E Diel, 1 Nëntor 2026

Maxhuni, dënohet dhe pensionohet

Komisioni Disiplinor (KD) i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në mbledhjen e vet të mbajtur të mërkurën, ka marrë disa vendime. Mbi të gjitha është përqendruar në ndeshjen Kosova-Vëllaznimi, pas incidentit që ndodhi në fund të ndeshjes, kur u grushtua futbollisti mysafir Liridon Podrimja nga Mensur Maxhuni i vendësve.

Nga kjo përleshje më së keqi e pësoi kapiteni i vushtrriasve, i cili nuk ka të drejtë loje për një vit. “Për shkak të kartonit të kuq e më pas grushtimit të kundërshtarit, Mensur Maxhuni është dënuar me 12 muaj moslojë. E kemi marrë edhe raportin e mjekut. Kurse për shkak të shtyrjes dhe kacafytjes me kundërshtarin, Liridon Podrimja dënohet me tri ndeshje moslojë”, njofton Komisioni Disiplinor i FFK-së.

Vendimi i KD të FFK-së ka arritur menjëherë pasi Komisioni i Garave i FFK-së kishte hapur procedurë disiplinore ndaj futbollistëve të lartpërmendur. Maxhuni thotë se edhe po të mos dënohej nga Federata, kishte vendosur ta linte futbollin përfundimisht pas këtij rasti dhe për shkak të obligimeve tjera që ka në jetën private.

“Edhe po të më dënonte Federata 2 ose 3 ndeshje, unë nuk do ta luaja më futboll. Kam vendosur të përshëndetem, pasi kam angazhime tjera”, tha fillimisht mesfushori vushtrrias.

Ai ndien keqardhje prej familjes së Podrimës, por për askënd tjetër e as për futbollistin gjakovar.
“Xhirimet televizive nuk i kanë shfaqur të gjitha ato që kanë ndodhur. Fyerjet dhe ofendimet që i ka bërë ai lojtar ndaj meje ishin të papranueshme. Prej tij nuk më vjen keq aspak, as prej Vëllaznimit, as prej klubit tim e as prej Federatës. Mua më vjen keq dhe i kërkoj falje familjes së futbollistit, pasi që e paramendoj se sa rëndë janë ndier kur e kanë parë rastin. Edhe vetë jam ndier rëndë”, theksoi mesfushori vushtrrias.

Maxhuni e ka përfunduar kështu karrierën jo në mënyrën e dëshiruar, kurse Podrimja mund t’i rikthehet futbollit aktiv pasi ta vuajë dënimin prej tri ndeshjesh dhe pasi të shërohet plotësisht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›