E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra e Borovës, djali i nazistit: Kërkoj falje. Lexova ditarin e babait, u tmerrova

ERSEKE - Plot 70 vjet më parë, nazistët masakruan gjithë banorët e fshatit Borovë. Pushtuesit nuk kursyen as gratë shtatzëna dhe foshnjat në djep. Fshati i vogël, vetëm 5 km larg Ersekës, vijon ende të jetë një dëshmi e gjallë historike. Paraditen e djeshme, përfaqësues të pushtetit vendor, të afërm të viktimave, ambasadorja çeke, Borislava Tomasova, deputetja e PS-së, Arta Dade, por edhe të mbijetuar të një prej masakrave më të mëdha në Shqipëri kryen homazhe në varrezat e 107 martirëve të Borovës.
Në përkujtimoren homazh mori pjesë djali i nazistit Anton Burger, i cili ishte pjesëtar i njësisë, që më 6 korrik të vitit 1943 masakroi dhe dogji Borovën. Markus Burger ka udhëtuar nga Austria së bashku me bashkëshorten e tij për të qenë pjesë e kësaj ceremonie të veçantë dhe për t’u kërkuar falje të afërmve të viktimave dhe të mbijetuarve, për atë që ka shkaktuar babai i tij. 58-vjeçari, teksa shikonte varrezat e 107 martirëve nuk i mbajti dot lotët. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Markus tregoi sesi e mësoi historinë e errët të babait të tij.
Zoti Burger pse ndodheni në Borovë?
Nëse dikush do të më kishte thënë më parë se unë do të isha në këtë vend dhe do të flisja me këta njerëz nuk do e kisha besuar kurrë. Por rrjedha e jetës më bëri që unë të vij këtu, për të vetmin qëllim, të cilin ja vura vetes pak kohë më parë, për të kërkuar falje për atë që ka bërë babai im në këtë fshat. Teksa kam zbuluar të vërtetën dhe anën e errët të babait tim, të cilën unë nuk e kam njohur kurrë, vendosa të vij dhe t’u kërkoj falje këtyre banorëve.
Si e keni mësuar të vërtetën?
Babai im nuk më ka treguar kurrë për Borovën. Ai nuk fliste kurrë për luftën shkatërruese, e cila kishte sjellë shumë dhimbje, dëshpërim dhe urrejtje për shumë njerëz në Europë. Gjithçka ndodhi krejt rastësisht dy vite më parë, pas vdekjes së tij. Kam qenë i vetëm në dhomë dhe isha duke u kujdesur për gjërat e tij personale, kur padashur gjeta një ditar. Nisa ta shfletoja, dhe aty mësova për Borovën. U shokova se nuk e prisja një gjë të tillë. Pastaj nisa të kërkoj informacion kudo dhe gjeta një libër dedikuar njësisë, në të cilën babai im kishte shërbyer. Ky libër më dha mua për herë të parë një informacion më të detajuar rreth masakrës së Borovës. Përjetova emocione të forta për atë që kishte ndodhur në realitet. Nuk doja ta besoja që ai ishte vërtet babai im.
Si u ndjetë në ato momente?
Një ndjenjë therëse më përshkroi trupi dhe nuk më është hequr edhe tani. Ishte një keqardhje shumë e thellë. Nuk mundem të përshkruaj ndjenjat e mia më tej, pasi ato vazhdojnë të jenë të tilla veçanërisht sot (dje). Por jam i detyruar të pranoj këtë pjesë të errët të babait tim që nuk mund ta ndryshoj dot, edhe pse do doja vërtet shumë.
Si ju lindi ideja që të vinit në Shqipëri?
Prej atij momenti nuk mund të vija dot gjumë në sy. Vazhdoja të kërkoja informacion dhe doja të mësoja edhe më shumë. Nëpërmjet ambasadës austriake në Shqipëri mora informacionin e duhur dhe vendosa që me bashkëshorten time të vij këtu, të marr pjesë në këtë përkujtimore dhe të lutem për këta njerëz, pasi shpirti im pas kësaj që kam mësuar do të jetë gjithmonë këtu (përlotet).
Tani që keni takuar edhe të mbijetuar nga kjo masakër, cila është ndjesia juaj?
Natyrisht që ndihem keq, siç e thashë po përjetoj emocione të forta. Ajo ç'ka po mësoj është e frikshme dhe e dhimbshme. Sot (dje) këtu, gjithçka më sjell pamjen e babait tim vërdallë. Por unë nuk jam këtu që t'u zvogëloj dhimbjen apo keqardhjen, nuk kam fuqi ta bëj një gjë të tillë. Jam këtu t'u kërkoj falje se nuk mund të jetoj i qetë.
Do të ktheheni sërish?
Patjetër që po. Kjo ishte hera e parë që unë vij në Shqipëri, por tani kam një arsye më tepër për të ardhur këtu çdo vit. Borova është mendja ime, shpirti im dhe lutjet e mia do jenë gjithmonë për këta njerëz. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›