E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakroi të atin se e rrihte, dosja në gjykatë

Sipas prokurorisë, ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 7 nëntorit 2008, në fshatin Mal-Mner të komunës Zall-Bastar në Tiranë, ku i riu qëlloi për vdekje të atin Ahmet Lika, 53 vjeç. 

TIRANE- Masakroi babain pasi e keqtrajtonte dhe së shpejti do të përballet me togat e zeza të drejtësisë, për të mësuar numrin e viteve që do të qëndrojë në qeli. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet duke dorëzuar në gjykatë dosjen penale në ngarkim të 16-vjeçarit Elton Lika. Sipas prokurorisë, ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 7 nëntorit 2008, në fshatin Mal-Mner të komunës Zall-Bastar në Tiranë, ku i riu ka qëlluar për vdekje të atin Ahmet Lika, 53 vjeç. Nga hetimet ka rezultuar se pak minuta para ndodhjes së krimit tronditës në familjen Lika, është zhvilluar një sherr mes Eltonit dhe babait të tij, Ahmetit. Ky i fundit e keqtrajtonte të birin vazhdimisht, gjë që ka tentuar ta bëjë dhe natën e ngjarjes. Duke mos e suportuar më dhunën, 16-vjeçari ka rrëmbyer armën dhe ka qëlluar mbi të atin. Ai ka pohuar më vonë se, krimin e ka kryer në kushtet e një gjendjeje mjaft të rënduar psikologjike, pasi i ati ishte shumë i dhunshëm dhe jeta në familje ishte bërë e padurueshme. Por, pavarësisht alibisë së adoleshentit, prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën e "vrasjes me dashje". Prokuroria thekson në dosjen e saj dhe faktin e largimit pas ngjarjes të adoleshentit, i cili është arrestuar vetëm dy ditë më vonë. Në dosjen e prokurorisë gjenden mjaft prova që vërtetojnë se 16-vjeçari është autor i krimit të rëndë brenda në familje. Shorti elektronik ka përcaktuar gjyqtarin Gjin Gjoni për të shqyrtuar këtë dosje. Brenda pak ditësh, i riu Elton Lika do të ulet në kafazin e hekurt për të dhënë shpjegime para drejtësisë për krimin e kryer.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›