Mazhoranca, në vështirësi për ligjet

PD tërheq në "heshtje" ligjet që kërkojnë 84 vota. Ligjet me shumicë të thjeshtë vendosin në vështirësi shumicën
Socialistët ndryshojnë strategji, votojnë në listën e prezencës, por nuk marrin pjesë në asnjë votim
TIRANË - Mazhoranca provokoi dje opozitën duke futur në rendin e djeshëm tetë ligje që kërkonin shumicë të cilësuar, por deri në fund të seancës asnjë prej tyre nuk u përmend. Ndryshimi i tetë Kodeve, gjë që kërkon 84 vota, ishte vendosur në axhendën e punës por mazhoranca as nuk i hodhi për diskutim për shkak se i mungonin votat e duhura.
Mungesa e votave u vu re edhe tek ligjet që kërkonin shumicë të thjeshtë. Numrat e mazhorancës për të miratuar ligjet që kërkonin 71 vota u vunë në pikëpyetje për një moment, por ishte Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ajo që ndërpreu për të dytën herë seancën në mënyrë që të plotësohej numri i nevojshëm për miratimin e ligjeve dhe seanca të mos dështonte.
Në një seancë maratonë, që zgjati përreth 13 orë, ku u miratuan pesë ligje me shumicë të thjeshtë, pati dhe debate midis dy forcave më të mëdha politike.
Me diskutimin deri në pikën e nëntë të rendit të ditës, kryeparlamentarja kërkoi pesë minuta pushim, duke dhënë të kuptohej në këtë mënyrë se seanca nuk do të vijonte më tej me diskutimin e ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar. Pas pushimit, deputetët u ulën në vendet e tyre për të filluar me seancën, ku fillimisht u mbajt lista e prezencës dhe figuruan 133 përfaqësues të popullit.
Nga llogaritjet matematikore kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk ishte e kënaqur për shkak të numrave të deputetëve që mund të vendosnin në vështirësi kalimin e ligjeve me shumicë të thjeshtë.
Në këtë situatë, ajo vetëm dy minutë pas mbarimit të pushimit mbyll sërish seancën, duke kërkuar një tjetër pesëminutësh.
Ky fakt ka irrituar opozitën, që megjithëse kërkuan vijimin e seancës, nuk u mor parasysh kërkesa e tyre.
Por menjëherë, ndërsa tre deputetë iu bashkuan grupit Parlamentar Demokrat, Topalli rihapi seancën për të vijuar me votimin e ligjeve.
Ndryshe nga herët e tjera, grupit Parlamentar Socialist ndryshoi strategji për procesin e votimit. Ndërsa jemi mësuar të shikojmë një opozitë që sapo ka një votim të largohet nga salla plenare, këtë radhë ajo nuk veproi kështu.
Deputetët socialistë morën pjesë në listën e prezencës, por sapo filloi procesi i votimit ata hoqën kartat e tyre nga mjeti i votimit personal elektronik për të bërë rolin e "spektatorit" gjatë miratimit të ligjeve. Ky fakt, nuk i ka pëlqyer shumë drejtueses së seancës, e cila u është drejtuar opozitës duke i thënë se megjithëse i bëjnë këto gjëra janë të filmuar nga kamerat për prezencën e tyre.
Pothuajse të gjitha ligjet u miratuan me 71 vota, me përjashtim të ligjit për pronat, ku ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, abstenoi. Pas miratimit të ligjeve me shumicë të thjeshtë, Topalli mbylli seancën, duke mos sjellë në vëmendje asnjë prej ligjeve me shumicë të cilësuar.
Ndër ligjet që mbetën pa u miratuar dje ishte ligji për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Administrative. Mosmiratimi i këtij ligji mban peng ngritjen e Gjykatës, e cila do të lehtësojë procedurat gjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative që kanë bizneset e ndryshme me shtetin. Edhe Kodet nuk kanë mundur që të miratohen nga seanca e djeshme parlamentare.
Sipas Kushtetutës, të gjitha Kodet duan 84 vota, rrjedhimisht kërkojnë edhe pëlqimin nga opozita. Kodet që nuk mundën të hidheshin në votim janë: ligji për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë; ligji për Kodin Penal; ligji për Kodin Hekurudhor; ligji për Kodin Doganor; ligji për Kodin Ajror; ligji për Kodin Rrugor dhe ligji për Kodin Detar.
PA U KALUAR NË VOTIM NGA RENDI I DJESHËM I SEANCËS PLENARE
9. Projektligj "Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative".
10. Projektligje "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".
11. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 26.10.1998 "Për Shërbimin Informativ të Shtetit" të ndryshuar".
12. Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994 "Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".
13. Projektligje "Për disa ndryshime she shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, "Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar".
14. Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9317, datë 18.11.2004 "Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë".
15. Projektligj "Për disa ndryshime në ligjin nr. 8449, datë 27.01.1999 "Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë" të ndryshuar".
16. Projektligj "Për një shtesë në ligjin nr. 10.040 datë 22.12.2008 "Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë".
17. Projektligj "Për një ndryshim në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 "Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë".