Rama: Si Interi njohu zyrtarisht Inter Club Albania
Themeluesi i Inter Club Albania tregon për grupin e tifozëve interistë në Shqipëri
Çdo të diel në gazetën Tirana Observer, do të gjeni rubrikën Tifozi shqiptar, që do tu dedikohet tifozëve që kanë ngritur fan clube për ekipet e tyre të zemrës, ku ata janë shumë të përfaqësuar në rrjetin social Facebook. Sot në rubrikën tonë flet administratori dhe një nga themeluesit e grupimit Inter Club Albania, Juxhin Rama. Në një intervistë për gazetën Tirana Observer, tregon për fillimet e grupimeve të tifozerisë interiste në Shqipëri dhe njohjen e saj zyrtarisht nga F.C. Internazionale. Në intervistën e tij, Juxhin Rama tregon momentet më të bukura të organizuara nga Inter Club Albania, me tifozët internist si dhe udhëtimet e bëra në Itali për të ndjekur në stadium ndeshjet e Interit.
Ju jeni themelues i grupimit të tifozëve Inter Club Albania në Facebook, pse e krijuat këtë faqe dhe si iu lindi ky pasion për këtë ekip?
Se si lindi pasioni për ekipin, nuk di të ta them sepse nuk ka pasur një pike fillimi, thjesht ka ndodhur. Është e ekzagjeruar të thuash Interist lind, por fraza perfekte do të ishte kam lindur për tu bërë një i tillë. Arsyeja pse e kam krijuar faqen në fillim ka qenë thjesht si diçka ku mund të tregoja dhe të shprehja pasionin tim. Më pas gjërat kanë evoluar, postimet filluan të pëlqeheshin, faqja vetëm rritej dhe derisa arritëm me stadin që jemi tani, njihemi zyrtarisht nga F.C. Internazionale.
Sa kohë keni që e keni krijuar këtë grupim?
Inter Club Albania ka lindur në datën 9 nëntor 2011. Gjithçka nisi nga faqja në Facebook, më pas mbledhjet e shumta mes miqve interistë, komunikimet me Interin, nënshkrimi i dokumentave, takimi me drejtuesit dhe deri tek hapi i fundit, njohja përfundimtare nga klubi.
Më tregoni diçka për mënyrën e si funksionon, sa anëtarë që jeni, si veproni?
Ne jemi një grupim që funksionon në mënyrë perfekte dhe kjo falë Interit që na ka thjeshtëzuar të gjitha gjërat në maksimum, si dhe prej avantazheve që ata na japin. Një anëtar, pasi anëtarësohet përfiton teserën e cila e bën një tifoz zyrtar të Interit, e me të cilën ka një sërë avantazhesh si: Ulje tek biletat e stadiumit, mundësinë e gjetjes se biletave për ndeshjet më të rëndësishme, 20% ulje tek dyqani i Interit në Milano, dhurata të ndryshme nga Interi si çanta shpine, peshqirë, shalla, etj, mundësinë të udhëtojë me Inter Club Albanian drejt Milanos ne organizimet që ne bëjmë disa herë në sezon si dhe mundësinë që të shikojmë në Tirane çdo ndeshje. Të gjitha këto faktorë bëjnë që grupimi jonë të funksionojë në mënyrë perfekte, si në grumbullimet në Tirane ashtu edhe në organizimet drejt Milanos. Sezonin që kaloi numëronim 343 të anëtarësuar, numër që do të rritet akoma më shumë këtë sezon që vjen.
Mbrëmja e ndeshjes më e veçantë që ju keni krijuar?
Dua të kujtoj dy momente që do të më mbeten gjithmonë në mendje mua dhe anëtarëve të Grupimit tonë për sa i përket mbrëmjeve të ndeshjeve në Tirane. Organizimi më i bukur ka qenë në 22 Maj 2010 kur fituam Championsin. Organizimi më perfekt nga ana teknike dhe organizative ka qenë këtë sezon në ndeshjen Juventus-Inter 1-3.
Sa herë keni udhëtuar në San Siro? Si iu kanë pritur tifozët italianë? Ndonjë detaj që iu ka lënë përshtypje?
