E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, korrupsion edhe për një notë

Ilir Paja/Poet

-Për të qenë sa realistë dhe konkretë, mjafton të përmendin fatin e mijëra maturantëve para vitit 2006... Pasi merrnin rezultatet e provimeve dhënë në shkollën e tyre përkatëse; lëndët Letërsi, me shkrim përmes një hartimi dhe me gojë siç është cilësuar në të gjitha breznitë, i nënshtroheshin dhe lëndës së Matematikës, po brenda këtij procesi. Por këtu mbaronte vërtet dashuria si për shkollën, por dhe një realitet idealist,sepse pothuaj cilido (me përjashtime të rralla) merrte: ç’është e Çezarit i takon këtij nxënësi!  Dhe pa kaluar ende emocioni prej maturanti, nxënësi ynë në mes të nxehtit të korrikut dhe gushtit, endej si gamilja në kryeqytet për të shuar “etjen” në kurse private që kur të vinte sezoni konkurseve për t’u pranuar në universitet të ndjente sigurinë e një pritjeje jo si Penelopa, sepse shërbëtoret dhe shërbëtorët e gruas së Uliksit i kishin qëndisur mirë fabulat deri në legjendë mbi nderin e saj... Të gjendur sa në “Pallatin e Kongreseve”, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” e në auditorë ku masiviteti ishte i gjithi korruptiv, nxënësit shihnin se i duhej diçka më shumë...Të blinin tezën që të shisnin të nesërmen shumë shtrenjtë. Jo pa qëllim u riktheva viteve më parë, sepse Ne si shoqëri para se të shkatërrojmë diçka e kemi projektuar brenda vetes me një ligësi, ku harresa është dobësia e parë dhe e fundit që na shoqëron kudo! Gjithë ky proces do dukej sa i vlefshëm, por mbi të gjitha realist. E para: nxënësit duke dhënë dhe dy provime me zgjedhje, pasi kishin mbaruar dhe dy provimet me detyrim, letërsi dhe matematikë, njiheshin shpejt dhe pa stresin e fshehjes së rezultateve. Dy muajt, korrik dhe gusht, për ta kalonin paqshëm dhe pa tronditje të nxehti e ankthi. E dyta: nxënësit ishin të vetëdijshëm për pikët e mbledhura dhe mundësinë e shkollimit universitar ku mund të gjenin vetveten. Kanë kaluar 7 vjet nga i gjithi ky proces, që duhet thënë se për të vihet në lëvizje, nga nxë deri tek Ministri, nga mësuesi kujdestar, që tani i ngjan kopistëve në tregimet e Gogolit, drejtoritë e shkollave, stafi statistikor, sekretaritë e këtyre shkollave, kabinetet e informatikës, DAR e qarqeve, stafi përgatitor për hartimin e tezave të lëndëve, mjete logjistike jo të pakta,e për të mbërritur tek korrigjuesit...Ashtu siç ngujohen hartuesit e tezave gati në një periudhë kohore një javore, i njëjti cikël i ngjashëm pothuaj është dhe puna e korrigjuesëve. Se çfarë do të thotë të korrigjosh në një javë, e shumta 10 ditë mbi 450( mesatarisht) teste, kolegët e mi do ishin dakord nëse do u thosha që këto 450 teste të mbeteshin ndoshta më mirë orë mësimi...Me ndryshimet politike, të cilat uroj jo të mohojnë atë që u ngrit, por ta meremetojnë si një kështjellë pas beteje, në të gjithin këtë proces mendoj se do shembur dhe rindërtuar vetëm një hallkë e Maturës Shtetërore: administrimi i procesit të nxënësve në provime! Je mësues! Ngrihesh datën dhe ditën e provimit në orën 6 të mëngjesit. Paraqitesh pranë DAR-ëve para orës 7. Pret mbi një deri dy orë të marrësh vesh shkollën ku ke rënë pasi është hedhur shorti. Njihesh me një pjesë të mësuesve, të kërkohet fikja e celularit, korrektësia, detyra si administrative, por jo pak dhe njerëzore…e pasi nis procesi i provimit Ti koleg e shkallmon deri në tjetërsim rezultatesh gjithë këtë mekanizëm kompleks dhe të madh të arsimit. Mendoj se duhet të pyesim: Përse?! Fenomeni i një humanizmi amoral ka shpjegimin e parë.

