E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakrohet shqiptari në Caserta të Italisë, dyshohet për trafik droge

CASERTA (ITALI) - Një 27 vjeçar shqiptar ka mbetur i vrarë sot në Itali, pas thikave të shumta që kishte marrë në trup. Policia që ka gjetur viktimën në rrugë dyshon se ngjarja mund të ketë ndodhë për rivalitet droge, pasi viktima njihej si person me precedentë penalë në shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Agjencia e lajmeve Ansa bëri të ditur sot se "i riu Xhevahir Malaj është gjetur në mëngjes në grahmat e fundit të jetës nga karabinierët në një rrugë të Casertës. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e këtij qyteti, por ka vdekur në sallën e Reanimacionit.

Sipas agjencisë, Malaj njihej nga policia si person me precedentë penalë veçanërisht për veprën penale të trafikimit të drogës. Policia italiane nisi menjëherë hetimet për ngjarjen, për kapjen e vrasësit dhe në kërkim të identitetit të vërtetë të viktimës, pasi dyshohet se ai është kapur më shumë se njëherë nga policia dhe përherë ka treguar dokumente identiteti të ndryshme.

Nga hetimet paraprake dyshohet se vrasja mund të jetë kryer nga të tjerë shqiptarë për larje hesapesh në pazaret e drogës ku ishte pleksur i riu që u gjet sot i masakruar me thika. Ndërkaq trupi i Malajt është dërguar në morgun e Institutit të Spitalit të Casertës në pritje të tërheqjes nga të afërmit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›