E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Masakra në Universitetin e Pragës, anulohen leksionet dhe ligjëratat, policia çeke shton kontrollet

Policia çeke ka rritur sigurinë rreth shkollave dhe ndërtesave të tjera publike në të gjithë vendin dhe Universiteti Charles në Pragë anuloi sot të gjitha ligjëratat dhe ngjarjet pasi një student qëlloi dhe vrau 14 persona të enjten.

Ky është incidenti më i keq i regjistruar në këtë vend të Evropës Qendrore, ku shumë njerëz posedojnë armë, disa pushkë gjuetie ose sportive, por incidentet e të shtënave masive janë të rralla. Njerëzit kanë ndezur qirinj që nga mbrëmë jashtë selisë mesjetare të universitetit në qendër të qytetit dhe drejtuesit e universiteteve të vendit planifikojnë të bëjnë nderimet e tyre gjatë ditës së sotme atje.

“Ne kemi miratuar që nga sot masa paraprake në të gjithë vendin në lidhje me objektivat delikate dhe shkollat”, tha policia përmes Platformës X.

“Nuk kemi informacion për ndonjë kërcënim specifik… ky është një sinjal se ne jemi këtu dhe të përgatitur”, thuhej më tej.

Ministri i Brendshëm Vit Rakusan i tha radios çeke se 13 nga 14 të vdekurit janë identifikuar. Ministria tha se mes të plagosurve ishin dy shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe një shtetas holandez.

Autoritetet nuk dhanë informacione të reja për gjendjen e të plagosurve. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›