E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Massimo Ranieri rrëfen fëmijërinë në varfëri: Jetonim 8 veta në një dhomë, numëronim paratë për bukën dhe vajin! Shkolla për mua mbaroi pas klasës së pestë, zëri ishte arma e shpëtimit tim

Këngëtari i famshëm italian, Massimo Ranieri kthehet pas në kohë dhe rrëfen fëmijërinë e vështirë në Napolin e viteve ’50, kur jetonte së bashku me familjen e tij në kushte varfërie te skajshme. Tetë persona në një dhomë, pa banjë, me para që nuk mjaftonin asnjëherë dhe me një fëmijë që u detyrua ta linte shkollën pas klasës së pestë për të punuar dhe ndihmuar familjen. 

Masimo Ranieri

Këngëtari dhe aktori i njohur italian ka rrëfyer për Corriere historinë e tij, duke u kthyer te shtëpia në ‘via del Pallonetto 41’, ku kaloi fëmijërinë.

“Herë pas here kaloj përpara shtëpisë për të parë se si është bërë. Por nuk kam arritur kurrë të hyj brenda”, tregon Ranieri.

Shtëpia ndodhej në katin e fundit dhe për të mbërritur atje duhej kaluar përmes ‘një korridori gjithmonë të errët’, ku nëna e thërriste për ta ndihmuar të orientohej.

“Jetonim tetë veta: gjashtë fëmijët dhe prindërit. Të gjithë në një dhomë të vetme: një dhomë dhe një WC, jo një banjë. Nëna më lante në një legen në korridorin e pallatit”.

“Paratë nuk mjaftonin kurrë” Ranieri kujton se familja jetonte vazhdimisht në vështirësi ekonomike. Babai punonte në Italsider, ngrihej në orën pesë të mëngjesit dhe kthehej vetëm në mbrëmje, por sipas tij “paratë nuk mjaftonin kurrë”

Një nga kujtimet që i ka mbetur më fort nga fëmijëria është një bisedë mes prindërve për rrogën e të atit. “Nëna ime e pyeti sa do të merrte rrogë. Ai iu përgjigj pesëmbëdhjetë mijë lireta dhe ajo tundi kokën. Numëronim paratë për bukën dhe vajin. Kështu jemi rritur”.

Edhe një pjepër ishte një luks. Babai blinte “një pjepër në muaj”. “Kur kishte, bëhej festë, shndërrohej në një moment bashkimi. Pjepri nënkuptonte një çast lumturie, të ndiheshe si të tjerët”.

E la shkollën pas klasës së pestë

Varfëria ndikoi drejtpërdrejt edhe në shkollimin e tij. Massimo Ranieri e ndërpreu shkollën menjëherë pas klasës së pestë fillore. “Pothuajse nuk e kam bërë fare”, pranon ai.

Vetë Ranieri dëshironte të vazhdonte studimet edhe babai i tij ishte dakord. Por situata ekonomike e familjes nuk e lejonte. “Realizmi i nënës sime vendosi se unë duhej të shkoja të punoja për të sjellë ndonjë para në shtëpi”.

Sot ai e sheh atë vendim nga një perspektivë tjetër. “Ndoshta ishte e drejtë, mbase do të kisha marrë një diplomë dhe do të isha futur në ndonjë vend pune shtetëror. Në vend të kësaj, kam kënduar dhe kam interpretuar mijëra herë, përpara, në fund të fundit, miliona njerëzve”.

“Unë ëndërroja ringun” Ëndrra e tij e parë, megjithatë, nuk ishte muzika. Ranieri donte të bëhej boksier.  “Me babanë dëgjonim në radio transmetimet e ndeshjeve nga Amerika të Benvenutit dhe unë ëndërroja ringun”.  Por zëri do t’ia ndryshonte jetën. Filloi të këndonte në kreshma, pagëzime dhe dasma. “Ky zë ishte një dhuratë nga Zoti, arma e shpëtimit tim”.

