Maryan Evans
Nën trupin e një burri
Alda Bardhyli
George Henry Lews e ndjeu se rrëfimi që e kishte bërë që atë mbrëmje ta kalonte në shtëpi, nuk mund të ishte i një burri. Për filozofin dhe kritikun e njohur anglez, vetëm mendja e një gruaje mund ta bënte atë rrëfim aq joshës. Kur vendosi letrën e fundit mbi tryezë, ai vendosi ti telefononte mikut të tij botues, që i kishte dhënë tregimin me mbishkrimin George Eliot. Ai i kërkoi ta takonte atë.
Fustani i gjatë viktorian i jepte fytyrës së saj një hije të ngjashme me personazhin që ai e kishte lexuar në dorëshkrim. Ndodheshin në kafenenë bri zyrës së tij dhe Lews ndjeu se fytyra e kësaj gruaje të re ishte shprehëse si një libër. Mes George Henry Lews dhe Mary Anne Evans nuk pati kohë të gjatë për të kuptuar se ishin bërë për njëri-tjetrin. Që në takimin e parë, filozofi e kuptoi se përtej fustanit të kësaj gruaje, ishte një botë dhe një trup që atij i mungonte. Në vitin 1854 ata vendosën të jetonin bashkë. Por bashkëjetesa e tyre nuk ishte diçka e zakonshme në epokën ku jetonin. George ishte i martuar me Agness Jervic, me të cilën kishte tre fëmijë, si dhe katër fëmijë që ajo i kishte nga martesa e parë, të cilët ishin të regjistruar nën emrin e tij. Kjo e bënte të pamundur për ligjet e kohës divorcin mes tyre, pasi lidhja me Maryan quhej tradhti bashkëshortore dhe si pasojë, divorci ishte i pamundur. Ky detaj nuk e pengoi shkrimtaren e re dhe filozofin që për më shumë se 20 vjet të jetonin një nga historitë e dashurisë më të njohura në Londrën e atyre viteve. Një bashkëjetesë e shoqëruar me skandale, por dhe me udhëtime, që sollën hulumtime interesante për letërsinë angleze dhe romane shpërthyes të Maryan. Një dashuri që e ndihmoi Maryan të kishte një mënyrë më depërtuese në botën psikologjike të personazheve dhe të ishte një krijuese e kujdesshme dhe gati-gati e përsosur e natyrës njerëzore.
Mary Anne (Marian) Evans (22 nëntor 1819 22 dhjetor 1880) e njohur me emrin letrar George Eliot është shkrimtare, gazetare dhe përkthyese angleze, një nga emrat kryesorë të letrave në epokën viktoriane.
Ajo është autore e shtatë romaneve, të cilat dallohen për një depërtim të guximshëm psikologjik.
Mary vendosi të shkruante nën emrin e një burri, e bindur pasi vetëm kështu, shkrimet e saj do të merreshin seriozisht. Ajo nuk donte të përfundonte si ato femra që guxuan të shkruanin me emrat e tyre, shkrimet e të cilave mbetën në sirtarët e shtëpive të botimit, apo në dhomat e tyre të shkrimit. Ajo donte që zëri i saj të dëgjohej, edhe pse mund të ishte i fshehur nën trupin e një burri. Një tjetër arsye pse ajo përdori një emër burri për ta vendosur në librat e saj, ishte edhe për të mbrojtur jetën private dhe për të parandaluar një sërë skandalesh që ndoqën më pas lidhjen e saj me George Henry, me të cilin jetoi më shumë se 20 vjet. Në vitin 1872, ajo u konsiderua si një romanciere e shkëlqyer.
Mary Anne Evans ishte fëmija i tretë i Robert dhe Kristina Evants. Emri i saj Mary Anne, shpeshherë shkurtohej në Marian. I ati Roberts ishte menaxher i Estate Hall Arbury dhe Mary Ann lindi në një kohë kur familja ishte mirë ekonomikisht në një fermë në jug. Që në moshë të vogël, ajo ra në sy si një fëmijë inteligjent dhe me dëshirë për të lexuar. Duke qenë se fizikisht nuk ishte shumë e bukur, shanset e saj për martesë do të ishin të vogla, ndaj familja vendosi të shpenzonte në edukimin e saj. Nga mosha 5 deri në 9 vjeç ajo bashkë me motrën ndoqën shkollën në Arttleborough dhe deri në moshën 16 vjeç ajo ndoqi shkollën e zonjave në Coventry. Pas moshës 16-vjeçare, Eliot kishte një edukim formal. Falë babait të saj, ajo pati mundësi të frekuentonte bibliotekën Arbury. Edukimi i saj klasik do të dukej ndjeshëm në librat e mëvonshëm. Të hyje në bibliotekë ishte si të shkelje një botë tjetër, e cila zhdukej menjëherë pasi ti dilje nga ajo, shkruan Eliot. Librat i dhanë mundësi të bënte jetën që donte dhe ta shihte ndryshe realitetin që e rrethonte. Ndikim tjetër në formimin e saj ka pasur dhe religjioni, pasi familja e saj ishte e lidhur ngushtë me Kishën.
