Mazhoranca: Bllokimi, pasojë e krushqisë së 1 prillit, por zgjedhjet do të zhvillohen

Debate në Kuvend për vakancën në KQZ
Kuvendi nisi dje punimet me debate mes mazhorancës dhe opozitës, lidhur me situatën më të fundit të krijuar në KQZ pas shkarkimit të Ilirjan Muhos dhe dorëheqjeve të njëpasnjëshme.
Në nisje të seancës me rend dite diskutime mbi projektligjin e aderimit të Shqipërisë në Marrëveshjen e Londrës për patentat, opozita devijoi rendin e ditës, duke iu referuar situatës në KQZ. Njëkohësisht me insistimin e deputetes së PS, Arta Dade, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli përsëriti kërkesën që opozita të sjellë propozimet për plotësimin e vendeve vakante në KQZ, të krijuara pas tërheqjes së dy anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste.
Por, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, justifikoi mosçuarjen e emrave në Parlament për plotësimin e dy vendeve vakante në KQZ, me pretendimin se ky institucion është marrë peng dhe politizuar nga maxhoranca.
Gjatë fjalës së tij, Ruci, akuzoi mazhorancën për politizim të institucionit të administrimit të zgjedhjeve dhe për shkatërrim të standardeve demokratike. Ai bëri të ditur se nuk kishte marrë aspak në konsideratë kërkesën zyrtare të Kuvendit, referuar Kodit Zgjedhor për paraqitjen në seancën e sotme të emrave që do të plotësonin vakancën në KQZ.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi i cili garantoi se, zgjedhjet e 23 qershorit do të zhvillohet pavarësisht përpjekjeve të opozitës për t’i bllokuar.
“Politikanët nuk merren me të shkuarën, por shohin nga e ardhmja. Por kjo është pasoja e re e krushqisë së 1 prillit. Dje i dhatë çdo shqiptari arsyet pse Ilirjan Muho nuk mund të qëndronte asnjë dite në KQZ, sepse anëtarët e KQZ u sollën si militantë të thekur partie, se kur Rama jep komandën “bajonete shpo’, ato nisen. Rama trimi që deklaronte se edhe në shtëpinë e vet po t’i numëronte votat Saliu nuk do e shmangte fitoren, i bie se fitoren e përcaktoka vetëm një anëtar i KQZ. Çfarëdo vendimi të marrë Edi Rama zgjedhjet do mbahen se janë e drejta kushtetuese e shqiptarëve. Ajo që për shqiptarët është një e drejtë, për Ramën dhe PS është detyrim kushtetues, të cilit po i shmanget”, deklaroi Patozi.
Topalli, opozitës: Sillni emrat për KQZ-në
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë seancës plenare të së enjtes, përsëriti kërkesën për opozitën që të sjellë propozimet për plotësimin e vendeve vakante në KQZ, të krijuara pas tërheqjes së dy anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste. “Respektoni rendin e ditës së parlamentit, që është miratuar me konsensus. Respektoni rregulloren dhe ligjin dhe sillni emrat për KQZ-në. Ndërsa, për çështjet që i keni prioritare merreni fjalën, si e keni marrë, në diskutimet jashtë rendit të ditës”, u shpreh Topalli. Seanca e djeshme plenare, sikurse pritej, nisi me debate mes deputetëve të PS-së dhe kryetares së Kuvendit, për zhvillimet e fundit politike, pas zëvendësimit të anëtarit të KQZ-së, të propozuar nga LSI dhe dorëheqjes së dy anëtarëve të tjerë të propozuar nga PS. Një ditë më parë Topalli i kërkoi kreu të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, që në zbatim të kodit zgjedhor të sillte në Kuvend propozimet për plotësimin e vendeve vakante.