E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martir pa dashje

Nga Dorina Kuqo*

clip_image001Pa dashur ti hyj citimit fjalë për fjalë të konceptit Martir pa dashje, e ilustruar fort mirë nga Niçe tek vepra ose më mirë të themi tek një libër për shpirtra të lirë: Njerëzore tepër njerëzore, e cila është shumë e vërtetë aq sa e gjen dendur dhe në realitetin tonë. Martir pa dashje do të thotë se e kuptojnë shumë mirë se ku rreh çekiçi, por bashkohemi me më të fortin, më atë që bën ligjin, moralin, më konkretisht më atë që zë një vend të rëndësishëm në shoqëri, i cili e ka për zakon të rrotullojë karrigen ku ta zëri syri. Nuk është ndonjë gjë e veçantë të thuash se jeton në një sistem demokratik, por automatizohesh shumë shpejt me të. Në pamje të parë kjo të ngjan me fundin e një leksioni në kohën e diktaturës ku përfundimi dilte se gjërat nuk ishin ashtu siç shkruheshin, por sot ndryshe shkruhet e ndryshe bëhet se supozohet se ligjet janë të mira (duke mos folur për ligjet se trashet problemi). Emri i demokracisë nuk ka nevojë vetëm që të shprehet, ne duam që ta shikojmë këtë demokraci në ndërtim e sipër. Ky nuk është vetëm mendim i imi por edhe i shumë të tjerëve që e dinë dhe e kuptojnë shumë mirë sesi funksionon ky vend dhe sa mbahen premtimet që na bëjnë, pa qenë nevoja të na shpikin ndonjë nomenklaturë me teori dhe fjalë siç ju ka hije shqiptarëve. Shumë shpejt alternativat na zhduken fill para syve tanë, fillojnë të na listojnë, në të pasur dhe të varfër, të bukur apo të shëmtuar, të mirë apo të keq, etj.
Shpesh herë të venë përpara zgjedhjesh të vështira si: Mos shko pas asaj ideje apo mendimi se e pëson, ose kur të maten si supermena: E dini ju se kush jam unë?, domethënë që të përtypim lehtë çdo gjë duhet të radhitesh gatitu si ushtarët e Duçes. Sa e sa herë me radhë qytetarët janë renditur sipas dëshirës së të mëdhenjve apo hierarkisë së pashallarëve. Një hierarki me pashallarë që funksionon sipas klanit apo simpative personale dinë ta luajë mirë dhe shokun Zylo në kufi të legjendës, por edhe punën e Zylos nuk dinë ta bëjnë mirë thjesht ndihmohen ca persona që me ca fjalë të mençme mundohen të bëjnë vepra të mëdha. Puna ka vajtur aty sa që pothuajse në shumicën e rasteve nuk di se ku të drejtohesh për një problem të caktuar, sepse shumë Zylo Kambera janë të lidhur zinxhir me njëri-tjetrin dhe sa më shumë të mbulohen aq më shumë ju dalin sheshit të zezat. Pra, institucioni është i barabartë me atë që e drejton tha një ditë me të drejtë zysha jonë e filozofisë. Por a mund të jemi vallë të barabartë mes të privilegjuarave?
Ku sot të kërkosh punë të ndjek me vete motoja: Me lek dhe me mik fillon punë, mundësisht të jesh edhe me një parti rigoroze që ndodh pothuajse në shumicën e rasteve, dhe kush triumfon duhet ta kthesh pllakën nga e kuqja në blu apo nga e bardha në të gjelbër e kështu me radhë. Si një i shkretë që të mos ja mbyllnin dyqanin ndërronte posterat vazhdimisht kur janë zgjedhjet e famshme, ku qielli puth tokën që të marri votën. Dhe ju shkon shumë ideologëve të brohoriturat e kohës së xhaxhit Me sheqer e me hurma lum partia që ju ka. Sot ju ka sepse janë shtuar si shumë kohët e fundit, të cilët i gjen të ngjyrave të ndryshme. Mendoj se të thënit kush ka pushtet le ta përdori shkon shumë me të thënit kush ka pushtet të përdor, dhe nëse dikush do të thoshte se dale prit se nuk janë të gjithë veglat e atyre që zotërojnë pushtetin, sepse ekzistojnë persona që pa apo me pakëz pushtet ja dalin mbijetojnë, studiojnë, ushtrojnë një profesion, etj., aq sa munden të ushtrojnë një liri të pajtueshme me përgjegjësinë. Kjo mund të na ngushëllojë disi, dhe unë kam njohur të tillë. Mirëpo të qëndruarit indiferent ndaj këtyre gjërave nuk do të thotë se në një mënyrë apo në një tjetër nuk na përdorin (p.sh. Vota ime pa emër nuk dihet se kujt i vete), por mos e marrim gjithmonë përdor në kuptimin e keq të fjalës. E megjithatë priremi të themi që ekzistojnë ca gjëra në këtë realitetin tonë sa që dy mundësi ke si zgjedhje ose të heshtësh ose të pajtohesh me padrejtësinë. Në të dyja rastet prish punë dhe këtu jemi larg shprehjes sartriane që të jesh i lirë do të thotë të mbash përgjegjësi, jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Dhe do të preferoja më mirë të hesht duke i prish punë vetes, sesa të flas duke ju prishur punë të tjerëve. Edhe për sa kohë do të bëhemi martir pa dashje?
Duke mos e konsideruar çështjen në fjalë si specie në zhdukje, por gjithashtu duke mos përfunduar drejt një fatalizmi determinal do të thoja se është shumë e rëndësishme ta minimizojmë këtë lloj gjendje, duke qenë pak më mirë se në kohën e prindërve tanë gjenden mënyra me të cilat mund ta luftojmë, për aq sa të gjendemi përballë një demokracie që vazhdimisht synon të sfidohet sa vjen dhe më pak ideale për njerëzit (gjithmonë do të ngelet vend për ideal). Megjithatë duhen përmirësuar shumë gjëra që për faqe të zezë të mos na thonë për shembull ne studentëve se jeni mirë se po ju integrojmë, të mos shikojmë aq shumë të diplomuar e të gjitha profileve pa punë në gjithë cepet e Tiranës e kudo. Shumë janë marrë nëpër këmbë të drejtat e qytetarëve gjoja të lirë dhe të barabartë. Dendur sot duhet të zezën ta kthesh në të bardhë apo e kundërta, se për këtë pluralitet me ngjyra duhet të rrish gjithmonë urtë, tiu bindesh në çfarëdo rrethane, të mbyllësh veshët nga padrejtësitë, nga korrupsioni që më e keqja fillon që nga bangat e shkollës aty ku të gjithë mësojmë se çështë liria apo drejtësia. Nuk ta heq njeri të drejtën thotë një zë se je në demokraci, dhe më e bukura është se ata që të thonë kështu janë ata që janë mohuar shumë më të drejta sesa të tjerët, dhe duan të ta mbushin mendjen me fjalë, ndërkohë që praktikisht nuk gjen ditë që fjalët të përputhen me realitetin në shumicën e rasteve duke qenë bashkëvuajtësit e këtij mediokriteti cinik e servil me dashje dhe guxim.A mund të flasim për liri e demokraci?
Ku sot nderi që nuk quhet nder shpërblehet me para, ku miku bën të vetën, partitë të vetën, e pra, gjithë veç e veç për punët e tyre, ndërkohë që duhet të jemi të gjithë të barabartë për punët e të gjithëve. Prandaj, gjithmonë e më shumë ne kemi përballë vetes mendime vërtetë kritike. Nuk ka sesi të mos na bëjnë përshtypje ca gjëra të cilat janë tejet të poshtra dhe të vjen shumë keq kur me zor mundohesh të mbledhësh buzët nga veprimet e maskarenjve të pangopur. Nuk është shumë e vështirë të dallosh dredhitë dhe të gjykosh se kush është përgjegjës i vërtetë, sepse sigurisht që nuk na mungojnë filozofë, juristë, lidera të vërtetë apo studiues të mirëfilltë, që realisht ja vlen të lexosh studimet e tyre, për më tepër mund të mësosh shumë nga gjithsecili.

Të mëdhenjtë bëjnë zarare dhe të vegjëlit e paguajnë, thotë Sartri, janë ata që me një fjalë të vetme kërkojnë të ndryshojnë gjithçka që kanë në dorë. Prandaj, çdo ditë dhe më shumë kemi nevojë për njerëz të përgjegjeshmën, për njerëz korrektë që dinë ti përgjigjen punës së tyre, për profesionistë që rrallë i gjen, për njerëz që kanë vlera dhe që kanë shumë për të bërë në këtë vend. Kemi vërtet nevojë për njerëz të aftë e të zotë që të mos ngelen vetëm tek fakti i të qënit i suksesshëm për hiçgjë.
Prandaj a nuk ka ardhur koha që këta njerëzit e mëdhenj ta njohin shumë mirë veten e tyre, të mos pengojnë punën e të tjerëve, dhe të marrin me ndershmëri atë vend që ju takonSi thotë dhe Izajah Berlin: Të jesh i lirë do të thotë të bindesh, por ama të bindesh ndaj ligjeve që i ke caktuar vetes.

*Studente e Filozofisë në UT

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›