Një ditë, ndërsa punonte në një bar, një parukier e thirri dhe i kërkoi të këndonte përpara një klienteje, Mara Del Rio. Ranieri këndoi Sei nata per me të Adriano Celentanos, idhullit të tij. Mori 100 lireta bakshish dhe gruaja i premtoi se do t’i fliste bashkëshortit të saj për të. Aty nisi gjithçka. Kontrata e parë dhe 200 mijë liretat mbi tavolinë. Rreth moshës 12-vjeçare, ndoshta pa i mbushur ende, Ranieri bëri audicionin e parë dhe fitoi kontratën.

Babai e shoqëroi. “E bënë të firmoste kontratën dhe i vendosën mbi tavolinë 200 mijë lireta, me ato kartëmonedhat e mëdha prej dhjetë mijë liretash”. Reagimi i të atit është një tjetër kujtim që Ranieri nuk e ka harruar. “I shkreti, gati sa nuk i ra të fikët, nuk kishte parë kurrë në jetën e tij aq shumë para”.

Babai i futi kartëmonedhat në xhep dhe gjatë gjithë rrugës për në shtëpi nuk e hoqi dorën prej tyre. “Kishte frikë se mos na i vidhnin”.

Nëna e tij, ndërkohë, nuk dëshironte që i biri të bëhej këngëtar. Babai e mbështeste fshehurazi. “Më jepte fshehurazi dyqind lireta çdo 23 ditë, por më kërkonte të mos i tregoja asaj”.

Nga “Gianni Rock” te Massimo Ranieri

Në fillim emri i tij artistik ishte Gianni Rock. Filluan koncertet në sheshe, disqet e para dhe daljet në televizion. Në moshën 15-vjeçare mori pjesë në Canzonissima, më pas fitoi Cantagiro në kategorinë e të rinjve. Në vitin 1968 mbërriti në Sanremo, ndërsa një vit më vonë erdhi suksesi i madh me Rose rosse, që shiti mbi një milion kopje.

Por karriera e tij do të merrte një tjetër kthesë. Regjisori Mauro Bolognini e pa në televizion gjatë një mbrëmjeje të Cantagiro-s dhe vendosi ta merrte si protagonist në filmin Metello, megjithëse kishte provuar më parë aktorë të kalibrit të Alain Delon dhe Jean-Paul Belmondo.

“Të gjithë i thoshin se isha vetëm një këngëtar, se askush nuk do të shkonte në kinema për të më parë”. Bolognini këmbënguli. Kështu Ranieri zbuloi aktrimin, i cili do të bëhej një tjetër pjesë themelore e jetës së tij.

“Muzika më rrinte ngushtë”

Në vitin 1975 Ranieri mori një vendim të papritur: të largohej nga muzika. “Nuk ndihesha mirë. Më dukej sikur muzika më rrinte ngushtë”. Filloi kështu periudha e teatrit. Punoi me regjisorë si Giuseppe Patroni Griffi dhe Giorgio Strehler dhe iu hap një botë e re kulture dhe studimi, të cilën nuk kishte pasur mundësi ta njihte gjatë fëmijërisë.

“Unë kam bërë vetëm klasën e pestë fillore, por tani adhuroj Çehovin”.

Muzika, megjithatë, do të rikthehej në jetën e tij. Me Perdere l’amore, në vitin 1988, Massimo Ranieri fitoi Festivalin e Sanremos. Por as suksesi i jashtëzakonshëm nuk e bëri të hiqte dorë nga teatri. Pas fitores në Sanremo, ai refuzoi një ofertë prej një miliard liretash për një turne dhe u rikthye në skenën teatrale.

Sot, duke parë pas në kohë, Ranieri reflekton edhe për moshën dhe kalimin e viteve. “Problemi me kohën është mënyra se si reagon ndaj kalimit të saj”. Dhe e mbyll intervisten me një reflektim të fortë: “Por tani e kam më të vështirë, çdo ditë e më shumë. Trupi shkon në një drejtim, mendja, për fat të mirë, në një tjetër”./Corriere

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›