Maskimi si meshkuj, jeta dyfishe e femrave afgane
Për arsye ekonomike dhe sociale, shumë prindër afganë duan të kenë një djalë. Kjo ka çuar disa prej tyre në praktikimin e traditës së hershme të Bacha Posh – maskimin e vajzave si djem. Kur Azita Rafhat, një ish-anëtare e Parlamentit afgan, bën gati vajzat e saj për shkollë, njërën prej tyre e vesh ndryshe. Tri nga vajzat e saj janë të veshura me rroba të bardha, ndërsa kokat i mbulojnë me shami po të bardhë, por vajza e katërt, Mehrnoush, është e veshur me kostum dhe kravatë. Kur dalin jashtë, Mehrnoush nuk është më vajzë, por djalë i quajtur Mehran. Azita Rafhat nuk ka djalë dhe, për të mbushur hendekun e për të shmangur talljet e njerëzve mbi këtë fakt, ajo ka marrë këtë vendim radikal. Ishte shumë e thjeshtë, falë një prerjeje flokësh dhe disa rrobave djaloshare. Ka edhe një emër për këtë traditë në Afganistan – Bacha Posh, ose maskimi i vajzave si djem. “Kur ju keni një pozicion të mirë në Afganistan dhe jeni në qendër të vëmendjes, njerëzit të shikojnë me një sy tjetër. Sipas tyre, jeta juaj bëhet e plotë vetëm nëse keni një djalë”, thotë ajo. Për arsye të ndryshme ekonomike dhe sociale në Afganistan, gjithnjë është preferuar lindja e djemve. Burri i Rahfhat, Ezatullah Rafhat, mendon se të pasurit e një djali është simbol i prestigjit dhe nderit. “Kushdo që vinte në shtëpinë tonë, do të thoshte: “Oh, na vjen keq për ju, që nuk keni një djalë”. Pra, kemi menduar se do të ishte një ide e mirë që të maskonim vajzën tonë, duke qenë se edhe ajo e donte këtë gjë”. Azita Rafhat nuk është e vetmja nënë që ka vendosur të bëjë këtë.
Jo vajzërore
Në tregjet afgane mund të hasësh shumë vajza të maskuara si djem. Disa familje i veshin vajzat e tyre si djem, në mënyrë që ato të mund të punojnë lehtësisht në rrugë për të ushqyer familjet e tyre. Disa prej këtyre vajzave që prezantohen si djem, shesin gjëra të tilla si ujë dhe çamçakëz. Përgjithësisht janë nga pesë deri në 12 vjeç. Asnjëra prej tyre nuk do të bisedojë në lidhje me jetën e vet si djalë. Por këto vajza nuk qëndrojnë ashtu gjithë jetën. Kur bëhen 17 apo 18 vjeç, ato kthehen sërish në jetën e tyre si vajza, por ndryshimi nuk është aq i thjeshtë.
Elaha jeton në Mazar-e-Sharif në veri të Afganistanit. Ajo ka jetuar si djalë për 20 vjet, sepse familja e saj nuk kishte djalë dhe iu kthye vajzërisë vetëm dy vjet më parë, kur duhet të shkonte në universitet. Megjithatë, nuk ndihet plotësisht femër: ajo thotë se sjellja e saj nuk është vajzërore dhe se nuk dëshiron të martohet. “Kur isha fëmijë, prindërit më maskuan si djalë, sepse nuk kisha vëlla. Deri vonë, dilja jashtë e luaja si djalë me djemtë e tjerë dhe kisha më shumë liri”. Ajo është kthyer pa dëshirë në gjininë e saj dhe thotë se e ka bërë vetëm për shkak të traditave sociale.
“Nëse prindërit më detyrojnë që të martohem, unë do kompensoj brengat e grave afgane dhe do ta rrah burrin tim aq keq, sa ai do të më çojë në gjyq çdo ditë”. Atiqullah Ansari, kreu i xhamisë së famshme blu në Mazar-e-Sharif, thotë se tradita është një lloj thirrjeje për tek hyjnorja. Ato familje që nuk kanë djem, i fshehin vajzat e tyre si djem për t’u sjellë fat të mirë, kështu që Zoti u jep atyre një djalë. Nënat që nuk kanë djem, vijnë në vendin e shenjtë të Hazret-e Aliut dhe i kërkojnë atij t’u japë një djalë, shton ai. Atiqullah Ansari thotë se sipas Islamit vajzat që jetojnë si djem, duhet të mbulojnë kokën e tyre, kur arrijnë moshën. Në Afganistan, tregime si këto janë bërë të zakonshme. Pothuajse çdo njeri ka të afërmit apo fqinjët, të cilët e kanë provuar këtë. Fariba Majid, kreu i Departamentit për të Drejtat e Grave në provincën veriore të Balkh, ka përdorur një emër djali, Wahid. “Isha vajza e tretë në familjen time dhe, kur kam lindur, prindërit e mi vendosën të më veshin si djalë”, thotë ajo. “Duhet të punoja me babain në dyqanin e tij, madje edhe të shkoja në Kabul për të sjellë mallra prej andej”. Ajo mendon se kjo përvojë e ka ndihmuar për të fituar vetëbesimin dhe të arrijë aty ku është sot. Nuk është për t’u habitur që edhe Azita Rafhat, nënës së Mehranit, i është dashur të jetojë si djalë. “Më lejoni t’ju tregoj një sekret”, thotë ajo. “Kur isha fëmijë, kam jetuar si djalë dhe kam punuar bashkë me babain tim. Kam përjetuar të dyja botët, të burrave dhe të grave, dhe kjo më ndihmoi për të qenë më ambicioze në karrierën time”.
Shkelja e të drejtave
Tradita ka ekzistuar në Afganistan për shekuj me radhë. Sipas Daud Rawish, sociolog në Kabul, mund të ketë nisur kur afganët duhet të luftonin kundër pushtuesit të tyre dhe për këtë femrat nisën të maskoheshin si burra. Por Qazi Sayed Mohammad Sami, kreu i Komisionit të të Drejtave të Njeriut Balkh, e quan atë një shkelje të të drejtave të njeriut. “Ne nuk mund të ndryshojmë gjininë e dikujt për një kohë. Ju nuk mund të ndryshoni një vajzë në një djalë për një periudhë të shkurtër kohe. Nuk është humane”, thotë ai.
Tradita ka pasur një efekt të dëmshëm në disa vajza, që mendojnë se kanë humbur pjesën më themelore të fëmijërisë, si rrjedhim dhe identitetin e tyre. Për të tjerat kjo ka qenë një eksperiencë e mirë lirie, të cilën nuk do ta kishin pasur kurrë si vajza. Por për shumë njerëz, pyetja kyçe është: A do të vijë një ditë kur vajzat afgane të kenë po aq liri dhe të njëjtin respekt si djemtë?
(* BBC-Kabul)