Maskohen si mjekë dhe hyjnë në spitalin palestinez, forcat izraelite eliminojnë tre pjesëtarë të Hamasit

Forcat izraelite kanë vrarë tre anëtarë të grupeve të armatosura palestineze në një spital në Bregun Perëndimor.
Sipas pamjeve të sigurisë, anëtarët e një njësie të fshehtë të maskuar si mjekë dhe civilë kanë arritur të vrasin tre anëtarë të grupeve të armatosura palestineze.
Ushtria izraelite bëri të ditur se anëtarët e grupeve të armatosura ishin fshehur në spitalin e Jeninit dhe se njëri prej tyre ishte gati të kryente sulme në spital.
Ministria e Shëndetësisë e Autoritetit Palestinez akuzoi Izraelin për kryerjen e një “masakre tjetër brenda spitaleve”.
Hamasi, grupi i armatosur islamik palestinez, që po lufton me Izraelin në Gaza, të shkaktuar nga sulmet e tij të paprecedentë ndaj Izraelit më 7 tetor shpjegoi se forcat izraelite “ekzekutuan tre luftëtarë”, duke përfshirë një nga anëtarët e tij.
Një grup tjetër i armatosur, Xhihadi Islamik Palestinez, tha se dy nga të vrarët ishin anëtarë të tij dhe ishin vëllezër.
Tensionet janë rritur në Bregun Perëndimor që nga sulmet e 7 tetorit, me bastisje pothuajse të përditshme të arrestimeve izraelite dhe përleshje me palestinezët, transmeton BBC.
Jenin, një bastion i militantëve, ka qenë në qendër të bastisjeve të tilla për muaj të tërë. Që nga 7 tetori, forcat izraelite kanë vrarë të paktën 357 palestinezë – militantë, civilë dhe sulmues – në Bregun Perëndimor, ndërsa kolonët izraelitë kanë vrarë të paktën tetë, sipas Kombeve të Bashkuara.
/rtsh.al/