Masat shtrënguese në Greqi, greva 24 orëshe paralizon transportin

Në Athinë nuk do të funksionojnë të enjten mjetet hekurudhore të transportit publik, metroja, treni elektrik dhe tramvaji, pas vendimit të punonjësve për të kaluar në grevë 24 - orëshe.
Greva është në shenjë proteste ndaj masave shtrënguese ekonomike, po ashtu edhe ndaj "indiferencës së drejtuesve për të zbatuar grafiqet dhe rregullat e funksionimit të mjeteve të transportit", siç theksohet në komunikatën e organizatorëve të grevës.
Në njoftim theksohet gjithashtu se po vazhdon pamundësia e vjeljes së të ardhurave, teksa gjysma e biletarive janë të mbyllura, me rezultat evazioni i biletave të ketë arritur në nivele shumë të larta, përderisa edhe mundësia e kontrollit është tepër e kufizuar për shkak të mungesës së personelit.