E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrime në bursa fiktive, goditet Call Center-i mashtrues në Tiranë, arrestohet administratorja 25-vjeçare

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Adapted”, duke goditur një call center të dyshuar për mashtrime financiare ndaj shtetasve të huaj.

Në pranga ka rënë Melisa Saraçi, 25 vjeçe, e identifikuar si administratore e këtij aktiviteti të paligjshëm.

Hetimet zbuluan se e reja kishte përshtatur një apartament në rrugën “Tish Daija” si call center, ku qytetarë të huaj mashtroheshin për të investuar në bursa fiktive.

Gjatë aksionit, policia sekuestroi 13 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 5 celularë dhe prova të tjera materiale që do të shërbejnë për dokumentimin e veprimtarisë kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u organizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DPPSH.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit ka theksuar se do të vijojë aksionet kundër call center-ave të paligjshëm, të cilët shpesh përdoren për mashtrime ndërkombëtare, duke dëmtuar imazhin e vendit dhe duke rrezikuar sigurinë financiare të qytetarëve të huaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›