E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beogradi, protestë ndaj Berishës: Do Shqipërinë e Madhe

Diplomacia serbe, notë proteste në ambasadë pas deklaratave për unitetin kombëtar Shqipëri-Kosovë


Deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për afrimin e Shqipërisë dhe të Kosovës si dy pjesë të ndara të një kombi, kanë shkaktuar zemërim në Beograd. Në një reagim të djeshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, thuhet se këto deklarata do të dëmtojnë klimën e mirë të fqinjësisë mes dy vendeve dhe se ato cenojnë integritetin territorial të Serbisë, e cila nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Sipas njoftimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, thuhet se ajo i ka dërguar notë proteste të ngarkuarit me punë të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd, me rastin e një deklarate të Kryeministrit Sali Berisha. "Ministria e Punëve të Jashtme shumë ashpër dënon deklaratën provokuese të Kryeministrit shqiptar, e cila ashpër e cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë", - thuhej, mes të tjerave, në notën e protestës.

Ministria e Jashtme e Serbisë thotë se të ngarkuarit me punë të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd i është bërë e ditur se deklaratat e tilla i dëmtojnë raportet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal. Raportohet se kjo notë proteste ka të bëjë me deklaratën e Kryeministrit Sali Berisha, se projekti i unitetit kombëtar të shqiptarëve duhet të jetë ide udhëheqëse për të gjithë politikanët, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Deklaratat

Reagimet e qeverisë serbe kanë marrë shtysë nga disa deklarime të njëpasnjëshme të Kryeministrit shqiptar Sali Berisha, bërë përgjatë javës së shkuar, kur ai pati takime të shpeshta në Tiranë me anëtarë të kabinetit qeveritar të Kosovës dhe përfaqësues të partive politike, por që kulmuan me deklarimet gjatë një interviste dhënë për "Klan Kosova", tre ditë më parë.
Një javë më parë, më 12 gusht, Kryeministri Berisha priti në Tiranë, në takime të veçanta, kryetarin e Komisionit për Punët e Brendshme dhe Siguri të Parlamentit të Kosovës, zotin Muharrem Mustafa dhe më pas delegacionin e lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të përfaqësuar nga zoti Eqerem Kryeziu nënkryetar, zoti Lutfi Haziri nënkryetar, dhe zoti Ramë Manaj, sekretar i përgjithshëm i LDK-së dhe njëkohësisht zëvendëskryeministër i Kosovës. Në këto takime Berisha u shpreh se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që dy qeveritë të zhdukin çdo lloj ndryshimi midis dy vendeve.

"Ne jemi një komb dhe duhet të shikojmësi njëri-tjetrin si një vend tjetër, por jo si një vend i huaj. Dy qeveritë duhet të shërbejnë si dy mundësi dhe jo si pengesa për qytetarët, vijoi Kryeministri, duke shtuar se duhet të merren veprime konkrete në njehsimin e sistemit të doganave, financave, arsimit etj., në modelin e vendeve të Bashkimit Europian".

Katër ditë më pas, në intervistën për televizionin "Klan Kosova", Berisha do të shtjellonte më tej vizionin e tij për afrimin e Shqipërisë dhe të Kosovës, duke zhdukur barrierat ndarëse.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për marrëdhëniet me faktorin politik në Kosovë, pas memorandumit të bashkëpunimit me AAK-në e Ramush Haradinajt, Berisha foli me superlative për qeverinë e Kryeministrit Thaçi. Duke folur për rrugën Durrës -Kukës -Morinë, që lidh tashmë Shqipërinë me Kosovën, Berisha theksoi se: "Është në projektin e interesit kombëtar, sepse interesi kombëtar është gjithmonë interesi i parë, dhe interesi kombëtar i yni, pas ngjarjeve të mëdha, siç është pavarësia e Kosovës, Shqipëria në NATO, ka projektin e vet për t'u realizuar, dhe ky projekt konsiston në bashkimin e kombit shqiptar, në zhdukjen e pasojave të ndarjes dhe padrejtësitë ndër më të mëdha që Evropa ka njohur në ndarje e tij".

Kryeministri Berisha ka parashikuar që të bëjë së afërmi një vizitë zyrtare në Kosovë. Pak vite më parë, kur ishte në opozitë, vizita e tij u pengua nga autoritetet e UNMIK-ut, të cilat nuk i dhanë leje për të kapërcyer kufirin mes dy vendeve. Në vitet '94-'96, kur në ish-Jugosllavi vijonte konflikti etnik dhe masakrat serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, qeveria e ish-Presidentit Berisha lejoi kontrabandën e karburanteve për në vendin e vënë nën embargo të OKB-së dhe kjo e njollosi shumë rëndë regjimin e PD-së në atë kohë.

Pjesa nga deklarimet e Berishës

...Është në projektin e interesit kombëtar, sepse interesi kombëtar është gjithmonë interesi i parë, dhe interesi kombëtar i yni pas ngjarjeve të mëdha, siç është pavarësia e Kosovës, Shqipëria në NATO, ka projektin e vet për t'u realizuar, dhe ky projekt konsiston në bashkimin e kombit shqiptar, në zhdukjen e pasojave të ndarjes dhe padrejtësitë ndër më të mëdha që Evropa ka njohur në ndarje e tij....

Ne për këtë do të punojmë sapo qeveria e re të krijohet, me një vendosmëri të madhe, që të zhdukim të gjitha dallimet që mundojnë qytetarët shqiptarë të Kosovës, apo çdo nacionaliteti tjetër, kur vijnë në Shqipëri, apo mundojnë qytetarët shqiptarë kur shkojnë në Kosovë, për shkak të dallimeve ne nuk mund t'i injorojmë, se një shekull ndarje ka pasur pasojat e veta...

Fola për pikat kufitare, për Morinën, Qafën e Morinës, dhe kudo që ka pika kufitare, sikurse edhe Qafa e Prushit dhe mbetet tani e Dragashit. Le të më thotë mua kush, përse duhet të jenë ato, përse ti mund të kalosh nga Strasburgu në Kheln dhe nuk sheh asnjë polic, asnjë doganier, nuk sheh asgjë, madje shpesh unë flija në Kheln kur nuk gjeja hotel në Strasburg. Pse ti mund të udhëtosh me makinë nga Brukseli në Strasburg dhe të kalosh tre-katër shtete pa të ndalë askush. Kurse këtu duhet të ndalim në dy pika, siç është Morina, Qafa e Morinës, Dragashi dhe Qafa e Prushit.

Unë kam besim të madh dhe pres me padurim sapo të krijohet qeveria e re të nisim me zotin Thaçi njësimin e një mori praktikave, e një mori barrierave që i pengojnë shqiptarët të ndjehen të lirë, një, në të gjithë hapësirën ku ata jetojnë. Dy administrata shtetërore, kjo ishte zgjedhja e tyre, por këto dy administrata shtetërore duhet të mundësohen dy mundësi më të mëdha, por jo në dy pengesa, por në dy mundësi të mëdha, qoftë për qytetarët shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë, qoftë për kontributin e shqiptarëve në rajon dhe në botë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›