E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mashtrim kompjuterik”, sekuestrohen mbi 48 mijë euro dhe 10 vetura

PRISHTINË, 3 maj /ATSH/ Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për realizimin e bastisje në pesë lokacione të ndryshme në kuadër të hetimeve për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Sipas një komunikate të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, bastisjet janë zhvilluar më 2 maj 2026 në dy lokacione në fshatin Samadraxhë të Suharekës dhe në tre lokacione në qytetin e Prishtinës.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 48 mijë e 350 euro para të gatshme, dhjetë vetura me vlerë të përgjithshme rreth një milion euro, si dhe pajisje elektronike të ndryshme që pritet të shërbejnë si prova materiale në procedurën penale.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy persona janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, ndërsa brenda afatit ligjor pritet të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas Prokurorisë, hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë të përfshirëve. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›