“PS e nënshtruar - Edi Rama nxit urrejtje jakobine ndaj meje”

Deputeti Kastriot Islami reagon pas protestës së FRESSH ndaj familjes së tij
Kastriot Islami komentoi tensionin në Kuvend në seancën e së hënës, protestën e të rinjve të FRESSH-it përpara banesës së tij, si dhe argumentoi vendimet për të votuar pro ministrave të rinj të qeverisë dhe shkarkimit të Ilirjan Muhos nga KQZ-ja. Ish-deputeti socialist akuzon kryetarin e opozitës Edi Rama se po tenton të nxisë urrejtje ndaj tij. Lidhur me akuzat për tradhti, Islami theksoi se nuk mund të konsiderohet tradhti fakti që ai e përdor mandatin në funksion të bindjes së tij. “Termi tradhtar është një terminologji e komunizmit. Teza që zoti Rama bën është shumë e rëndë, pasi nxit urrejtje. Unë jam munduar t’i bind ata që të mos më përjashtojnë nga PS. Jam munduar t’i bind se çdo votë është e vlefshme. Unë nuk kam ikur nga grupi parlamentar, por jam përjashtuar nga grupi parlamentar. Zoti Rama sillet në mënyrë jakobine, naziste, terroriste, mandati është në dorën time, unë i bindem bindjes time. Unë analizoj dhe në fund marr një vendim. Unë veproj mbi bazën e bindjes time. Me një mesazh jakobin që jep Rama dhe veprime jakobine që bëjnë disa kolegë të mi, nuk më bindin që të mos veproj sipas bindjes time. Retorika e Ramës është thjesht një retorikë për të nxitur urrejtje. Zoti Rama është në qasje shumë të gabuara, aq më tepër që synon të bëhet kryeministër i vendit”, deklaroi Islami.
I pyetur nëse kishte kërkuar personalisht të merrej në mbrojtje pas protestës së organizuar nga FRESSH-i përpara banesës së tij, zoti Islami u përgjigj: “Ajo qe ka ndodhur në shtëpinë time edhe Mao Ce Duni do e ishte zi. Të shqetësosh banorët, familjen, është një gjë e paimagjinueshme. Kishte bërë njëri një koment në blogje, pse nuk shkojnë të bëjnë protestë në shtëpinë e Dogjanit, Kadelit. Atë ditë ka ardhur vetë policia sepse ka qenë e paligjshme. Nuk kanë asnjë lloj të drejte të shqetësojnë familjen time dhe fëmijët e mi. Unë mendoj që politika zhvillohet në parlament, por nuk ka askush të drejtë të kërcënohet në lidhje me vendimet që ka. I bëj thirrje zotit Rama të reflektojë, të distancohet sepse nuk i mbush askujt mendjen me termat mercenarë, tradhtarë, të shitur. Nuk kam kërkuar mbrojtje. Kam menduar që ata po bëjnë vetëm një dhunim retorik, psikologjik të familjes duke menduar se do të ndryshoj mendim. Nuk ka njeri dot mundësi të ndryshoje opinionin tim. Unë nuk grindem me grushte, por pjesën time më të fortë kam trurin”, tha ai. Në përfundim, Islami bëri të ditur vendimin e tij për të qëndruar në politikën aktive, ndërsa tha se mbetet i hapur ndaj çdo oferte. “Për mua morali dhe integriteti është shumë i rëndësishëm.”, përfundoi Islami.