E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një Kod të sjelljes dhe komunikimit

etikeNga Altin Ketro

Pritshmëritë për qeverinë e re, janë të mëdha. Për këtë, është i ndërgjegjshëm edhe vetë kryeministri Rama, i cili shprehet për qeverinë e tij se, ka mandat të fortë dhe të brishtë njëkohësisht, kjo për shkak të pritshmërive që qytetarët kanë ndaj saj.

Një ndër pritshmëritë (në fakt janë shumë), është edhe sjellja e administratës karshi qytetarëve të thjeshtë. Këta të fundit janë pjesa dërrmuese që ndeshen përditë me nivelet e ulta e të mesme të administratës, nga ku marrin edhe shërbimet e drejtpërdrejta.

Qytetarët janë të niveleve të ndryshme kulturore, jo çdo gjë e kuptojnë ashtu siç duhet, shfaqin tension dhe padurim, kanë nivel të lartë mosbesimi, u duket se ia kanë me hile etj, etj. Të gjitha këto çojnë në nervozizëm. Ky pastaj reflektohet në përballje të ashpra me nëpunësit, të cilët, ose nga stresi i punës, ose nga mungesa e vetëpërmbajtjes, bien në pozitat e banalitetit gjatë fjalëkëmbimit.

Natyrisht, kjo smund të përgjithësohet, por askush smund të thotë se nuk ndodh. Secilit i ka rastisur, ose vetë personalisht, ose i ndodhur rastësisht në ambiente të tilla, të shohë deri dhe kacafytje me duar.

Për të shmangur rastet kur sjellja e nëpunësit bie në nivelin e rrugës, duhet që çdo institucion të ketë Kodin e komunikimit e të sjelljes. Një Kod i atillë që të përcaktojë qartë mënyrat e sjelljes dhe komunikimit në shumë plane, si atë brendapërbrenda vetë institucionit, ashtu dhe ndaj çdo qytetari. Një Kod që, edhe nëse ekziston, duhet të bëhet funksional për tu zbatuar dhe jo të jetë thjesht sa për të qenë aty si relike.

Kur të ka zënë halli dhe të duhet të shkosh në ndonjë zyrë shteti, ndodh të ndeshesh me pritje shpërfillëse prej nëpunësve. Hë mo, erdhe prapë ti?, Tani e gjete të vish? Ik, se jam i/e zënë, Po ik e zgjidhe punë tënde ku të duash, as më plas fare, etj., etj., janë disa nga shprehjet që përdoren rëndom. Kjo mënyrë të prituri tingëllon sikur i je bërë barrë nëpunësit që e ka për detyrë të të shërbejë, kur në fakt është pikërisht ai që bëhet pengesë që çështjet të zgjidhen sa më shpejt. Ky është një shembull i thjeshtë, po sa e sa të tillë hasen çdo ditë, bile shumë më të rëndë?

Sigurisht, dhe nga ana e qytetarëve ka shfaqje të tejkalimit të normave të edukatës për shkaqet që theksova më sipër. Por, sado arrogancë të shfaqë një qytetar, qoftë edhe kur kërkon të drejtën e tij që i zvarritet, nuk mundet që nëpunësi ti kundërpërgjigjet me të njëjtën monedhë deri dhe me përballje fizike. Në raste të tilla njoftohen grupet e sigurisë që ka pothuajse çdo institucion dhe pritet ndërhyrja e tyre për ta qetësuar apo larguar personin problematik.

Nëpunësit duhet të jenë dinjitozë në ushtrimin e detyrave të tyre, me qëllim që të fitojnë respektin dhe besimin e qytetarëve. Qysh nga pritja në sportel apo në zyrë, trajtimi me seriozitet i problematikave të secilit, ngrohtësia dhe qetësia në komunikim, dëshira për ta ndihmuar përtej mungesës së njohurive që ka i interesuari për një çështje të caktuar, etj., krijojnë atmosferën e dëshiruar për një shërbim të kulturuar, larg debateve dhe sharjeve reciproke.

Në këto kuadër, qeverisjes së re i del detyrë shumë e rëndësishme, që të kryejë një trajnim të plotë e të gjithanshëm të administratës. Jo thjesht në aftësimin e nëpunësve për detyrat që ata mbulojnë e për të cilat paguhen, po paralelisht dhe në aspektin e njohjes së rregullave të komunikimit me popullin, për shkeljen e të cilave nëpunësi të marrë, sipas rastit, edhe ndëshkimin përkatës.

Sigurisht, ky do të jetë një proces i gjatë e i vështirë, pasi nuk bëhet fjalë për dy a tri individë që i shkarkon menjëherë, por janë me mijëra syresh. Si fillim, le të hedhin hapat e parë për ti bërë funksionalë këto kode të komunikimit e të sjelljes, me qëllim që, pak e nga pak, qytetarët të ndjejnë se një erë e re po fillon të nisë në marrëdhëniet e tyre me administratën publike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›