1. Mësues të tillë fshehin pas lejimit të të kopjuarit në këto ambiente dobësitë e tyre, jo ndoshta shkencore, sesa mos dëshirën dhe këndvështrimin ironik që kanë për dijen.

2. Dobësitë e autoritetit që i shoqëron vetë këta në profesion. 

3. Pafuqinë e tyre për ta parë arsimin si ekzistencë ardhmërie për të nesërmen.

4. Alibia se gjimnazet s’kanë ç’të ndryshojnë në moralin e një shoqërie plot hone zhgënjimi.

5. Bindja, se pothuaj të gjithë këta nxënës, jo vetëm do e mbarojnë këtë cikël, por do arsimohen në auditore universitarë. 6. Përmes një formalizmi: matura ia arriti qëllimit me një kalueshmëri mbi 90%, e ku  të gjithë e shfajësojnë veten, sistemi arsimor, mësuesit, dhe ajo që quhet rëndom “politikat shtetërore” për arsimin bënë një hap “cilësor”.

7. Ndoshta më e rëndësishmja: një karakter inferioriteti, për ta patur mirë me cilindo nxënës, sepse prapa një adoleshenti ngrihet një familje e tij e madhe siç është pushteti, i cili dhe pse thërrmohet në mijëra copëza nga një pushtet zanatçinjsh, shitësish ambulantë, kamarierësh, pronarë baresh, e punonjës taksash, komunarë, infermierë, aksionerë loto sportesh, sipërmarrës, e deri tek komshiu që banon pranë me një sekretar gjykate, patrulla rrugorësh, këmbyes valutorë, të gjithë këta kur vijnë e kërkojnë përtej të drejtës, që i takon fëmijës së tyre, nga megalomania peshojnë sa gurët e një piramide…lexues…mendo për  pëllëmbët reale  të pushtetit , kur njëra dorë shtrëngon të gjitha llojet e vulave shkresore, e dora tjetër ngre plot vullnet ende gurë për të mbërritur tek këndi më i ngushtë i këtij trekëndëshi pushtet, por dhe më i larti. E ndërsa, kur një koleg yni ka fëmijën e tij pjesë të këtij procesi, vetë kolegët thërrasin në mburojë moralin e dijes…Nxënësit kopjojnë, ose më thjeshtë; i lënë të kopjojnë, e shesin dijen e tyre pa as të voglin merak, se çdo notë e marrë është identiteti yt si qenie e arsimuar. Por kanë dhe një arsye të fshehtë, që pak e deklamojnë publikisht. Si vetë ekzistenca shoqërore shqiptare, janë dhe ata pjesë e një pafuqie dhe pamundësie për të marrë nga vetë realiteti pjesën më të bukur të vetes. Të ndjehen të lire sepse janë të ndryshëm!Ndërsa ata ndjehen të njëjtë sepse nuk janë të lirë!  Sipas një parimi intelektual, Dija edukon dhe kur këtë dije nuk e çmon dhe si vlerë të tillë, prit dhe ndëshkimin. Dhe ndëshkimi duhet nisur tek nxënësit. Nëse një shkollë e bind të kuptojë se ky institucion si shkolla ka mision përtej një humanizmi plot qurravitje mëshire, atëherë secili do e kërkojë shpejt vendin e tij diku gjetkë...Jo vetëm marrja e telefonave celularë, por dhe as bllokuesit e valëve të tyre, që shtetit i kushtuan 200 mijë euro, sërish nuk e shmangën ngrehinën e pamoralshme të kësaj hallke procesi të maturës shtetërore. Jam po dhe aq i bindur, se nga stafet e DAR-ve në çdo vit ngulmohet më shumë në këtë çështje. Duke e parë këtë proces të administrimit si një masë eksplozive që mund të shkrumbojë të gjithë procesin, na lindin dhe disa alternativa sa më minimizuese. Brenda modestisë,  por dhe përvojës 7 vjeçare pranë procesit të maturës, po përpiqem të jap disa rrugë të parrahura deri më tani, të cilat jo se nuk konceptohen nga stafet ministrore. E para: duke qenë se me ndryshimet paszgjedhore do ketë dhe ndryshime në procesin e vetë zhvillimit para universitar, do ishte një zgjidhje, vendosja e nxënësve në renditje sipas notës mesatare të tri viteve. Kjo dhe për një arsye, sepse do ndryshojë shumësia e vlerës së të mësuarit. Nga 20% si vlerë dhe mesatare gjimnazi mendohet të rritet në 40-50%. E dyta: duke qenë se vërtet arsimi jopublik po mban një peshë jo të vogël ka dhe këtu një detaj që lidhet me realitetin e cilësisë. Nëse një prind e kërkon një notë më tepër në arsimin publik si një e “drejtë” e padëmshme…deri diku, prindi i arsimit jopublik e blen në të drejtën e tij taksëdhënëse…!

