GJND: Kosova është shtet i pavarur!

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli dje vendimin: Pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë bëri publik mendimin rekomandues për Kosovën ku thuhet se Deklarata e Pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
"Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare." Ishte kjo përgjigja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ndaj kërkesës së Serbisë, që organi më i lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të përgjigjet në pyetjen: "A ishte Deklarata e njëanshme për pavarësi e shpallur prej organeve të përkohshme të vetëqeverisjes, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?".
Në emër të 15 gjykatësve të GJND-së, kryetari i saj Hisashi Owada bëri të ditur se gjykatësit kanë marrë parasysh të gjithë elementet e rëndësishme për këtë proces dhe kanë konstatuar se ky institucion e ka të drejtën që të japë mendimin juridik për çështjen e shtruar.
Në shpjegimin që zgjati rreth një orë e gjysmë, japonezi Owada fillimisht përshkroi rrethanat që kanë sjellë deri tek shpallja e pavarësisë dhe rikujtoi dokumentet që janë nxjerrë lidhur me Kosovën.
"GJND konsideron se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare, nuk përmban asnjë dispozitë me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi GJND-ja konstaton se pavarësia është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare", theksoi Owada.
Vendimi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, e shpallur me 17 gusht të vitit 2008, nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, është marrë me një shumicë të bindshme të votave të gjykatësve.
10 gjykatës ishin të këtij mendimi, ndërsa katër ishin kundër.
Owada shpjegoi gjerësisht edhe mendimin e Gjykatës për pohimet e Serbisë dhe mbështetësve të saj, se pavarësia e Kosovës është shpallur në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstaton se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është nxjerrë me qëllim që t'i jepet fund pushtetit të Serbisë në Kosovë. Ajo parashikon administrimin e përkohshëm ndërkombëtar të Kosovës prej UNMIK-ut, i cili kishte për detyrë të ndihmojë krijimin dhe forcimin e institucioneve vendore.
Gjykatësit ishin të mendimit se Rezoluta 1244 kishte karakter të përkohshëm dhe se nuk e ndalon zgjidhjen e statusit të Kosovës. Përkundrazi parashikon krijimin e kushteve për një zgjidhje të përhershme.
"GJND-ja konkludon se nuk mund të pranohen argumentet se Rezoluta 1244 parashikon ndalimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës", theksoi Owada. Të këtij mendimi ishin 9 gjykatës të GJND-së ndërsa pesë ishin kundër. Kryetari i Gjykatës konstatoi po ashtu se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim as me Kornizën Kushtetuese, të miratuar në kohën e UNMIK-ut.
"Përpjekjet e Beogradit do kufizohen, çështja mes Kosovës e Serbisë do të zgjidhet nga BE me ndihmën e SHBA"
Surroi: Vendimi i qartë, s'ka hapësirë për interpretim
Në një intervistë për Zërin e Amerikës menjëherë pas shpalljes së opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, analisti dhe publicisti i njohur Veton Surroi tha se Kosova nuk mund të kishte pritur për një vendim më në favor, më të qartë që nuk lë hapësirë për interpretime të dyfishta. Ai tha se pas kësaj Kosova duhet të punojë në nivelin diplomatik së bashku me vendet aleate për të shtuar numrin e vendeve që do ta njohin shtetin e ri.
Përqëndrimi në funksionimin e brendshëm dhe sovranitetin territorial është një pikë tjetër tha zoti Surroi ku duhet të përqëndrohet puna pas shpalljes së këtij vendimi.
Beogradi pa e ditur na ka kryer një shërbim të madh tha zoti Surroi, duke komentuar lidhur me mundësinë e vazhdimit të përpjekjeve të Beogradit për të sfiduar pavarësinë në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Zoti Surroi tha se përpjekjet e Beogradit pas këtij vendimi do të kufizohen sepse në fund të fundit çështja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhet nga Bashkimi Evropian me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Analisti Surroi parashikon se në bisedimet e pritshme Prishtinë-Beograd pas vendimit të GJND nuk do të flitet më për mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe se është përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar dhe e qeverisë së Kosovës çështja në Veriun e vendit.
Mos të harrojmë tha zoti Surroi se përkundër këtij gëzimi të madh kemi një proces ligjor kundër zotit Haradinaj duke shtuar se situata për qeverinë e Kosovës vazhdon të jetë e brishtë dhe do të sfidohet jo vetëm në vjeshtë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme por edhe nga vala korruptive që duhet luftuar sa më fuqishëm.
