Mashtruan një 64-vjeçar për t’i marrë 100 mijë euro, në pranga dy persona në Tiranë

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Policia e Tiranës vuri në pranga dy të rinj të cilët tentuan që nëpërmjet mashtrimit në platforma komunikimi online, t’i merrnin një 64-vjeçari 100 mijë euro.
Policia njoftoi se si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 64-vjeçari, mbi dyshime për mashtrim në platformë komunikimi online, finalizuan operacionin e koduar “Seen”, gjatë të cilit u kapën në flagrancë, kur po i merrnin 100 000 euro kallëzuesit, dhe u vunë në pranga shtetasit E. K., 24 vjeç dhe O. B., 23 vjeç.
Sipas policisë, nga hetimet e kryera me metoda speciale, me qëllim zbardhjen e plotë të autorësisë dhe rrethanave të këtij rasti, dyshohet se këta shtetas kanë komunikuar me 64-vjeçarin, nëpërmjet një profili të rremë në një rrjet social.
Profili ishte aktivizuar me të dhënat e një të njohuri të 64-vjeçarit, me qëllim mashtrimin e tij.
Hetimet vijojnë me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/m.q/a.f/