Rama: Monitorim i ambienteve të shkollave me kamerat inteligjente

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se me nisjen nga zbatimi të projektit “Smart City Albania” siguria në shkolla do të ndryshojë rrënjësisht.
Kryeministri solli në vëmendje ndikimin konkret që do të ketë ky projekt përmes monitorimit në kohë reale të ambienteve të shkollave.
Duke marrë si shembull Emiratet e Bashkuara Arabe që kanë vendosur në dispozicion këtë sistem, Rama tha se bëhet fjalë për një teknologji të natyrës strategjike që ka rezultuar me rënien në mënyrë drastike të krimeve të çfarëdolloj natyre.
“Por po ashtu kanë rënë në mënyrë drastike mungesat në shkolla, kopjet në shkollë, shfaqjet e kthimit të klasës në një kënd lodrash. Kjo sepse i gjithë sistemi funksionon për mësuesin, për prindin dhe për shkollën dhe pa dyshim edhe për Ministrinë e Arsimit”, tha Rama.
Në drejtim të sigurisë, Kryeministri tha se në momentin kur Policia e Shtetit ka nevojë të bëjë një verifikim të çfarëdo lloj natyre e ka të gjithë të regjistruar.
“Ashtu sikundër në sekondën kur një person i dyshuar i afrohet derës së shkollës apo persona të padëshiruar vijnë vërdallë shkollës për të tregtuar lëndë narkotike, punonjësit e e policisë e shohin në kohë reale”, tha Rama.
/j.p/r.e/