E Diel, 1 Nëntor 2026

Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, transformim në infrastrukturë, logjistikë dhe shërbime

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Nënat dhe bebet e sapolindura së shpejti do të marrin shërbime më të mira në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”.

Ky maternitet po transformohet rishtazi në infrastrukturë, logjistikë dhe shërbime, ku rreth  20 mijë paciente në vit do të kenë një maternitet të standardeve europiane, me kushte dhe teknologji të fjalës së fundit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala vizitoi nga afër ambientet e spitalit, si dhe u takua me mjekët që shërbejnë në këtë institucion.

Sala tha se ambientet e reja janë të mrekullueshme, teksa i përgëzoi mjekët që kanë punuar deri tani në një të tretën e hapësirave.

“Të funksionosh me një të tretën e hapësirave, të japësh të njëjtën cilësi dhe volum pune nuk është kollaj”, tha Sala.

Ministrja Sala vuri në dukje se “protokollet dhe procedurat standarde të operimit janë të nevojshme aq më kollaj bëhet edhe kontrolli, edhe ka praktika më të mira. Nuk ecet përpara nëse nuk ka një digjitalizim të plotë të sistemit”.

Projekti për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” përfshiu tre plane: ndërtimi i ri me 3 kate dhe një kat nëntokësor; rikonstruksioni i plotë i godinës historike, që ka ruajtur detajet e arkitekturës unike në fasadën e saj, por dhe në hapësirat e brendshme të kësaj godine, si dhe zgjerimi i objektit ekzistues të Obstetrikës.

Në këtë spital obstetrik pjesën kryesore e zë godina e re, që përfshin shërbimet e laboratorit, imazherisë, urgjencës, Qendrën e Gruas si dhe dy shërbimet e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›