Thaçi: Fitore historike
Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi nga Uashingtoni, ku ndodhet në vizitë zyrtare, se vendimi ishte "një fitore historike për Kosovën dhe për rajonin, për demokracinë edhe të ardhmen euro-atlantike."
"Ky opinion ka qartësuar definitivisht të gjithë rajonin, por edhe vendet e interesuara që punojnë me ne, për të ardhmen tonë edhe SHBA-ja edhe Bashkimi Evropian," - tha zoti Thaçi, duke shprehur vullnetin e qeverisë së tij për bisedime me Serbinë lidhur me çështje teknike.
SHBA: Europa të bashkohet
SHBA e përshëndeti vendimin e GjND-së. Në një mesazh indirekt Beogradit, thotë agjencia e lajmeve Reuters, SHBA tha se "tani është koha që Evropa të bashkohet rreth një të ardhmeje të përbashkët". Kjo deklaratë e shkurtër u përcoll përmes e-mailit, nga zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit P.J. Croëley.
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tha pas vendimit të GJND-së se "tani e tutje do të ketë njerëz në botë që do të tentojnë të shkruajnë deklarata pavarësie, që sipas gjykatës është në rregull me ligjet ndërkombëtare." "Nga ana tjetër, e drejta për ndarje nuk u mor në konsideratë nga Gjykata," tha ministri i jashtëm serb.
Hyseni: të punojmë për paqe
Qeveria e Kosovës tha se tani i takon Serbisë që të bisedojë me të si shtet i pavarur. I ndodhur në Hagë, ministri i Jashtëm, i Kosovës, Skënder Hyseni, i bëri thirrje Serbisë që të punojë për paqe në Ballkan. Ministria e Jashtme ruse tha se vendimi i GJND-së nuk prezantoi një bazë ligjore për pavarësinë e Kosovës.
Sejdiu: Vendimi heq të gjitha dilemat
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se mendimi i gjykatës përfundimisht i heq të gjitha dilemat që mund t'i kenë pasur vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. "Prandaj, ne u bëjmë thirrje sërish këtyre vendeve që të marrin sa më parë vendimet e tyre për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran".
"Siç shihet edhe nga ky mendim i GJND-së Kosova nuk paraqet rast precedent për asnjë rast tjetër në botë", tha presidenti Sejdiu në një konferencë me gazetarë në Prishtinë.
Ai i bëri thirrje Serbisë për bashkëpunim me Kosovën si dy shtete fqinje. "Duke qenë në fqinjësi të parë, duhet të punojnë për krijimin e një fryme të re të bashkëpunimit në interes të mirëqenies dhe perspektivës së qytetarëve të të dyja shteteve sovrane", u shpreh presidenti i Kosovës.
Kuçi: Fitore edhe për Serbinë
Zyrtarë të lartë të qeverisë, të cilët në mënyrë kolektive e kanë ndjekur në televizion seancën e Gjykatës së Hagës, kanë reaguar me emocion kur gjykatësi kumtoi mendimin e trupit gjykues.
Pas duartrokitjeve të shumta dhe dollive me shampanjë, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi tha se konfirmimi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga institucioni më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare po hapte një kapitull të ri politik për vendin.
"Është një fitore e drejtësisë, është një fitore e Kosovës, një fitore e gjithë qytetarëve të saj, por dua të besoj se është një fitore edhe e rajonit në tërësi, në këtë rast besoj se është fitore edhe për Serbinë, sepse në një mënyrë mund ta heqin qafe këtë problem", tha zoti Kuçi.
Kosova në festë
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, grupe të njerëzve kanë dalë në rrugët e Kosovës duke u rënë borive të makinave, të cilat i kishin stolisur me flamuj të Kosovës. "Jemi shumë të lumtur, e kemi pritur pavarësinë qe sa vite dhe tani edhe Gjykata e konfirmoi se nuk e kemi shkelur të drejtën ndërkombëtare, as rezolutën 1244, kështu që presim njohje të reja të vijnë tani", u shpreh një qytetar.
Berisha: Vendim për paqen
Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur në një konferencë për shtyp vendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës. Berisha ka deklaruar se gjykata e Hagës faktoi para gjithë planetit se pavarësia e Kosovës ishte më se e drejtë. "Përshëndesim vendimin e GJND. Gjykata e Hagës, trupi gjykues më i lartë i botës, u faktoi qytetarëve të planetit se pavarësia e Kosovës është në frymë të plotë me të drejtën ndërkombëtare.
