Maturantët testojnë njohuritë në gjuhën shqipe, dalin në rrjetet sociale dy variantet e tezës

Mbi 27 mijë maturantë i janë nënshtruar këtë të martë provimit të dytë të maturës shtetërore atij të gjuhës shqipe dhe letërsisë. Maturantët kanë hyrë në provim në orën 10 dhe koha që kanë pasur në dispozicion për të zgjidhur gjithçka ka qenë 2 orë e gjysmë.
Ashtu siç ka ndodhur edhe në provimet e tjera 40 minuta pasi maturantët kanë hyrë në provim ka qarkulluar në rrjetet sociale varianti A dhe B i tezës së gjuhës shqipe.Të pyetur pas testimit maturantët konfirmojnë se pyetjet e tezës së publikuar kanë qenë të njëjta me ato që kanë dhënë në provim, edhe pse kjo nuk i ka shërbyer atyre për zgjidhjen e ushtrimeve.
“Jo nuk e dija që ka dal teza”, u shpreh një prej maturantëve.
“Këto janë pyetjet e tezës por nuk kishim dijeni që kishin dal”, tha një tjetër.
Disa prej maturantëve e kanë cilësuar këtë provim te një niveli mesatar vështirësie të tjerë shprehen se ishte i vështirë, jo të gjithëve u ka mjaftuar koha e vënë në dispozicion prej 2 orë e gjysmë për të zgjidhur gjithçka.
“Provimi ishte mesatar dhe pse kishte pyetje të cilat ishin pak më të vështira“, tha një prej maturanteve.
“E menaxhuam me sukses edhe pse disa pyetje ishin disi të vështira”, tha një tjetër maturante.
Vështirësia e pyetjeve në provimet e Maturës Shtetërore është e përshkallëzuar sipas nivelit të nxënësve. 40% të pyetjeve janë për nivelin e 5 dhe 6, 40% të tjera për nivelin mesatar dhe 20% janë pyetje të vështira që ndajnë nxënësit e 9-s nga ata të 10-s.
Javën e ardhshme me 17 qershor maturantët do ti nënshtrohen provimit të matematikës dhe më 24 qershor provimit të fundit atij të lëndës me zgjedhje me të cilin përmbyllet edhe kjo maturë shtetërore.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/