E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrim me Call Center-at/ Në burg me foshnjen 4 muajshe, e pandehura kërkon shtyrje dënimi

Me foshnjën vetëm 4 muajshe në krah, Greta Gjoci është dërguar këtë të mërkurë në burgun e Pojskës për të vuajtur një dënim me 6 vite e 8 muaj burg për mashtrim kompjuterik në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që mashtronte italianët përmes Call Center-ave, duke përvetësuar 4.7 mln euro.
Nëna dhe foshnja 4-muajshe janë vendosur në seksionin e posaçëm të burgut ku ndodhet edhe çerdhja.

Gjoci është një nga 6 gratë e dënuara si pjesë e grupit të Bruno Çobos. 5 prej tyre i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme për të kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, për shkak të fëmijëve të mitur dhe rrethanave familjare. Ndërkohë që 4 gra me fëmijë janë tanimë në burgun e Pojskës në Korçë.

Mbrojtja e Greta Gjocit e ka depozituar kërkesën më 5 tetor, ditën kur Apeli la në fuqi dënimet me rreth 110 vite burg për 16 të pandehurit e grupit, përfshirë këtu edhe drejtuesin Bruno Çobo. Mbrojtja e Gjocit kërkon shtyrjen e ekzekutimit të dënimit duke u mbështetur në nenin 476 të Kodit të Procedurës Penale. Ligji parashikon se, kur e dënuara është shtatzënë ose ka një fëmijë nën një vjeç, gjykata mund të shtyjë ekzekutimin e vendimit derisa fëmija të mbushë një vjeç.

Në kërkesën drejtuar GJKKO-së, mbrojtja argumenton se foshnja e Gjocit është vetëm 4 muajshe dhe ndodhet në fazën e ushqyerjes me gji, ndaj, sipas avokatit Ndue Marku, izolimi i nënës në burg do të krijonte pasoja për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës.

“Foshnja është në një moshë tejet delikate (3 muajsh) dhe ndodhet në fazën e ushqyerjes ekskluzive me gji nga nëna e tij (kërkuesja). Izolimi i menjëhershëm i nënës në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale do të cenonte në mënyrë të pariparueshme shëndetin, jetën dhe zhvillimin e fëmijës së mitur”, thuhet në kërkesë.

Një tjetër argument i mbrojtjes është se Gjoci ka respektuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe, sipas avokatit deri më tani nuk ka shfaqur asnjë tendencë për t’iu shmangur drejtësisë. Për këtë arsye, mbrojtja pretendon se shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk do të krijonte rrezik që Gjoci të arratisej. “Kërkuesja ka respektuar me rigorozitet maksimal masën e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ dhe nuk ka shfaqur asnjë tendencë për t’iu shmangur drejtësisë. Ajo kërkon thjesht mbrojtjen që ligji i ofron foshnjës së porsalindur”, thuhet në kërkesë.

Mbrojtja i kërkon urgjentisht GJKKO-së pezullimin e urdhrit të ekzekutimit të vendimit me burg ndaj Greta Gjocit, deri në momentin që gjykata të shqyrtojë kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit, siç e parashikon edhe Kodi i Procedurës Penale. Por, pavarësisht se bëhet fjalë për një nënë me një foshnjë 3-muajshe, e cila ende ushqehet me gji, Gjykata nuk e ka marrë në konsideratë këtë parashikim të vetë Kodit.

Përpos Gjocit, në Gjykatën e Posaçme kanë mbërritur kërkesa edhe nga katër të dënuara të tjera të së njëjtës dosje: Elisa Çaçi, e dënuar me 7 vite e 4 muaj burg, si dhe Rezarta Ibrahimi, Antoneta Malo dhe Silvana Veliu, secila e dënuar me nga 6 vite e 8 muaj burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›