Është në frymë dhe gen të plotë me të gjitha rregullat, rezolutat e rregulloret. Ky është një vendim historik, një kontribut madhor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan e më gjerë", është shprehur Berisha.
Rama: Dita e dytë më e bukur
Kryetari i PS Edi Rama ka përshëndetur vendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës, duke deklaruar se ai hap rrugën për njohje të reja. "Sot është dita e dytë më e bukur për Kosovën dhe Shqipërinë pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt.
Sot GJND shpalli një vendim që i hap rrugë njohjes së mëtejshme të Kosovës", ka pohuar Rama. Lideri i opozitës ka theksuar se organi më i lartë gjyqësor në botë u dha sot fund dilemave mbi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.
"Të gjithë kemi qenë të bindur se shpallja e pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe GJND e sanksionoi sot këtë bindje. Në emër të opozitës shqiptare shpreh kënaqësinë për vendimin e dhënë sot nga GJND", është shprehur Rama.
Ademi: Beogradi të bindet
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi, tha se vendimi i saposhpallur nga GJND-ja do të eketë efekt pozitiv, jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë rajonin në përgjithësi: "Mendoj se Beogradi duhet të bindet me realitetin e ri, të krijuar,"- tha zoti Ademi.
Ç'është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë?
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që njihet ndryshe dhe si Gjykata Botërore, është një gjykatë e përhershme e OKB-së me seli në Hagë. Ajo e ka filluar punën në vitin 1946, kur zëvendësoi Gjykatën e Përhershme Ndërkombëtare të Drejtësisë që kishte funksionuar që nga viti 1922.
GJND-ja ka dy funksione: Merr vendime në raste mosmarrëveshjesh, kur një shtet e kërkon një gjë të tillë. Jep opinione kur i kërkohet nga organizma apo agjensi të OKB-së- si është për shembull kërkesa e Ansamblesë së Përgjithshme e vitit 2003 për ligjshmërinë e barrierës që Izraeli ka ndërtuar në Bregun Perëndimor.
Gjykata përbëhet nga 15 gjykatës, të kombësive të ndryshme, që zgjidhen për një mandat 9 vjeçar nga Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i Sigurimit. Anëtarët e GJND-së nuk përfaqësojnë qeveritë e vendeve nga vijnë, por janë gjykatës të pavarur.
Vetëm shtetet e njohura ndërkombëtarisht mund të aplikojnë dhe të paraqiten para Gjykatës, përkatësisht vendet anëtare të OKB-së. Gjykata mund të dëgjojë një çështje para saj, vetëm në rast se shtetet e përfshira në të, e kanë pranuar juridiksionin e saj. Një çështje nis me paraqitjen dhe shkëmbimin me shkrim të argumenteve nga palët, e pasuar nga disa seanca dëgjimore
Kosova është një shtet i pavarur dhe territori i saj është i paprekshëm, thotë Sekretarja amerikane e Shtetit në deklaratë
Klinton: Vendimi në përputhje me SHBA
Në një deklaratë, Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se opinioni i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përputhej me pikëpamjen e shprehur prej kohe nga Shtetet e Bashkuara se deklarata e pavarësisë së Kosovës është në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare. Kjo, tha zonja Klinton, është pikëpamja që Shtetet e Bashkuara parashtruan në dokumentet që i dorëzuan Gjykatës si dhe në procedurat gojore që ajo mbajti në muajin dhjetor. Kosova është një shtet i pavarur dhe territori i saj është i paprekshëm, thotë Sekretarja amerikane e Shtetit në deklaratë.
Zonja Klinton u bëri thirrje të gjitha vendeve që ta kapërcejnë çështjen e statusit të Kosovës dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Ajo tha se të gjitha ato shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën duhet ta bëjnë këtë.
Serbia dhe Kosova janë që të dyja mike dhe partnere të Shteteve të Bashkuara, tha Sekretarja e Shtetit, e cila u bëri thirrje atyre që të lënë mënjanë dallimet dhe të ecin përpara për të zgjidhur çështjet praktike dhe për të përmirësuar jetën e popujve të Kosovës, Serbisë, dhe rajonit. Kjo, tha zonja Klinton, është rruga drejt të ardhmes së tyre si pjesë e një Evrope të pandarë, të lirë, dhe në paqe.
Ajo tha se Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e Bashkimit Evropian për të ndihmuar të dyja vendet në realizimin e synimeve të tyre evropiane.