E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazniku: Harta e re territoriale duhet të jetë gati para zgjedhjeve vendore

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale mazhoranca prezantoi e vetme raportin e hartuar nga ekspertët socialistë për hartën e re administrativo-territoriale.

Bashkëkryetari, deputeti i shumicës Arbian Mazniku tha se reforma territoriale do të realizohet tani, dhe do t’i qëndojnë variantit fillestar jo vetëm për uljen e numrit të bashkive, por edhe për ndarjen në rajone.

“Ky skenar parashikon një reduktim të vogël të numrit të bashkive duke bashkuar njësi të vogla pa masë kritike me qendra më të forta fqinje. Së pari kështu konsolidojmë bashkitë, i japim atyre madhësinë dhe kapacitetet njerëzore që u mungojnë dhe e dyta na lejon në këtë moment të kapim afatet elektorale”, theksoi Mazniku.

Mazniku u shpreh se “harta e re duhet të jetë gati para zgjedhjeve vendore. Krijimi i një mekanizimi funksional rajonalizimi. Shqipëria ka nevojë për një nivel të dytë real qeverisje”.

Mazniku tha se “çdo kompetencë të shoqërohet me financimin e nevojshëm. Asnjë ndarje e re funksionesh apo territoriale nuk qëndron pa një sistem financimi që e shoqëron”.

Më herët, kur në tryezë ishte edhe opozita, palët nuk arritën të gjenin dakordësinë për prezantimin e raporteve, pasi PD kërkoi zgjatje të afateve.

“Si mund të flasim për një raport përfundimtar, kur pjesa më e madhe e detyrimeve të miratuara nuk është realizuar? Si mund të kenë punuar ekspertët e mazhorancës për Reformën Administrativo-Territoriale 2, kur ende nuk kemi përcaktuar parimet e saj?”, deklaroi Boçi.

Mazniku pasi prezantoi raportin tha se “në ditët në vijim nëse opozita do të jetë dakord dëgjojmë edhe raportin e hartuar nga ekspertët e Partisë Demokratike”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›