E Diel, 1 Nëntor 2026

Materialet e ndërtimit nën kontroll më të fortë

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Siguria dhe cilësia e materialeve të ndërtimit pritet të marrin një mbrojtje më të fortë ligjore, përmes një sistemi të ri të kontrollit dhe certifikimit të produkteve që vendosen në tregun shqiptar.

Projektligji “Për tregtimin e produkteve të ndërtimit”, i publikuar për konsultim publik, përcakton rregulla të reja për mënyrën se si produktet vlerësohen, verifikohen dhe dokumentohen përpara dhe gjatë vendosjes së tyre në treg.

Nëpërmjet këtij kuadri synohet që çdo produkt ndërtimi të ketë të përcaktuar dhe të dokumentuar performancën e tij, ndërsa autoritetet përgjegjëse do të kenë mekanizma më të qartë për kontrollin dhe mbikëqyrjen e tregut.

Rregullat e reja do të shtrihen edhe te gjurmueshmëria e produkteve, duke mundësuar identifikimin e tyre dhe të operatorëve ekonomikë përgjatë zinxhirit të furnizimit. Kjo synon të rrisë transparencën dhe të kufizojë qarkullimin e produkteve që nuk përmbushin kërkesat teknike.

Një komponent i rëndësishëm i projektligjit është krijimi i strukturave të specializuara për vlerësimin teknik dhe mbikëqyrjen e tregut, duke ndërtuar gradualisht kapacitetet institucionale dhe laboratorike të nevojshme për zbatimin e sistemit.

Kuadri i ri lidhet drejtpërdrejt edhe me procesin e integrimit europian. Projektligji parashikon përafrimin e kërkesave shqiptare me standardet e Bashkimit Europian për produktet e ndërtimit dhe përgatitjen graduale të administratës për zbatimin e rregullave europiane.

Për prodhuesit shqiptarë parashikohet një periudhë përshtatjeje, me synim krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës me operatorët europianë dhe shmangien e kostove të menjëhershme të kalimit në standardet e reja.

Një tjetër element është digjitalizimi i informacionit për produktet e ndërtimit, përmes krijimit gradual të sistemeve elektronike që do të mbështesin deklarimin, dokumentimin dhe shkëmbimin e të dhënave.

Projektligji parashikon gjithashtu një periudhë tranzitore për kalimin nga kuadri i mëparshëm europian, CPR 305/2011, drejt kërkesave të reja të CPR 2024, me synim shmangien e boshllëqeve ligjore dhe administrative.

Në përfundim të procesit të përafrimit, synimi është që produktet e ndërtimit të tregtuara në Shqipëri të jenë të sigurta, të verifikueshme, të gjurmueshme dhe të certifikueshme sipas kërkesave teknike europiane, duke rritur standardet e sigurisë dhe cilësisë në sektorin e ndërtimit.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›