Si grup kemi udhëtuar dy herë, në 2012 në ndeshjen Inter-Siena 2-1, dhe këtë sezon që lamë pas në derbin Inter-Milan 1-1. Udhëtimi i parë ka qenë më i bukuri sepse e kishim për herë të pare diçka të tillë, dhe në San Siro hapëm një flamur gjigand shqiptar me përmasa 10 m x 10m për 100 vjetorin e Shqipërisë, e për këtë gjë kishim marrë leje të posaçme nga Interi. Sëbashku me flamurin shpalosëm një banderolë gjigande në italisht qe shkruante: Zemra e ultrasve interist rreh edhe në Shqipëri. Italianët në rastin e parë janë treguar jashtëzakonisht shumë të dashur e të sjellshëm me ne. Po ju flas për një rast, ndeshja Inter-Siena, ne ishim 35 veta, shumica ishin të hutuar, normale hera e parë në San Siro. Këndonim vetëm Inter, Inter nga qejfi, por edhe se shumë nuk i dinin këngët e Ultrasve të Curva Nord. Pasi kapo ultrasi i Curva Nord e vuri re këtë gjë, dërgoi tek ne 3 djem dhe një vajzë që të na mësonin koret e të këndonin bashkë me ne. Në fundin e ndeshjes Kapo Ultrasi erdhi dhe na përqafoi e na përshëndeti me fjalët Keni qenë të mëdhenj sot. Emocion i paparë.
Për tu bërë pjesë e këtij grupimi çduhet bërë?
Anëtarësimi është një procedurë shumë e thjeshte. Mjafton të plotësohet një formular që na e ka dërguar Interi, dhe të bëhet pagesa prej 24 eurosh, e cila shkon në Milano për të përfituar Kartën e anëtarësimit, e dhuratat që dërgon Interi. Anëtarësimet për sezonin e ri hapen vetëm pas pak ditësh më 15 Qershor.
Si është një mbrëmje normale kur ju të gjithë mblidheni për të parë një ndeshje?
Mbrëmja normale është të gjithë me bluzën e Interit, 30 minuta përpara lokali mbushet plot, këndojmë deri sa fillon ndeshja, e më pas lë të filloj ankthi, se siç thotë e himnin jonë, Interi është i çmendur si dihet asnjëherë. Nëse bëhet gol, ndërtesat rrezikojnë të shemben.
Më thuaj ndonjë tifoz të veçantë dhe VIP që është pjesë e grupimit tuaj.
Ka goxha, por preferoj të mos i përmend sepse në grupimin tonë të gjithë janë të barabartë, pavarësisht statusit publik që ata mund të kenë. Punëtor i thjeshtë apo administrate, drejtues televiziv apo këngëtar pak rëndësi ka, mjaftojnë të jenë interist. Kjo ka rëndësi.
Idhulli yt në futboll dhe pse je bërë me Interin?
Një arsye mund të ishte se është ekipi më i pastër, më i ndershëm dhe që gjithçka që ka arritur të fitojë e ka fituar me djersë, ndryshe nga kundërshtarët. Por kur jam bërë me Interin kam qen shumë i vogël për të arsyetuar kaq gjatë dhe thellë, mbase jam interist sepse kam lindur për të qenë i tillë. Dhe jam super krenar duke parë historinë e lavdishme zikaltër e cila nuk është njollosur asnjëherë nga asnjë skandal. Idhulli im është vetëm një, Javier Zanetti. Dhe jam i sigurtë që do të jetë i fundit sepse në futboll sa po vjen e idhujt po zhduken, nuk ka më moral, ska më një për ekipin, por futbollistët e shohin më shumë si një mekanizëm prefekt për të prodhuar para. Sa keq!
Futbollistit i ekipit të zemrës që ke bërë një fotografi, apo ke një fanellë?
Fanella kam shumë, pothuajse të çdo sezoni. Ndërsa futbollisti me të cilin kam bërë foto së fundmi është me Ranocchian në Appiano Gentile në shkurt. E Samir Handanoviç disa muaj më parë.
Komenti futbollistik që të ka ngel më shumë në zemër?
Ai 22 Maj 2010 fantastik. Kupë, Kampionat, Champions. Ekipi i vetëm në Itali që ka bërë tripletën.
Sakrifica më e madhe që ke bërë për ekipin?
Kursej goxha gjatë vitit për udhëtimet që bëj në Milano gjatë një sezoni. Rrobat, pushimet e gjërat e tjera kalojnë në plan të dyte kur mendoj se më duhen para për të shkuar për të parë ekipin e zemrës.
Po plani i radhës sa i përket grupimit?
Plani i radhës janë anëtarësimet në Tiranë e që do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë e në Kosovë. Si dhe është shtuar opsioni i anëtarësimit online në uebsitin zyrtar. Shumë shpejt do të kemi një aplikacion të grupimit tonë për iPhone dhe për Android.
Sa është numri i vajzave anëtare dhe a janë aktive ato?
Vajzat anëtare janë goxha, e kalojnë numrin 30. Nëse më pyet a janë aktive, do të përgjigjem super aktive. Ato e duan Interin në një dimension tjetër nga ky i joni. Janë më pak prepotente në tifozllëk, por e dua