Pas vdekjes së të ëmës në vitin 1836, Marian u kthye në shtëpi, për të bërë punët që tashmë i takonin asaj. Por gjatë kësaj periudhe ajo nuk e humbi korrespodencën me mikeshat e saj në kolegj. Pas martesës së vëllait, ajo bashkë me të atin u shpërngulën në Coventry. Jetesa në këtë vend do ta bëjë Evans të njihet me emra të njohur të shoqërisë së letrave të asaj periudhe, të cilët do të hapnin dritaren e një bote joshëse për të renë. Në këtë kohë, ajo u prezantua me njerëz me influencë si Robert Owen, Herbert Spencer, Harrier Martineau dhe Ralph Emerson. Falë kësaj shoqërie, Evans u njoh me një letërsi më liberale dhe shkrimtarë si David Strauss dhe Ludwig Feuerbach, të cilët hidhnin dyshime mbi tekstet biblike. Kur Evans nisi të shfaqte shenjat e para të dyshimit rreth besimit, i ati e kërcënoi se nuk do ti fliste më, por kjo gjë nuk ndodhi. Ajo vazhdoi të ishte një frekuentuese e Kishës dhe të mbante shtëpinë deri pas vdekjes së tij, kur ishte 30 vjeçe. Vetëm pak ditë pas vdekjes së të atit, ajo udhëtoi për në Zvicër me Brays. Ajo vendosi të jetojë në Gjenevë, vetëm pranë liqenit të Plongeon dhe më pas në një tjetër ndërtesë bashkë me Francois dhe Julier dAlbert Durade, ku sot është vendosur një pllakat që kujton qëndrimin e saj. Francois pikturoi një portret të sajin.
Marian vendosi të udhëtojë drejt Londrës vetëm me një qëllim, për tu bërë shkrimtare. Ajo qëndroi në shtëpinë e John Chapman, një botues radikal, të cilin e kishte takuar në Coventry dhe kishte botuar disa tregime të saj. Më vonë, ai do të bëhej redaktor dhe asistenti i saj. Gratë në letërsi ishin pothuajse të padukshme në atë periudhë dhe Marian duhej të bënte diçka për tu evidentuar. Pikërisht në këtë kohë ajo njihet dhe me George Henry Lews.
Në vitin 1858, kur ishte 39 vjeçe, ajo botoi romanin e saj të parë Adam Bede, i cili pati sukses të menjëhershëm. Thelbi i romanit ishte jeta e një kleriku, përshkruar përmes gruas së tij. Zbulimi i jetës së saj private dhe i faktit që fshihej një grua nën emrin e George Eliot, ndikoi në famën e saj. Ndërsa marrëdhënia me Lewis ndikoi pozitivisht tek ajo, duke e inkurajuar për të shkruar më tepër prozë. Më vitin 1877, ajo u prezantua me princeshën Louise, vajzën e Mbretëreshës Viktoria, e cila ishte adhuruese e librave të saj. Mbretëresha ishte një lexuese e George Eliot dhe porositi artistin Edward Henry që të realizonte kopertinën e Adam Bede. Pas suksesit me romanin e parë, ajo vijoi të botonte libra të tjerë, që u bënë të njohur për më shumë se 50 vjet. Një vit pas romanit të parë, ajo shkroi një libër kushtuar bashkëjetesës me George. Më 16 maj të vitit 1880, Maryan do të përfshihet në një tjetër skandal, duke u martuar me një burrë 20 vjet më të ri se ajo dhe sërish e ndryshon emrin, por këtë herë si Mary Anne Cross. Martesa ligjore me John Cross kënaqi familjen e saj, e cila kishte vuajtur bashkëjetesën e saj të gjatë me Lews. Në mënyrë të pashpjegueshme John hidhet nga ballkoni i hotelit, ku ata po kalonin muajin e mjaltit në Venecia. Ai mundi ti mbijetonte dëmtimeve dhe çifti u kthye në Angli. Në këtë periudhë, Eliot sëmuret nga një infeksion në fyt si dhe avancimi i sëmundjes së veshkave bëri që ajo të mbyllte sytë përgjithmonë më 22 dhjetor 1880 në moshën 61-vjeçare. Me një jetë të trazuar, për kohën kur jetoi, Maryan vijon të mbetet si ikona e letërsisë viktoriane, si gruaja që solli një frymë tjetër në letërsinë angleze të asaj periudhe. Duke kërkuar lirinë në jetë, ajo ua dha atë personazheve të saj dhe krijoi në libra një botë të cilën nuk e gjeti dot në rrugët e Londrës së atyre viteve. Librat e saj j