E mbi të gjitha, arritja e një sistemi kamerash në ambiente, ku këto të fundit duke i zvogëluar nga 200 në 150 e shumta. Afërsia e qendrave të provimit pranë trekëndëshit Tiranë-Durrës-Elbasan. Marr shkas nga një përqendrim i tillë të procesit duke patur parasysh se këto tri qendra të mëdha urbane mbajnë 2/3 e të gjithë masës populluese të vendit. Të gjitha këto risi kanë dhe një argument logjik, sepse deri tani masat ndëshkuese ndaj mësuesve të tillë kanë qenë vërejtje duke i kërkuar dhe jo pak herë ndjesë. Është dramatike të ndëshkosh një mësues në një ditë provimi, ku vetë shoqërinë dhe sistemin e saj administrativ si qeverisje e ndërton përmes një morali kaq kompleks në ndikimin më shumë të së padrejtës!  Për t’iu rikthyer temës sonë, më të qenësishmen do veçoja një ndryshim në strukturën e tezave, si të letërsisë dhe të matematikës. Minimizimin e pyetjeve me alternativa dhe dhënia e një të drejte korrigjuesëve, që të dinë kufirin ku pikët bëjnë dallimin e notës. Ngritjen e kufirit të notës minimale, që po të bëjmë një llogaritje të thjeshtë; nga një total prej 50 pikësh, ku notën 10- dhjetë e ruan prej 7 viteve të maturës, në kufirin 44-45-46 pikë deri tek maksimalja 50 pikshi, ndërsa notën kaluese, ose minimale e luhat nga kufiri prej 8 pikësh. Shtimin e një modeli-varianti teze jo vetëm A dhe B, që bëhen me qëllim zhvendosjen e pyetjeve për të shmangur të kopjuarit, por dhe një model C ndoshta dhe D. Besoj se është e mundur kur dimë se kemi qendra korrigjimi në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Korçë. Mjafton një shpërndarje modelesh – variantesh dhe kjo do e shmangte ende më tepër një sistem kaq të paqëndrueshëm siç do mbetet besoj administrimi. E së fundi; pas mbylljes së procesit, nxënësve që nota e tri viteve u luhatet dallueshëm me atë të provimit, mos t’i njihet;  duke ngritur një mini komision rivlerësues brenda shkollës. Pa lënë mënjanë dhe heqjen përfundimisht të riprovimeve në sezonin e dytë, pra të vjeshtës. Para disa vitesh, ish-Kreu i Shtetit jepte një koncept të tijin mbi çështjen e arsimit ku thotë, se më mirë një brez rinie i arsimuar dhe pa punë sesa një rini e paarsimuar dhe pa punë.  Për të qenë dakord me këtë koncept, unë e shoh të ligjshme këtë sistem vetëm në shëndetin moral të kësaj rinie, sepse arsimi e largon njeriun nga rruga e krimit. Kështu  shkolla, pra auditorët universitare zëvendësojnë plotësueshëm traumën e një shmangieje të rolit prindëror në qëllimin ekzistencial të fateve të një rinie kaq e re, por dhe kaq obezë në rolin që i takon të ketë.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›