Mashtronin qytetarët për të investuar në tregje fiktive, arrestohen 4 persona, në kërkim 2 administratorët e Call Centerave

Policia e Tiranës ka zbuluar dy Call Centera në kryeqytet, përmes së cilave mashtroheshin shtetas shqiptaë apo të huaj për të investuar në tregje fiktive.
Blutë e Tiranës kanë vënë në pranga 4 persona, ndërsa kanë shpallur në kërkim dy administratorët e Call Centerave.
Këta persona, nëpërmjet dy Call Centerave, të regjistruara në mënyrë fiktive si aktivitete tregtare të ligjshme, mashtronin shtetas në kontinente të ndryshme, kryesisht gjatë orëve të natës, që të investonin shuma të konsiderueshme parash, në tregje fiktive.
Të ardhurat që gjeneroheshin nga kjo veprimtari kriminale, pastroheshin nëpërmjet bizneseve të të afërmve të shtetasve të implikuar në këto raste.
Nga kontrollet, në të dyja Call Centerat u gjetën 10 punonjës të paregjistruar, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 9000 euro, 82 njësi kompjuterike, 23 celularë, 1 DVR, 2 USB, 50 karta me numra celularësh, të kompanive të huaja, dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
/rtsh.al/