjarrfikës u gjend shpejt tek hotelet që ishin përfshirë nga flakët ka qenë e pamundur të shuhet",- tha Pashk Curri.


I pyetur për shkaqet që mund të kenë çuar në këtë rënie zjarri të fuqishëm, Curri është shprehur se dhe nga pyetjet që ka bërë tek banorët dhe rojet, përgjatë ditës së djeshme ka pasur mbi 18 herë lëkundje tensioni, kontakte telash në përcjellësit e tensionit të lartë, dhe se beson se shkëndija elektrike është shkaku i kësaj gjëme.


Ai thotë se në pak orë pashë të më fshihej gjithë pasuria e vënë prej vitesh me familjen time, por së paku nuk pati viktima, dhe se aty net të tjera flinin dhe katër djemtë e tij, por që për fat mbrëmë nuk ishin,ndërsa në këtë stinë këtu nuk ka pushues,duke e quajtur fat këtë gjë pasi në rast të kundërt dëmtimet në njerëz do kishin qenë të paimagjinueshme.


Shërbimi zjarrfikës, shkaku aksidental

Drejtuesi i shërbimit zjarrfikës të Lezhës, Zef Frani, tha se me të marrë njoftimin e këtij zjarri të fuqishëm gjithë shërbimi ynë zjarrfikës ka qenë tek vend i ngjarjes i mbështetur dhe nga zjarrfikëse të tjera të rajonit dhe nga Tirana si dhe forca policore të Lezhës, por ishte e pamundur të vihej zjarri nën kontroll për faktin se edhe pse kaluam nëpër një rrugë shumë të vështirë, në momentin e shkuarjes atje, flakët kishin përparuar shumë dhe se ishte e pamundur ndërhyrja e afërt, ndërkaq që na vështirësonin dhe dy cisternat e gazit, pikërisht aty fokusuam punën që ato të mos përfshihen nga flakët, ndërsa erërat e fuqishme ishin pengesa tjetër e madhe.


I pyetur në lidhje me shkakun, Frani tha se po bëhet ekspertiza për të dalë në një konkluzion të saktë,ndërsa dyshimet janë për një shkëndijë elektrike.
Gjithsesi policia po heton dhe pistën tjetër, të vënies së ndonjë zjarri të qëllimshëm. Fillimisht policia ka marrë në pyetje tre rojet e këtij kompleksi, dhe dëshmitarë të tjerë që i kanë vënë re flakët që në momentet e para.


Ndërkohë që pritet të parandalohen gjithë dëmet e shkaktuara në një prej komplekseve që mbahej dhe si krenaria turistike e Shëngjinit, mundësuar nga një investim privat serioz.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›