E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Terapia inovative ka “zhdukur” një kancer vdekjeprurës të trurit brenda pak ditësh, si funksionon

Tek një burrë 72-vjeçar i prekur nga glioblastoma, një formë e përhapur dhe e pashërueshme e kancerit të trurit, një terapi inovative bëri që tumori të zhdukej me shpejtësi, siç theksuan mjekët raporton media italiane “Fanpage”. Pas pak ditësh, ai ishte zhdukur nga imazheria radiologjike.

tumori terapia

Glioblastoma (GBM), ose glioblastoma multiforme, është tumori malinj (kancer) më i përhapur i trurit tek të rriturit dhe, siç shpjegohet nga Cleveland Clinic, deri më sot nuk ekziston një kurë, por vetëm një sërë terapish dhe ndërhyrjesh që janë në gjendje të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes dhe simptomat.

Një shpresë për pacientët vjen nga një terapi e re dhe potencialisht revolucionare, e cila tek një burrë 72-vjeçar ishte në gjendje ta zhdukte tumorin brenda pak ditësh dhe pa u rishfaqur, siç tregojnë skanimet e trurit. Sigurisht, një rast i vetëm mund të jetë një përjashtim, por terapia dha rezultate të mira edhe tek dy pacientë të tjerë të përfshirë në një studim klinik të posaçëm. Pra, sipas medias italiane ekzistojnë baza të forta për të vazhduar testimin dhe përsosjen e trajtimit, duke pasur parasysh faktin se, siç u specifikua, bëhet fjalë për një sëmundje onkologjike në thelb të pashërueshme.

Efikasiteti i terapisë së re kundër glioblastomës u përcaktua nga një ekip kërkimor amerikan i udhëhequr nga shkencëtarë të Programit të Imunoterapisë Qelizore dhe të Mass General Cancer Center të Massachusetts General Hospital, të cilët bashkëpunuan ngushtë me kolegët e Shkollës së Mjekësisë të Universitetit Harvard – Harvard Medical School – dhe të Dana–Farber/Harvard Cancer Center (SN).

Studiuesit, të koordinuar nga profesorët Bryan D. Choi dhe Marcela V. Maus të spitalit të Bostonit, u bazuan në një variant të veçantë të terapisë së bazuar në CAR-T, qelizat T me receptor kimerik të antigjenit (CAR). Bëhet fjalë për një imunoterapi.

Pas marrjes së gjakut nga pacienti, studiuesit izolojnë dhe modifikojnë qelizat T (ose limfocitet T, qeliza të bardha të gjakut) të sistemit imunitar për t’i fuqizuar dhe për t’i bërë më të afta për t’u “vënë në gjueti” të qelizave kancerogjene. Pas inxhinierimit dhe shumëzimit në laborator, qelizat rifuten tek pacienti.

CAR-T po bëhet një nga qasjet më të suksesshme në trajtimin e tumoreve të gjakut, por, siç tregon ky studim, një variant i saj mund të jetë efikas edhe kundër glioblastomës.

Në mënyrë specifike, ekipi i udhëhequr nga Maus dhe Choi përdori qelizat T CARv3-TEAM-E, domethënë qeliza T me receptor kimerik të antigjenit (CAR), të projektuara “për të goditur antigjenin specifik të tumorit, variantin III të receptorit të faktorit të rritjes epidermale (EGFR), si edhe proteinën EGFR të tipit wild-type”, shpjegojnë autorët e studimit.

Ato e bëjnë këtë “përmes sekretimit të një molekule antitrupi që angazhon qelizat T (TEAM)”, specifikojnë ekspertët.

Kjo qasje kishte dhënë rezultate premtuese në eksperimentimin paraklinik. Pas përgatitjes dhe infuzimit të qelizave tek pacienti 72-vjeçar, me një administrim të vetëm, siç u përmend, kanceri i trurit u zhduk nga skanimet e rezonancës magnetike brenda pak ditësh, por mbi të gjitha nuk u rishfaq.

“Regresioni radiografik i tumorit ishte i menjëhershëm, duke ndodhur brenda pak ditësh pas marrjes së një infuzioni të vetëm intraventrikular”, theksojnë ekspertët.

Megjithatë, tek dy pacientë të tjerë ato nuk ishin po aq efikase, ndonëse dhanë një përgjigje shumë pozitive.

Tek një 74-vjeçar, glioblastoma u zvogëlua ndjeshëm në përmasa pas terapisë, por disa muaj më vonë u shfaq përsëri në skanimet e trurit.

Tek një grua 57-vjeçare, tumori pësoi një regresion të konsiderueshëm brenda vetëm pak ditësh, por vetëm disa javë më vonë u rishfaq.

Pavarësisht këtyre rezultateve të ndryshme të trajtimit, studiuesit janë të bindur se teknika mund t’u ofrojë përfitime pacientëve të prekur nga kjo formë agresive dhe vdekjeprurëse e tumorit të trurit, ndaj do të vazhdojnë të thellojnë eksperimentimin klinik.

Në fund të fundit, në këtë studim të parë të Fazës 1 u përfshinë vetëm tre pacientë dhe tek të gjithë, megjithatë, terapia dha sinjale të rëndësishme.

Duhet gjithashtu të merret parasysh se trajtimi u tolerua mirë, duke pasur parasysh se 72-vjeçari pati vetëm efekte anësore të moderuara.

Meqenëse përgjigjet tek dy pjesëmarrësit e tjerë në studim ishin kalimtare, është gjithsesi e domosdoshme të mos arrihet në përfundime të nxituara dhe, mbi të gjitha, të mos jepen shpresa të rreme.

Detajet e studimit “Intraventricular CARv3-TEAM-E T Cells in Recurrent Glioblastoma” u publikuan në The New England Journal of Medicine, revistën më autoritative shkencore në fushën e mjekësisë.

Falë një teknike tjetër inovative, së fundmi është “zhdukur” tek një fëmijë edhe glioma difuze intrinsike e ponsit (DIPG), një kancer agresiv dhe i pashërueshëm i trurit në moshën pediatrike.

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›