E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazniku: Ndarja e re territoriale synon përmirësimin e shërbimeve

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Nesër do të shqyrtohet në Kuvend projektligji i propozuar nga Partia Socialiste për ndarjen e re territorialo-administrative.

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku ka shpjeguar arsyet që, sipas tij, kanë çuar në propozimin për ndryshimin e hartës territoriale të vendit.

Në një intervistë për Top Channel, Mazniku tha se një prej problemeve kryesore lidhet me pamundësinë e disa bashkive të vogla për të ofruar shërbimet e nevojshme, kryesisht për shkak të mungesës së burimeve financiare.

Sipas tij, riorganizimi territorial nuk do të nënkuptonte largim të shërbimeve nga qytetarët.

“Një pjesë e madhe e diskutimit kanë qenë nga kryebashkiakë të PS-së që nuk kanë qenë dakord me Reformën. Nëse objektivi do të ishte elektoral, do t’i linim siç ishin. Objektivi i PS-së është që ai territor t’i ketë mekanizmat e mundshëm që të kryejë funksionet që mund të bëjë. Jemi ende larg për të ofruar shërbimet që duhen dhe që njerëzit aspirojnë. PS ka marrë mandat nga njerëzit për t’u kujdesur për këtë. Ka interes dhe një agjendë për t’i siguruar mekanizmat e nevojshme bashkive që të ushtrojnë funksionet”, u shpreh Mazniku.

“Vetëdija për faktin që një pjesë e madhe e bashkive të vogla që nuk ia dalin dot, prej mungesës financiare, zgjedhja e mundshme ishte që të kishte bashki më të madhe. Nuk janë më larg qytetarit. I kam bërë një pyetje kryetarëve të bashkisë që kam bërë. Më thoni një shërbim të vetëm që i largohen një personi. Berat-Dimal-Poliçan. Nuk kanë transport publik. Nuk kanë një zyrë të planifikimit urban”, tha ai.

Mazniku theksoi gjithashtu se reforma territoriale e vitit 2014 ka sjellë përmirësim të ndjeshëm në ofrimin e shërbimeve nga njësitë vendore.

“Reforma e vitit 2014 ka qenë pa dyshim një reformë e suksesshme, pasi ka përmirësuar masivisht cilësinë e shërbimeve që ofrohen në bashki. Nga 373 komuna dhe bashki, që nuk e dinin, nuk bënin asnjë të vetme punë që bëjnë sot. Jemi ende larg, pavarësisht atij përmirësimi, jemi ende larg asaj që një pjesë e madhe e bashkive duhet të bëjnë dhe që njerëzit aspirojnë”, tha ai.

Mazniku theksoi se “Partia Socialiste ka marrë një mandat nga njerëzit për ta realizuar këtë, jo për t’u kujdesur për interesin e një kryetari, apo një këshilltari, apo një deputeti, por për t’u siguruar bashkive mekanizmat e nevojshëm që të kenë mundësi të ushtrojnë funksionet”.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›